Plani i qeverisë për familjen, politikat sociale dhe strehimin, parashikon strehim të përballueshëm dhe programe të reja sociale.
Sipas dokumentit, synohet ndërtimi i të paktën 1,500 banesave me kosto të ulët deri në vitin 2029, si dhe zgjerimin e fondit të banesave sociale përmes përshtatjes së ish-konvikteve dhe pronave shtetërore. Për herë të parë, të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara do të përdoren për programe të strehimit social.
Një fokus i veçantë u kushtohet familjeve të reja, me një paketë të re mbështetëse që përfshin subvencione për strehim dhe akses më të lehtë në kredi të buta.
Mbështetje për personat me aftësi të kufizuara dhe shërbime të specializuara
Qeveria synon dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke kombinuar ndihmën financiare me shërbime të integruara dhe rishikimin e asistencës personale. Gjithashtu, do të zgjerohet mbështetja për personat me spektër autizmi, me ngritjen e qendrave të reja për fëmijët dhe krijimin për herë të parë të një qendre të dedikuar për të rriturit.
Në partneritet me bashkitë, do të fuqizohet rrjeti i qendrave komunitare dhe shërbimeve sociale, duke shtuar 40 shërbime të reja për mbulim më të mirë gjeografik. Do të zhvillohet një sistem digjital për menaxhimin e mbrojtjes sociale, që siguron transparencë dhe gjurmueshmëri.
Plani përfshin programe të posaçme për punësimin e grave dhe komuniteteve vulnerabël, me ngritjen e 20 ndërmarrjeve sociale të reja në zonat rurale, të cilat do të ndihmojnë integrimin shoqëror dhe ekonomik.
Kujdes për moshën e tretë
Një tjetër prioritet është zgjerimi i shërbimeve për të moshuarit, me struktura të specializuara për kujdes afatgjatë, asistencë në shtëpi dhe këshillim psiko-social, për të garantuar një jetë më të qetë, me dinjitet dhe mbështetje të vazhdueshme./