Maqedonia e Veriut nga mesnata nis zyrtarisht fushatën 20-ditore për zgjedhjet lokale të 19 tetorit.
Procesi i këtij viti do të jetë i teti që nga shpallja e pavarësisë së shtetit ballkanik dhe i katërti në të cilat zgjidhen kryetarët dhe lista e këshilltarëve në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit.
Në Zgjedhjet Lokale të këtij viti garojnë gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunale me 10.490 kandidatë.
Kryeparlamentari Afrim Gashi u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike në vend, që garojnë në këto zgjedhje, të bëjnë fushatë të ndershme dhe t’u përmbahen parimeve demokratike.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, duke përmbyllur Listën e Votuesve, njoftoi se të drejtë vote kanë mbi 1,8 milionë banorë, 112 mijë prej tyre aktualisht jetojnë jashtë vendit, mbi 2.100 votues vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim, dhe 450 jetojnë në azilet e të moshuarve.
Më 19 tetor në Maqedoninë e Veriut do të hapen 3.480 qendra votimi. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet, në gjysmën e dytë të tetorit.
Qeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e qeverisjes lokale. Brenda kryeqytetit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të përbashkëta me të.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut është parashikuar të mbahet më 2 nëntor.