Pas gati 80 vitesh në hije, një pikturë e rrallë e Pablo Picassos, që portretizon fotografen dhe piktoren franceze Dora Maar, është zbuluar dhe prezantuar për herë të parë para publikut.
Veprës, e titulluar “Busti i një gruaje me kapelë me lule (Dora Maar)”, u përfundua në korrik të vitit 1943, gjatë fazës së fundit të marrëdhënies së trazuar nëntëvjeçare midis Picassos dhe Maar. Ndryshe nga portretet e mëparshme të saj, kjo vepër e paraqet Maar në një dritë më të butë dhe me ngjyra më të gjalla.
Picasso realizoi shumë portrete të Dora Maar, përfshirë edhe ato më të njohurat si “Portreti i Dora Maar” dhe “Dora Maar me mace”. Megjithatë, vetë Dora Maar ka deklaruar: Të gjitha portretet e tij për mua janë gënjeshtra. Asnjë nuk është Dora Maar.
Ata u njohën në fund të vitit 1935, kur Maar po fotografonte për promovimin e filmit Krimi i Zotit Lange të Jean Renoir. Në atë kohë, Picasso ishte ende në një lidhje me Marie-Thérèse Walter, me të cilën kishte një vajzë, Maya, marrëdhënie që vazhdoi paralelisht me lidhjen e tij me Maar.
Dora Maar, që kishte prirje masokiste, shpesh u portretizua nga Picasso si figurë e vuajtur dhe e përhumbur, siç shihet në veprën “Gruaja që qan”, ku, sipas ekspertëve, artisti synonte të përfaqësonte vuajtjen gjatë luftës civile spanjolle, por edhe përçonte tensionet dhe abuzimet në marrëdhënien e tij me Maar.
Në pikturën e sapo zbuluar, fytyra e Maar paraqitet e copëzuar, pa perspektivë, por me ngjyra të ndezura dhe me një shprehje të përhumbur, në kufijtë e lotëve. Në atë kohë, Maar kishte mësuar se Picasso, atëherë 61 vjeç, synonte ta linte për piktoren 21-vjeçare Françoise Gilot.
Piktura u shfaq për pak kohë jashtë ateliesë së Picassos në rrugën Rue des Grands Augustins në Paris, para se të blihej në gusht të vitit 1944 nga një koleksionist francez, vetëm disa muaj para çlirimit të qytetit. Që nga ajo kohë ka qenë pjesë e një koleksioni privat dhe ekzistenca e saj dihej vetëm përmes një fotografie bardhë e zi që u përfshi më vonë në një katalog arti.
Personi që po e nxjerr në shitje trashëgoi veprën nga gjyshi i tij dhe ka kërkuar të mbetet anonim.
Gjatë pushtimit nazist, veprat e Picassos u cilësuan si “art degjenerativ” nga autoritetet gjermane, gjë që solli bastisje në atelienë e tij dhe kërcënime për ndalim të ekspozimit të punëve të tij.
Dora Maar, e cila vdiq në Paris në vitin 1997 në moshën 89-vjeçare, konsiderohet si muzë e Picassos, por gjithashtu ishte një fotografe surealiste me ndikim të madh në stilin e tij gjatë kohës së bashkëjetesës së tyre. Shtëpia e ankandeve Lucien Paris, që ka bërë vlerësimin fillestar të veprës në rreth 8 milionë euro, e kishte mbajtur të fshehtë ekzistencën e saj deri në prezantimin për shtyp këtë të enjte.
Auksionisti Christophe Lucien e cilësoi zbulimin si një moment të rëndësishëm në historinë e artit dhe në jetën private të Picassos: Është një portret freskues i Dora Maar, i jashtëzakonshëm dhe i mbushur me emocion. Zbulimi i tij është një moment i madh për ne si ekspertë.
Piktura do të dalë në ankand më 24 tetor dhe do të jetë e ekspozuar për publikun për tre ditë para shitjes.