Libri më i ri i Bislim Ahmetajt, “Vajza e Kryeqytetit”, përmbledh tri novela ku ndërthuren dashuria, kujtesa dhe kthimi në origjinë, në një rrëfim poetik e njerëzor. Studiuesi Behar Gjoka e cilësoi veprën si një “triptik të realizuar me ndjesi dhe strukturë të rrallë, ku letërsia bëhet ëndërr dhe fluturim.”
Në një atmosferë mes miqve e letrarëve, shkrimtari Bislim Ahmetaj prezantoi librin e tij më të ri me titull “Vajza e Kryeqytetit”, një botim që përmbledh tre novela ku ndërthuren tragjizmi dhe ëmbëlsia, kërkimi dhe humbja, dashuria dhe kthimi në rrënjë. Me një stil të veçantë rrëfimi dhe me një lloj shpirti që lëviz mes reales dhe imagjinares, autori ndërton një univers ku ngjarjet intime bëhen përvoja të përgjithshme njerëzore.
Vajza e Kryeqytetit” u prezantua me shumë delikatesë dhe dashni me dhjetëra autorë të shquar të letërsisë shqipe. Gjithçka ndodhi në artikulimin e gazetarit Çerçiz Loloçi, poetes Mimoza Rexhvelaj , shkrimtarit Izet Duraku, studiuesit Behar Gjokaj, e moderuar në mënyrën tonë unike prej Arbër Ahmetaj. Promovimi I librit u be ne sallen e eventëve të Hotel Monarc. “Vajza e Kryeqytetit” i është dorëzuar lexuesit, ajo gjendet në Librarinë Adrion tek Pallati i Kulturës.
Në qendër të veprës që i jep titullin librit, “Vajza e Kryeqytetit”, autori sjell një histori triller e dashurie që lidhet me Tokion, një qytet që bëhet simbol i përpiktësisë dhe i tragjedisë moderne. Një lidhje e lindur në udhëtim, një ndarje e papritur dhe një fund që mbart dhimbjen e një jete të humbur për shkak të rrethanave shoqërore një “vdekje industriale”, siç e quan autori.
“Është një histori triller, një ngjarje sa tragjike aq edhe e ëmbël, një lidhje dashurie krejt e improvizuar nga mendja e një autori si puna ime, që përfundon në një dramë të jashtëzakonshme. Një histori kërkimi, në kërkim të një dashurie të pamundur.”
Novela e parë, e cila udhëton ndërmjet kujtesës dhe realitetit, ndërton një portret të paautorizuar por të fuqishëm të Petro Markos, duke u shndërruar në një reflektim për artin, jetën dhe humbjen. Një vëlla kërkon dorëshkrimet e tjetrit, dashuria rilind në kërkim, dhe në fund zbulohet një trashëgimi e fshehur një “happy end” që ngjitet mbi rrënojat e dhimbjes. Ndërsa novela e tretë është një sagë familjare e frymëzuar nga rrënjët veriore të autorit, një kthim në origjinë, ku nderi, ndihma dhe kujtesa historike ngrihen në formë rrëfimi poetik.
Në fjalën e tij, studiuesi i letërsisë Behar Gjoka e vlerësoi librin si një kontribut të çmuar në ringjalljen e formës së novelës në letërsinë shqipe. Profesori theksoi:
“Jemi në tri novela, në një triptik të realizuar si në strukturë ashtu edhe në ndjesi. Autori është krejt i zbuluar, ai nuk e ka kursyer veten për të ndarë shqetësimin, ëndrrën dhe dashurinë. ‘Vajza e Kryeqytetit’ është një këngë për dashurinë, për fundin e saj tragjik, por edhe për mediokritetin me të cilin shpesh e gjykojmë dashurinë. Letërsia këtu nuk është domethënie është fluturim, është ëndërr.”
Me “Vajza e Kryeqytetit”, Bislim Ahmetaj dëshmon se mbetet një zë i ndjeshëm e origjinal në prozën bashkëkohore shqiptare, që di të kthejë jetën e zakonshme në metaforë universale dhe ta bëjë dhimbjen art, përmes një rrëfimi që nuk kërkon lexuesin, por e gjen vetë në thellësinë e shpirtit njerëzor.