HomeOP EDZëri i një eksperience në fillim të ri të Vitit Akademik/Nga Prof....

Zëri i një eksperience në fillim të ri të Vitit Akademik/Nga Prof. Mimoza MANXHARI

Advertismentspot_img

Nga Prof. Mimoza MANXHARI, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës
Universitetet, sërish hapin dyert e do doja  t’i jap zë asaj që përvoja ime më ka mësuar të dëgjoj: thirrjes së dijes dhe shpirtit njerëzor. Para se auditorët të mbushen dhe fjalët të shpërndahen, më lejoni të ndaj shqetësimet dhe reflektimet që lindin nga vëzhgimi i gjatë i jetës akademike dhe shoqërisë që e rrethon.

Arsimi i lartë nuk është dhe nuk duhet të jetë një mekanizëm për shpërndarjen e diplomave; ai është themeli moral, kulturor dhe shpirtëror mbi të cilin ndërtohet një shoqëri që nderon jetën, dijen dhe dinjitetin njerëzor.

Shoqëria, mban një përgjegjësi të shenjtë ndaj individit. Përmes institucioneve të saj, ajo duhet të krijojë kushte jo për mbijetesë, por për lulëzim njerëzor, duke ushqyer mendjen, ndërgjegjen dhe shpirtin. Arsimi, drejtësia, ekonomia, kultura, institucionet politike apo fetare, familja dhe komuniteti janë mjetet përmes të cilave ajo formon dhe udhëheq jetën tonë të përbashkët.

Por pyetja që duhet të guxojmë të bëjmë është e thjeshtë:

A po i shërbejnë këto instrumente qëllimit të tyre të vërtetë?

A po ndihmojnë ato individin të mendojë lirshëm, të zhvillohet, të ndjejë përgjegjësi dhe të kontribuojë në të mirën e përbashkët?

Fatkeqësisht, shumë prej tyre e kanë humbur busullën. Arsimi, dikur dritare e lirisë, po kthehet në një sistem që përgatit bindje, jo mendim, përsëritje e jo krijim, konformizëm e jo ndërgjegje. Studentët mësojnë të ruajnë strukturën shoqërore dhe rregullin, por jo të kuptojnë kuptimin e tij.

Dija është reduktuar në detyrë, dhe detyra është kthyer në barrë.

Kur universitetet bëhen vegla në duart e politikanëve, ato tradhtojnë misionin e tyre më fisnik, pikërisht misionin për të formuar mendje të lira dhe shpirtra të përgjegjshëm.  

Shoqëria është një organizëm i gjallë e si e tillë duhet të përditësojë veten pa humbur shpirtin, të ecë me kohën pa harruar thelbin. Kur ajo ngec, humbet kuptimin e vet; dhe kur individi humbet ndjenjën e përkatësisë, vetë jeta kolektive shuhet.

Në këtë pikë, duhet ta pranojmë hapur:

Qasja jonë ndaj arsimit është bërë burimi i shumë prej plagëve personale dhe shoqërore që përjetojmë sot.

Arsimi është bërë një barrë që lodh në vend që të ngrejë, një frikë që paralizon në vend që të frymëzojë.  Ai nuk ndez më kureshtjen, por imponon nënshtrimin; nuk frymëzon dashurinë për të mësuar, por frikën nga dështimi.

Kështu po na shfaqet zinxhiri shkak–pasojë që po na mbyt, pasi  sa më shumë shoqëria ushtron presion mbi individin, aq më shumë individi humbet lidhjen me kuptimin e arsimit; sa më shumë arsimi humbet kuptimin, aq më bosh bëhet vetë shoqëria.  

Ne kemi gabuar duke pranuar burokracinë si normalitet, duke zgjedhur rehatinë mbi guximin, prestigjin mbi integritetin.

-Studentët maten më shumë nga diplomat dhe letrat me të cilat pajisen sesa nga qartësia e mendimit dhe integriteti i veprimeve.

-Profesorët, që duhej të ishin burim frymëzimi dhe sfide, shpesh janë ngujuar në modele të vjetra e interesa vetjake, duke shuar zjarrin e dijes që duhej të shpërthente.

Dikur, fillimi i vitit akademik sillte gëzim, frymëzim dhe një ndjenjë pritjeje, si një dritë që hapej përpara syve tanë. Sot, ajo dritë është zbehur; vendin e saj e ka zënë lodhja shpirtërore dhe mungesa e dëshirës për të mësuar me pasion.

Universiteti nuk mund të mbetet një destinacion formal për diploma. Ai duhet të jetë vendi ku ringjallet ëndrra dhe formohet ndërgjegjja.

Ne kemi detyrimin moral të mos i zhgënjejmë ata që sot hyjnë në universitet me ëndrrën për të mësuar dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Ata janë pasuria jonë më e çmuar; është përgjegjësia jonë t’i mbrojmë nga zhgënjimi dhe nga iluzioni se dija ka vlerë vetëm për status.

Arsimi i vërtetë nuk të mëson thjesht si të ekzistosh. Ai të mëson sit ë jetosh. Të hap sytë për të parë, mendjen për të kuptuar dhe zemrën për të vepruar me përgjegjësi.   Ai është përvoja që ngre shpirtin, jo barrë që e rëndon atë.

Prandaj, në këtë fillim viti, le ta kthejmë arsimin në misionin që i takon,  si hapësirë ku lindin mendja, ndërgjegjja dhe shpirti.

Le të rigjenerojmë atmosferën e mësimit, të bëjmë auditoret e bibliotekat vende frymëzimi dhe reflektimi.

Bota moderne sjell mundësi të jashtëzakonshme, por edhe sfida të reja: shpërqendrime, ngarkesa, por dhe ndjesi të humbjes se kuptimit.

-Pedagogët duhet të tregojnë se dija nuk është material për teste, por udhë për të kuptuar botën.

-Institucionet duhet të krijojnë kushte ku detyra shihet si mundësi, jo si barrë.

Koha nuk do t’i shërojë plagët tona vetvetiu.

Ne duhet të zgjohemi, të kërkojmë ndryshimin dhe ta bëjmë atë të prekshëm, për çdo student, çdo pedagog, çdo qytetar.

Vetëm kështu do të ndërtojmë një arsim që nuk prodhon vetëm diploma, por mendje të lira, jetë me kuptim dhe qytetarë me ndërgjegje.

Arsimi i lartë duhet të rifitojë shpirtin e tij, jo si një portë drejt punësimit, por si një vatër që farkëton mendim kritik, veprim etik dhe transformim shoqëror.

Le të jetë ky fillim viti një thirrje për reflektim, ndershmëri dhe veprim.

Le të jemi bashkë në këtë detyrë të shenjtë: të kujdesemi për jetën, për dijen dhe për shpirtin e njeriut në Shqipërinë e sotme.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular