Vendi ynë bëhet zyrtarisht dhe efektivisht pjesë e sistemit europian të pagesave, SEPA më 7 tetor. Të gjitha bankat tregtare janë pjesë e këtij sistemi të pagesave ndërkufitare në euro.
Me një mesazh në rrjetet sociale Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka paraprirë këtë hap të rëndësishëm duke deklaruar se nga ky mekanizëm i ri, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të përfitojnë ndjeshëm nga ulja e kostove të transferimeve të parasë në euro.
“Me SEPA, dërgesat e parave janë të shpejta, të sigurta dhe më të lira. Ato mund të bëhen nga kudo në Evropë dhe në çdo kohë. Me SEPA nuk do të ketë më vonesa, procese të ndërlikuara apo tarifa të lartë për transferimet ndërkufitare të Euros”, shprehet Sejko.
Përmes SEPA-s, transaksionet ndërkufitare brenda zonës tarifohen njësoj si ato të brendshme, duke eliminuar tarifat shtesë dhe duke reduktuar kohën e përpunimit të pagesave në euro.
Për të kryer pagesa nëpërmjet SEPA, duhet të plotësohen dy kushte kryesore: Dërguesi dhe pranuesi i transferimit duhet të jenë nga vendet anëtare të SEPA dhe transaksioni duhet të kryhet me monedhën euro.
LINK: