OSHEE Group raporton ecuri pozitive të skemave lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, me mbi 8,300 aktmarrëveshje të lidhura gjatë periudhës 2024–2025.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më 2 shtator 2025 janë firmosur rreth 7,083 aktmarrëveshje me klientë familjarë debitorë. Nga këta, 4,780 klientë kanë shlyer menjëherë të gjithë detyrimin, duke përfituar ulje të kamatëvonesës deri në 70%. Ndërkohë, për abonentët jofamiljarë, ku përfshihen bizneset raportohen 1,234 klientë, që i janë bashkuar skemave të likujdimit me këste të borxheve. Prej tyre, 887 përfituan reduktim 50% të kamatës, ndërsa 34 likuiduan të gjithë detyrimin dhe morën falje 100% të saj.
Skemat e miratuara mbulojnë detyrimet e akumuluara deri më 31 dhjetor 2023, teksa pagesa e debisë kryhet me këste fikse mujore, krahas faturës mujore të konsumit të energjisë.
Sipas skemës që është duke u aplikuar aktualisht, klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pensionistët mund të shlyejnë borxhin me këste fikse mujore prej 1,200 lekësh, ndërsa pjesa tjetër e klientëve familjarë me këste prej 2,800 lekësh. Për bizneset, pagesat do të përcaktohen sipas vlerës së debisë dhe mund të shtrihen deri në 120 këste.
Paralelisht, OSHEE ka miratuar edhe një skemë reduktimi të kamatëvonesës: familjarët që shlyejnë detyrimin njëherësh përfitojnë 70% ulje të kamatëvonesës, ndërsa klientët jo familjarë përfitojnë ulje 100%. Për të përfituar nga këto lehtësime, abonentët duhet të kenë likuiduar detyrimet e krijuara gjatë vitit 2024 dhe në vijim. ëNënshkrimi i aktmarrëveshjeve bëhet pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit.