Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çeli edicionin e dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjimit “Nikolla Zoraqi”, një ngjarje e rëndësishme që mbledh në Tiranë dirigjentë nga e gjithë bota.
Konkursi zhvillohet nga data 6 deri më 12 tetor, duke nderuar figurën e një prej kompozitorëve më të shquar shqiptarë Nikolla Zoraqi dhe duke e kthyer këtë nismë në një traditë të çmuar të jetës muzikore shqiptare.
“Sot startoi konkursi me 8 konkurrentët e parë dhe më së shumti janë aziatikët të cilët janë më aktiv në këto konkurse. Faza e parë do të jetë për 4 ditë. Niveli i deritanishëm i 8 konkurrentëve të parë që do të marrin pjesë ishin shumë të mirë, dhe me këtë ritëm në gjysmë finale do ta kemi të vështirë për të zgjedhur 15 konkurrentët që do të vazhdojnë“, theksoi Drejtoresha e Orkestrës Simfonike të RTSH, Blerta Ristani.
Ndërkohë, Ristani foli gjithashtu edhe për rëndësinë e këtij konkursi dhe përgjegjësinë që mban Orkestra e Radio Televizionit në organizimin e një ngjarjeje të tillë ndërkombëtare.
“Në përgjegjësi një orkestër kur organizon një konkurs të tillë natyrisht që është arritja më e madhe, sepse mendoj që në 100 konkurrent, orkestra luan për secilin prej tyre dhe kjo është një sfidë shumë e madhe”, u shpreh Ristani.
Finalja e madhe do të mbahet më 12 tetor. Fituesit e këtij edicioni do të kenë mundësi të drejtojnë orkestra prestigjioze ndërkombëtare. Konkursi “Nikolla Zoraqi” synon të promovojë dirigjentët e rinj dhe të afirmojë muzikën shqiptare në skenën evropiane, duke e vendosur sërish Tiranën në qendër të vëmendjes muzikore ndërkombëtare.
/Rtsh.al/