Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm ka tronditur sistemin e drejtësisë, institucionet dhe opinionin publik. Ngjarja e rëndë e pasdites së ditës së hënë vijon të shoqërohet me jo pak mister se si arriti agresori të hynte në Gjykatë i armatosur, gjë e cila vë në pikëpyetje nivelin e sigurisë në ambientet e gjykatave.
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes duke e quajtur vrasjen e gjyqtarit akt barbar dhe një goditje të rëndë ndaj institucioneve si dhe alarm për sigurinë publike.
Në një reagim të ndjerë dhe reflektues, Prençi ngre pyetje të forta mbi dështimin institucional që lejon një njeri të armatosur të hyjë në tempullin e drejtësisë dhe të qëllojë për vdekje një gjyqtar në momentin që shpall vendimin. Ai thekson se duhet përgjegjësi konkrete, jo heshtje dhe justifikime.
Reagimi i Prençit është një apel për ndërgjegjësim shoqëror, për të ruajtur respektin ndaj jetës, ndaj institucioneve dhe ndaj kujtdo që përpiqet të shërbejë me ndershmëri në një realitet të vështirë. Sa i takon komenteve në rrjetet sociale, Prençi thekson se ka një urrejtje të pashpjegueshme ndaj gjyqtarit të ndjerë. “Një krenari e çuditshme për vrasësin. Një përmbysje e frikshme e logjikës njerëzore”.
“E njëjta gjë ndodhi edhe kur u nda nga jeta një gazetarë shumë i njohur, edhe kur iku nga kjo botë një artist e personalitet i kinemasë. Edhe atëherë pashë njerëz që gëzoheshin për vdekjen. Shkruanin me dorë të ftohtë, pa menduar se diku, në heshtje, dikush po qante. Kjo më ka tmerruar. Më ka bërë të mendoj gjatë: ku po shkon shoqëria jonë me këtë shfrenim të gjuhës dhe të urrejtjes?”, shton Prençi.
Reagimi
Drejtësia pagoi çmimin më të rëndë, jetën e një gjyqtari në krye të detyrës. Në sallën e gjyqit, aty ku duhet të sundojë ligji dhe qetësia e shtetit, u shua gjyqtari Astrit Kalaja. U vra në momentin solemn, kur shpalli një vendim që mbronte të drejtën e dhjetëra familjeve në nevojë. E kam takuar vetëm një herë personalisht gjyqtarin Kalaja. Ky akt barbar është një plagë për gjithë sistemin tonë, një tronditje për çdo qytetar që beson se gjykata është vendi më i sigurt i shtetit. Dje, një njeri që zbatonte ligjin u vra brenda tempullit të drejtësisë. Kjo është e papranueshme.
Askush nuk duhet të hyjë i armatosur në sallën e një gjykate. Askush! Kjo është një dështim i rëndë institucional që kërkon përgjigje dhe përgjegjësi, jo heshtje. Sot nuk humbëm vetëm një njeri të mirë, por edhe një simbol të drejtësisë që ende besonim se ekziston. Kjo ngjarje duhet të zgjojë ndërgjegjen e institucioneve të sigurisë. Sepse nesër mund të jetë tepër vonë. Një mik gazetar më dërgoi disa komente që njerëzit kishin shkruar në rrjetet sociale. Unë zakonisht nuk i ndjek komentet, rri larg debateve që shpesh kthehen në fushëbeteja fjalësh që nuk dua ti dëgjoj. Por këtë herë, kur i lexova, mbeta i tronditur dhe i lënduar. Një valë urrejtjeje e pashpjegueshme ndaj gjyqtarit të ndjerë. Një krenari e çuditshme për vrasësin. Një përmbysje e frikshme e logjikës njerëzore.
E njëjta gjë ndodhi edhe kur u nda nga jeta një gazetarë shumë i njohur, edhe kur iku nga kjo botë një artist e personalitet i kinemasë. Edhe atëherë pashë njerëz që gëzoheshin për vdekjen. Shkruanin me dorë të ftohtë, pa menduar se diku, në heshtje, dikush po qante. Kjo më ka tmerruar. Më ka bërë të mendoj gjatë: ku po shkon shoqëria jonë me këtë shfrenim të gjuhës dhe të urrejtjes?
Si mund të reagojë njeriu me aq mllef për dikë që s’e njeh, s’e ka takuar kurrë, nuk ka ndarë asnjë ditë e asnjë çast jete me të? Thjesht sepse teknologjia i ka dhënë mundësinë të shkruajë gjithçka, kurdo, për këdo, pa u menduar. Kjo liri pa kufij është kthyer në shpatë që pret çdo ndjeshmëri, çdo respekt, çdo ndalim moral.
Dikur, në Shqipërinë e varfër, edhe hasmi e ndalte fjalën përpara mortit. Vdekja kishte një kod të shenjtë. Sot, në epokën e komenteve, ky kod është harruar. Të vdekurit fyehen, në ditën e varrimit, në sy të fëmijëve e të familjes. Një turmë virtuale nxjerr çdo duf, çdo brengë, çdo dështim personal mbi trupin e dikujt që s’mund të mbrohet më.
Kushdo është i zhgenyer nga sherbimi i keq i zyrtareve publik, kushdo ka kaluar kalvar në zyret e drejtsisë pa mundur ta fitojne atë edhe përse ju takon, mos ta kërkojmë shkakun tek një njeri që ikën nga kjo jetë. Ne kete ambjent ku jetojme ne këmbehemi vazhdimisht me njerëz të shqetesuar, te revoltuar, me plot halle por duhet kujdes. I vdekuri i radhes nuk eshte fajtori.
Fajtorë jemi ne të gjallët, për fjalët tona, për urrejtjen që ushqejmë, për mungesën e mëshirës. Një lutje miqësore kam për këdo që nuk e mban dot mllefin brenda vetes: Bëni durim. Merrni frymë.
Mos shkruani në ditën e mortit. Mendoni për familjarët që qajnë në heshtje, për fëmijët që kanë humbur prindin, për miqtë që nuk kanë forcë të flasin. Mendoni se fjala e keqe është si plumb, del dhe nuk kthehet më mbrapsht.
Për gjyqtarin Astrit Kalaja, kam pyetur miq të mi, prokurorë, gjyqtarë e avokatë që kanë punuar me të. Të gjithë më thanë të njëjtën gjë: ishte njeri i qetë, i matur, i ndershëm dhe i përkushtuar.
Një qytetar shkodran tipik, me fjalë pak dhe me maturi të admirueshme. Një njeri i zakonshëm, që besonte se drejtësia është shërbim, jo pushtet.
Për njerëzit që ikin, le të gjykojë Zoti, jo ne. Sepse ne kemi humbur të drejtën morale për të gjykuar, kur nuk dimë më të respektojmë as vdekjen.