Gjykata Kushtetuese, në një reagim pas interesimit të Klan News, lidhur me fatin e Bashkisë së Tiranës, pas ankimit të bërë nga Erion Veliaj një ditë më parë, është shprehur se me regjistrimin e kërkesës së tij, i gjithë procesi është pezulluar.
“Përshëndetje!
Për transparencë, po ju rinis të gjithëve përgjigjen e vetme që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në lidhje me çështjen me nr. 28(E) Regjistri Themeltar, datë 29.09.2024 si më poshtë:
Gjykata ka bërë publikimin e regjistrimit te kerkeses. Shpallja eshte e barazvlefshme me njoftimin publik”, sqaron Kushtetuesja.
Vetëm disa orë më parë, kreu i qeverisë, Edi Rama, çoi vakancat tek Presidenti Bajram Begaj, për gjashtë bashkitë e mbetura pa drejtues, përfshirë këtu dhe atë të Tiranës. Me këtë reagim të Kushtetueses, kuptohet se në mënyrë automatike, anulohet procesi i dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, deri sa të dalë një vendim final pas ankimit të Veliajt.
Kujtojmë se Veliaj u shkarkua zyrtarisht nga posti i kryebashkiakut më 25 shtator 2025. Vetëm një ditë më parë, Veliaj ankimoi këtë vendim, duke e cilësuar të paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumentoi se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin e tij, se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës. Sipas ish-kryebashkiakut ky nen përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave mund të bëhet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
Ankimimi i vendimit të Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese sjell si rrjedhojë edhe pezullimin e procesit të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, deri kur kjo gjykatë të dalë me një vendim.
Ndaj, Gjykata Kushtetuese, menjëherë pas depozitimit të ankimimit në sekretari, hodhi shortin dhe caktoi gjyqtaren Sonila Bejtja si relatore të çështjes.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, mendon se Gjykata Kushtetuese duhet të vërë në dijeni Presidencën për shqyrtimin e padisë së Veliajt kundër shkarkimit.
“Presidenti, nisur nga kjo, duhet të përdorë mundësitë që i jep afati 40 orë për të marrë informacione nëse ndodhemi në kushtet kur vendimi i Këshillit të Ministrave është i pezulluar apo jo. Kjo do të thotë nëqoftëse Gjykata Kushtetuese nuk ia dërgon vetë njoftimin Presidentit të Republikës që ka pranuar padinë e zotit Veliaj ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave, duhet të jetë Presidenca, Presidenti i Republikës që duhet të kërkojë informacion lidhur me këtë situatë dhe pasi ta ketë këtë të marrë vendimin”, tha Kume.
Kume thekson se nëse Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve në Tiranë, çdo vendim i Kushtetueses më pas nuk ka asnjë efekt ligjor.
“Nëqoftëse vendimi i Kushtetueses del dhe ndërkohë në Bashkinë e Tiranës janë bërë zgjedhjet dhe dikush tjetër ka filluar të ushtrojë mandatin e kryetarit të bashkisë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë efekt prapaveprues”.
Përsa i përket zgjedhjeve në 5 bashkitë e tjera, Kume thekson se nuk ka asnjë ngërç juridik.







