nga Gëzim Zilja
U bën ditë që PS-ja shpalli si kandidate të saj për kryetar Bashkie të Tiranës dy herë ministreshën e kabinetit Rama, Ogerta Manastirliu. Burizanët dhe kritikët e shumtë filluan të bëjnë biografinë e Manastirliut, duke kritikuar për paaftësinë e saj proverbiale, të tjerë përfshirë dhe Berishën se “ PD-ja ka qindra kandidatura të shkëlqyera shumë herë më të afta se Manastirliu.” Të tjerë thonë se është e kotë të hyjmë në zgjedhje se nuk e mundim dot Mafien e Tiranës, prandaj duhet të presim sa të ndërgjegjësohet populli shqiptar etj etj. Gazetarët kanë marrë në pyetje disa herë Tabakun dhe Alimehmetin të cilët butësisht kanë kundërshtuar një kandidaturë të tillë. Po çfarë po pret PD-ja?
Së pari Partia Demokratike nuk e ka luksin të presë sa të qethen viçat apo iriqat, për të caktuar kandidatin apo kandidaten.
Së dyti Partia Demokratike është kthyer në avazin e vjetër ku diellin e shiun e bën AI, KOMANDANTI. Është e domosdoshme të zbatohet Kushtetuta e partisë, STATUTI i PD-së, që është kthyer sërish në një straço nga ato që fshijnë duart xhenerikët. Një parti ku statuti nuk zbatohet nuk është parti demokratike por parti “merre me lëng se mishi u mbarua.”
Deri tani kryesia e PD-së dhe grupi parlamentar po feston fitoren mbi Erjon Mavrinë, bën gallatë një ditë në parlament e pastaj dredh tespihet si turku në ditën e Bajramit. E kur ka ndërmend PD-ja të merret me këtë betejë për jetë a vdekje (sipas meje) kur Mafia e Edi Ramës me të gjitha skalionet ka filluar punën? Të fitosh Tiranën do të thotë që i ke prerë damarët kryesorë korrupsionit dhe ke në dorë mbi gjysmën e votuesve. Kjo nuk është utopi, nëse do të jetë një kandidaturë e mirë dhe do të ketë një mobilizim total të banorëve të Tiranës. Ama nëse vazhdon avazi i servilëve dhe të paaftëve, rrëzave e korridoreve të PD-së, edhe këto zgjedhje do të jenë të dështuara. Nuk duhet vetëm një burrë apo grua e mirë, por edhe i/e ditur, luftëtar/e, guximtar/e, e të marrë përsipër fushatën me çdo mjet e formë. Kjo është e mundur. Makina e votave, të PS-së dhe organizatori kryesor, praktikisht është në burg e ky është avantazh jo i vogël. PD nuk duhet të humbasë asnjë ditë se po merret me llogje e të zbatojë absolutisht statutin për kandidaturat. Është e pafalshme që kandidatura të dalë nga xhepi i Kryetarit. STATUTI nuk është leckë, të tallin trapin drejtuesit e PD-së. Nuk mundet mafia e Tiranës me konferenca e lajme gazete në vakt dreke. Është koha për luftë. Dhe luftë le të bëhet po qe e nevojshme, që të shpëtohet Shqipëria nga lukunia e hajduteve dhe antishqiptareve të rilindjes.