Duke filluar nga data 7 tetor 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të përfitojnë ndjeshëm nga ulja e komisioneve për pagesat ndërkombëtare, si rezultat i përfshirjes së 11 bankave tregtare në skemën e pagesave në Zonën Unike të Pagesave në euro (SEPA), bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Ledia Bregu, drejtore e departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, u shpreh se kjo reformë është një hap i madh drejt modernizimit të sistemit të pagesave dhe e afron Shqipërinë me standardet evropiane të shërbimeve financiare.
“Nga 7 tetori, transaksionet në zonën SEPA, ku përfshihen 27 vendet e BE-së, 3 të Zonës Ekonomike Evropiane dhe 11 vende të tjera, do të kushtojnë më lirë se pagesat brenda vendit”, u tha Bregu për ATSH-në.
“Pagesat hyrëse nga SEPA drejt Shqipërisë do të kenë komision maksimal deri në 3 euro, kur kryhen në mënyrë elektronike. Pagesat dalëse nga Shqipëria drejt 41 vendeve të SEPA do të kushtojnë nga 0 deri në 2 euro. Për transaksione me vlerë mbi 100 mijë euro, komisioni nuk do të kalojë 25 euro”, theksoi Bregu.
Sipas saj, këto komisione janë disa herë më të ulëta se ato që aplikoheshin më parë, duke bërë të mundur që pagesat ndërkombëtare në SEPA të jenë më të lira se ato brenda vendit, në shumë raste.
Bregu e cilësoi këtë reformë si “historike për sistemin e pagesave digjitale në Shqipëri”, që do të sjellë përfitime të prekshme për individët dhe bizneset.
Sipas vlerësimeve të BSH-së, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Në një plan më të gjerë, përfitimet e tjera do të shtrihen në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte, etj.
“Synimi është të ofrojmë shërbime më të shpejta, më të lira dhe më të aksesueshme për qytetarët shqiptarë, duke rritur efikasitetin dhe transparencën në tregun financiar”, deklaroi Bregu.
Muçostepa: SEPA nxit investimet e huaja, instrument strategjik për rritjen ekonomike
Kryetarja e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa, ka vlerësuar përfshirjen e Shqipërisë në zonën e pagesave SEPA si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të klimës së biznesit dhe rritjes së besimit të investitorëve të huaj.
Në një prononcim për ATSH, Muçostepa theksoi se lehtësimi i pagesave ndërkombëtare përmes SEPA-s redukton ndjeshëm kostot për individët dhe bizneset, duke krijuar një mjedis më tërheqës për investime në Shqipëri.
“Kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri mund të menaxhojnë më lehtë likuiditetin, pa u penguar nga kufizimet tradicionale të transfertave ndërkombëtare. Kjo ndihmon në rritjen e qarkullimit ekonomik”, u shpreh ajo.
Si shembull konkret, Muçostepa përmendi një kompani shqiptare që importon pajisje nga një vend europian, tashmë mund të realizojë pagesën e faturës brenda ditës, pa tarifa shtesë apo vonesa bankare.
Ajo shtoi se SEPA forcon lidhjet tregtare me vendet e Bashkimit Europian, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpejtë realizimin e transaksioneve ndërkufitare, çka përkthehet në rritje të efikasitetit dhe konkurrueshmërisë për bizneset shqiptare.
Përfshirja e Shqipërisë në zonën SEPA shihet nga komuniteti i biznesit si një instrument strategjik për rritjen ekonomike dhe integrimin europian të vendit.
Ekspertja Radonshiqi: SEPA lehtëson kostot e remitancave dhe ndihmon ekonominë familjare
“Përfshirja e Shqipërisë në zonën e pagesave SEPA pritet të sjellë ndikim të ndjeshëm pozitiv në ekonominë e vendit, biznesin dhe financat familjare, veçanërisht për grupet vulnerabël që mbështeten tek remitancat nga emigrantët”, kështu u shpreh për ATSH-në Romina Radonshiqi, eksperte e ekonomisë.
Radonshiqi vuri në dukje se shumë emigrantë vijojnë të përdorin kanale informale për të dërguar para në Shqipëri, për shkak të kostove të larta që shoqërojnë transfertat përmes institucioneve financiare.
“SEPA do të ulë ndjeshëm këto kosto, duke bërë që fondet të mos shkojnë në komisione, por t’i përfitojnë direkt familjet në nevojë”, tha ajo.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, remitancat arritën në 531 milionë euro vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025. Megjithatë, theksoi Radonshiqi, një pjesë e këtyre fondeve reduktohet nga komisionet bankare apo shërbimet e transfertave.
Në vitin 2023, kostoja mesatare e dërgimit të 200 dollarëve nga Italia dhe Greqia në Shqipëri ishte 5,6%. Zbatimi i SEPA-s, standardizon dhe lehtëson pagesat në euro brenda vendeve pjesëmarrëse dhe i ul ndjeshëm këto tarifa, duke favorizuar ekonominë formale dhe duke fuqizuar familjet shqiptare që mbështeten te ndihma nga jashtë.
Ekspertja theksoi se kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt integrimit financiar europian, dhe se ndikimi i saj do të ndihet veçanërisht në rritjen e të ardhurave të disponueshme për familjet me të ardhura të ulëta.
Çfarë është SEPA?
SEPA (Single Euro Payments Area), ose Zona e Unike e Pagesave në Euro, është një sistem që operon në vendet e Bashkimit Europian që prej vitit 2008. Qëllimi i krijimit të kësaj zone të përbashkët pagesash ka qenë lehtësimi i transaksioneve monetare jofizike në vendet e Bashkimit Europian, duke hequr dallimet që mund të ekzistonin midis shteteve anëtare. Ky sistem ka bërë të mundur që transfertat financiare midis shteteve të jenë po kaq të lehta, sa ato brenda një shteti të vetëm.

Në vitin 2016, SEPA përfshiu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, por që kanë marrëveshje të veçanta me të, ose janë kandidatë për t’u bërë pjesë e tij. Kështu, SEPA tani ka 38 shtete anëtare, përfshirë të gjitha vendet e BE-së dhe disa vende joanëtare si Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, dhe së fundmi, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Përmes SEPA-s, transaksionet ndërkufitare brenda zonës tarifohen njësoj si ato të brendshme, duke eliminuar tarifat shtesë dhe duke reduktuar kohën e përpunimit të pagesave në euro.
SEPA mundëson disa lloje kryesore të transaksioneve, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në sistemin e pagesave dhe tregtinë ndërkufitare:
• SEPA Credit Transfer (SCT) – Transferime standarde të kredive brenda një dite pune. Për shembull, një kompani shqiptare që importon pajisje nga Gjermania mund të bëjë pagesën e faturës brenda ditës, duke shmangur kostot e mëdha të bankave tradicionale dhe kohën e gjatë të përpunimit të transfertave ndërkombëtare.
• SEPA Core Direct Debit Transfer – Debitime Direkte SEPA Transferime të menjëhershme brenda pak sekondash. Një punonjës shqiptar që jeton në Francë dhe dërgon para familjes në Shqipëri mund ta bëjë këtë në kohë reale, pa vonesa dhe me tarifa të ulëta krahasuar me shërbimet tradicionale të transfertave.
• SEPA Direct Debit (SDD) – (SEPA Credit Transfer): Pagesa të përsëritura automatike. Për shembull, një klient shqiptar që përdor shërbime streaming ose abonime të ndryshme, si internet ose sigurime shëndetësore në një vend të BE-së, mund të bëjë pagesat mujore pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale çdo herë.
• SEPA B2B Direct Debit – Debitime Direkte SEPA B2B Shërbim i dedikuar për bizneset. Një kompani shqiptare që furnizon produkte për një partner gjerman mund të vendosë pagesa automatike për çdo porosi të dërguar, duke shmangur vonesat dhe garantuar një fluks të qëndrueshëm të pagesave.
• Për të kryer pagesa nëpërmjet SEPA, duhet të plotësohen dy kushte kryesore: Dërguesi dhe pranuesi i transferimit duhet të jenë nga vendet anëtare të SEPA dhe transaksioni duhet të kryhet me monedhën euro.

foto1