HomeKultureANSAMBLI “KUVENDI” i Zall-Dardhës/nga Kamber Faruku

ANSAMBLI “KUVENDI” i Zall-Dardhës/nga Kamber Faruku

Advertismentspot_img

nga Kamber Faruku
Të ulesh e të shkruash për ansamlin folklorik të Zall-Dardhës ke ndjesinë e asaj dite kur je ulur në livadhet e bjeshkës e përjeton kënaqësinë që të sjellin lulet erëmira. Kjo gjë ia gulfoi shpirtin edhe shkrimtarit të madh tonit, Dritëro Agollit, mjeshtër I mendimit estetik, i cili u shpreh në atë kohë se, po të jetë për mua, çdo artist të Dardhës e bëj anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

   Që kur doli me një emër të vetin në gjysëmshekullin e kaluar, në vitin 1949, ansambli folklorik i Zall Dardhës po mbush tetëdhjetë vjet.Veçse, këtu kemi thjesht një piketë gjatë rrugës.Mosha e këtij ansambli është e pamoshë.Në oda e livadhe, në sheshe dasmash e bjeshkët maleve, gjithmonë aty ka qënë kuvendi folklorik i dernjanëve, ai ishte vetë shpirti i tyre lirik dhe luftarak njëkohësisht.Ishte vetë jeta e tyre.Nuk mundi kurrë të mos dëgjonte bjeshka mbi Hurdhën e Madhe fyellin e bariut, oda çiftelinë magjepsëse, dasma zërin melodioz, apo oborret e shtëpive vallen e burrave nën ritmin luftarak të lodrave.

    Fjalë të tilla për folklorin mund të thuhen e stërhollohen për krejt krahinat e Dibrës, për vetë Dibrën në tërësi si identitet kulturor krahinor.Por, nëqoftëse gjithandej mes dibranëve mund të mbledhësh buqeta të pafundme e të bukura folklorike, Dardha ishte dhe mbeti e veçantë, ajo është një minierë gurësh të çmuar folklorikë.Një këngë, një valle, një ritëm i Dardhës ndriste menjëherë e ngjitej në majë të folklorit shqiptar duke shkëlqyer si meteor në universin e kultures popullore shqiptare.

   Kur në vitet shtatëdhjetë cuca e Ansamblit të Zall Dardhës, Liri Rasha, u ngjit në skenë me këngën O moj cucë dibrane, kjo vajzë e njomë, nxënëse shkolle, sikur solli aty këngën e bilbilit, të atij zogu këngëtar, që harlisej pranë gurrave ujëmali të fshatit të saj Lashkizë.Kënga, si një fishekzjarr çau ajrin, ngrohu zemrat dhe preku e pasuroi shpirtin lirik të çdokujt.Shumë vite më pare, kompozitori Muharrem Xhediku, dernjan i një brezi tjetër, kishte lëshuar në eter këngën , kushtuar vajzave të një prej zonave më të mbyllura për femrën , Radomirës, këngë e cila niste me fjalët,:Cucë Radomire, flokët kaçurrela. Sikur u këndohej ujërave të kreshpëruara , që hidheshin e harliseshin shkëmbenjëve të Korabit.Kurse Liri Rasha e vogël, me artin e saj të madh, po i vinte vellon cucës dibrane me vargjet, O moj lulja e bjeshkës!Dhe pastaj:Sa fort t’faklloka, oj cuc-o drapni në dorë!Kjo ishte një këngë hymn jo vetëm për bukurinë e vajzave dibrane, por dhe për karakterin, forcën dhe begatinë femërore të tyre.Duke korrur grurin mëngjeseve, kur lindëte dielli, drapëri në duart e tyre ishte një vath i art flakërues dhe kokërrat e djersës në ballë ishin margaritarë, që iu vezullonin  krahas pikëlave të vesës në fijet e barit.

   Vetëm në fillimet e gjysëmshekullit të kaluar kënga, melodia dhe vallja derjane filloi të shijohej fillimisht në radio dhe pas viteve shtatëdhjetë edhe në televizionin shtetëror.Tashmë kultura e Dardhës kapërceu kufinjtë krahinore dhe ëmbëlsoi mbarë kombin shqiptar.Por njerëzit e Dardhës ruanin në pentagramin e kujtesës së tyre xhevahire të artit si këngëtaren virtuoze Vashë Bara, rapsodin Riza Poleshi, mjeshtrin e çiftelisë Osman Musa; apo valltarë, këngëtarë dhe instrumentistë si Bajram e Xhemal Kaca, Mehmet Xhaferri apo Isuf Topuzi.

    Me krijimin e ansamblit, një grup të rinjësh me Rrem Ndreun, Sali Çerpen dhe Sul Shirën sollën në Zall Dardhë trofeun e pare;çmimin e dytë në festivalin kombëtar, që u mbajt nëvitin 1952 në stadiumin Dinamo, në Tiranë.Tashmë krenaria, përkushtimi dhe organizimi kulturor rreth ansamblit folklorik në këtë zone të thellë malore mori përmasa të tjera.Pranë ansamblit vërshuan dhe spikatën talente të reja si Hazis Ndreu, një artist shumëplanësh, I cili menjëherë kapërceu kufinjtë krahinorë me famën e tij, duke tërhequr edhe dhjetëra të rinj e të reja pas vetes.

   Dhe, për Hazis Ndreun me grupin e valltarëve nga Zalldardha erdhi çasti i madh; përfaqësuan Shqipërinë në festivalin folkloric në Moskë në vitin 1957.,Dhe, mes 117 pjesëmarrësish, rrëmbyen medaljen e vendit të tretë.Këta djem të Dardhës, për tre muaj dhanë shfaqje duke fluturuar si shqiponja nëpër republika të Bashkimit Sovjetik.U njohën me kultura të popujve të tjerë, e gjetën veten të mikpritur mes njerëzve kudo që jepnin shfaqje.Por, këta artiste kaq të njohur tashmë dhe të dashur për bashkësinë e artistëve mbarëbotërorë në festival, e ndjenin përherë syrin vigjilent të një shoqëruesi, që u rrinte nga prapa si pullë poste.Monumentet, bashkë me kultin e Stalinit ishin rrëzuar në Bashkimin Sovjetik, por në Shqipëri ata monumente demoniake bënin hije kudo.Ndaj Syri Stalinist SS i shoqëruesit  nuk mbyllej asnjëherë.Në një nga mbrëmjet dhe festat e shumta,  që organizoheshin mes festivalistëve , Syri Vigjilent kapi një kërcim të Hazis Ndreut me një vajzë gjermanolindore.Pas vallëzimit, e thërret mënjanë dhe e kërcënon:

   -Të palos, të fus në valixhe dhe të nis me avion për Tiranë!

   Syri Vigjilent ishte njeri i harruar që në atë kohë; kurse rapsodi, instrumentisti, valltari, koreografi, poeti, studiuesi i folklorit dhe shkrimtari Hazis Ndreu, Nderi i Kombit Shqiptar, lartësoi jo më vetëm veten dhe Dardhën, por mbarë shqiptarinë me talentin e tij.

   Aty në Malin e Dardhës ishte një njeri, i cili orkestroi, formatoi dhe qëmtoi kulturën shekullore të zones me një zotësi të jashtëzakonshme.Ky ishte përgjegjësi i kultures, Mjeshtri i Madh Xhelal Çerpja.Siç do të shprehej kompozitori i talentuar i këngës popullore dibrane, Përparim Tomçini, Xhelal Çerpja ishte lokomotiva e ansamblit të Zall Dardhës.Në një trevë me kaq talente të shtresëzuara në shekuj, me një larmi të madhe motivesh dhe interpretimesh, Xhelali mundi të përzgjedhë thesare, që shpërthyen e ndriçuan befasisht njëra krijimtari më e mire se tjetra.Me trupin e tij të madh, me hijeshinë e kostumit tradicional popullor, Xhelal Çerpja jo vetëm udhëhiqte vallen e burrave, por ai printe gjithë jetën kulturore të ansamblit.

   Dhe ja, doli në skenë një vajzë e re, infermiere, me këngën:O mire se na erdhe!Quhej Saje Poleshi.Një zë shpërthyes me pastërtinë e ujit të bjeshkës, një këngë kushtrim, me ritëm, e gëzuar, mikpritëse, e afërt shpirtërisht.O mire se na erdhe!U fut në këngë një nga shprehjet më miqësore, kult i pritjes së mikut , një kod moral mirëjavjeçar:Shtëpia e shqiptarit, e mikut dhe e shtegtarit.

   Historia e Dibrës është histori njerëzore me gëzime e hidhërime, me këngë për dashurinë, por dhe vajtime siç ishte vajtimoret e famshme në Dardhës Xhevahire Cani, Neslie Cerpja.Por edhe histori qëndrese.Në oda rapsodi me çifteli në dorë u këndonte trimave në ngjarjet për mbrojtjen e atdheut.Kënga ishte gazetaria, biblioteka, arkivi historik e shoqëror, ishte vetë ieta në shekuj.Kënga ishte jo vetëm kujtesë historike, por edhe edukim dhe frymëzim për brezat e rinj.Dhe një këngë të tillë për madhështinë e qëndresës në mbrojtjen e atdheut “e rrëmbeu” Qerim Sula.Na knojnë pushkët nëpër kulla!Një këngë baladë për luftën heroike për mbrojtjen e Dibrës dhe gjithë Shqipërisë nga hordhitë serbe.Me një zë dhe interpretim burrëror, me kryelartësinë e fitimtarit, Qerim Sula pushtoi skenat.Një këngë që solli në art heronjtë e Dardhës dhe gjithë Dibrës si Elez Isufi Ndreu apo Suf Xhelil Ndreu, të personalizuar në një këngë tjetër më parë, të kënduar aq bukur nga mjeshtri Hazis Ndreu me titull:Elez Isufi-Harusha e Malit.

   Menjëherë pas kesaj kënge qëndrese, ansambli interpretonte këngë Potpuri Dasme apo Vajza vesh fustan jeshile.Përsëri Liri Rasha.Dhe pastaj valet e mrekullueshme, gjithmonë të reja, me interpretimet mbresëlënëse të Hajrie Çerpes, Lazam Sulës apo Hysen Ndreut dhe Hebib Kacës.Artistët dernjanë ishin meteor folklorikë.Hazis Ndreu skaliste qëndresën kundër perandorisë osmane me këngën e Hajredin Pashës apo vuajtjen e nizamëve të asaj perandorie me këngën Vijnë pamporrat përreth detit.Skënder Cala ngjitej në skenë me këngën tjetër baladë qëndrese, atë të Isuf Murres.Ansambli I ZallDardhës ishte institucion, ishte makineri folklorike e pandalshme.Me talente që, habitshëm, nuk vinin nga auditoret e shkollave artistike të vendit, por nga arat, tufat e deleve, kantieret e punës fizike.Një prej tyre, Sherif Dervishi.

   Sherifi, me zërin e tij të ëmbël e të butë, me timbrin e lindur për këngë lirike dasmash e gëzimi familjar, rrembeu vetëtimthi zemrën e dëgjuesve.Që i vogël, auditoret artistike Sherifi i kishte patur në dasma dhe odat e burrave.Shpirti i tij artistik ishte gatuar aty me motive të pashlyera.Mësoi çiftelinë dhe nën tingujt e saj të ëmbël, nisi të këndojë që fëmijë.Aty në odën e burrave, ku jepeshin leksione mençurie gjatë bisedave të shumta për ngjarjet dhe hallet që kishin fshatarët, Sherifi mezi priste të kapej nga artistët popullorë çiftelia, të këndohej dhe të hidhej valle.Dhe ndër interpretuesit kryesorë ishin njerëzit e tij, xhaxhallarët dhe babai.Por një natë, në kulmin e haresë, aty në odë I vdes xhaxhai… duke I rënë çiftelisë.Shuhet një talent i madh.Por nuk shuhet shpirti artistk I Sherif Dervishit për të ndjekur gjurmët artistike të xhaxhait.

   Pas rënies së sistemit komunist në vitin 1991, me shndërrimet e mëdha, me tranzicionin shkatërrues kur njerëzit vërshuan drejt lirisë pa ditur se ku ishin caqet e saj, me lëvizjen e lirë sipas asaj përrallës:Vrapo djali i nënës se mbete pa hise, edhe ansambli Kuvendi i Zall Dardhës, si të thuash,  ra në koma.Këngëtarë, valltarë, instrumentistë, secili vrapoi drejt perëndimit të vendit, kryesisht në Tiranë e Durrës, për të siguruar një cope tokë, për të gjetur një punë, për të ngrehur një kasolle për të futur kokën.Shumë fshatarë përdorën bunkerët dhe stallat e bagëtive si banesa të përkohshme për familjet.

Humbën lidhjet, u shpërbënë shtëpitë dhe vatrat e kultures bashkë me koperativat dhe fermat bujqësore.      Sidomos zonat malore si Zall Dardha, paten nje zbrazje të shpejtë nga banorët.Ajo vazhdon edhe sot.Ende në Zalldardhë mbahet i hapur gjimnazi, por aty vazhdojnë mësimin vetëm dyzetë nxënës, bashkë me nxënës, që vijnë nga Reçi.Në shkollat 9-vjeçare janë, për dy krahinat Reç e Dardhë, vetëm 80 nxënës, kur më pare ishin me mijëra.Ka fshatra që nuk kanë nxënës fare.Kur mësova këto të dhëna, mu kujtua një bisedë në fshatin Tartaj me mikun tim Avdi Kaca, i cili ishte një burrë i mençëm dhe një arkiv i gjallë me ngjarje për zonën.Kur e pyeta sa sa banorë ka patur Dardha në kohë të vjetra, Avdiu më tha:

   -E gjithë Dardha ka patur shtatë shtëpi…Kuptohet, ata ishin shtëpi të mëdha, por shtatë ishin.

   Por, kudo që të jenë dernjanët, ata ruajnë identitetin e tyre kulturor, nuk i lë AND-ja e tyre artistike.

   Dhe doli një prijës i ri artistik, si ata drejtuesit popullorë në betejat e mëdha për mbrojtjen e atdheut:Ky ishte Neshat Ndreu, një bir tjetër i Dardhës. I brumosur me shpirtin artistik të zones, valltar që në moshën 5-vjeçare me ansamblin. Që i ri, për arësye mbijetese ekonomike, i penguar për të shkuar në shkollën e lartë thjesht se gjyshi  i tij Mustafë Ndreu dikur jetoi me punë të ndershme dhe e mbajti sofrën shtruar për miq e udhëtarë , Neshati kishte marrë rrugën e kantiereve të punës jasht Dibrës. Në fillim në ndërtimin e hidrocentralit të Komanit, pastaj në kantierin e liqenit të Bovillës dhe hidrocentralit të Banjës.Ishte larguar nga Zall Dardha, por, sa here e thërriste Xhelal Çerpja për shfaqje të ansamblit, ai merrte pjesë, megjithë vështirësitë e kohës për transportin.

  Dhe nisi një epokë e re për ansamblin Kuvendi të Zall Dardhës: Me president Neshat Ndreun dhe udhëheqëse artistike ikonën e muzikës folklorike Liri Rasha, regjizor Skender Cala.Dernjanët tashmë ishin vendosur në një hapësirë të re.Vetëm në Kamëz ishin ngulur 1220 familje, pa përmendur mijëra familje në hapësira të tjera deri në Lushnje.Këtu filloi dhe puna duke qëmtuar talente të reja, krahas vlerave të mëparshme.Dhe u rikrijua ansambli Kuvendi.Të gjithë të ardhur aty pa asnjë kusht,  me një dashuri të madhe për vendlidjen e tyre ose të prindërve të tyre.Aq sa këngëtari Bledar Kaca, që nga Sukthi ku jeton, iu drejtua Dibrës dhe Zall Dardhës me dy nga këngët më të bukura të kënduara deri më sot për vendlindjen.Ndihet krenar që është dibran, duke bërë krenarë qindramijëra bashkëkrahinarë të tij në Shqipëri e nëpër botë për vendin e tyre.Jo vetëm për të mos e harruar, por për të dhënë për të.Bledar Kaca i bën I prek në shpirt të gjithë kur u drejtohet:

   Edhe gjyshi amanet, brez mas brezi ma ka lan:

   Dhe sikur të bahesh mbret, mos harro se je dibran!

   Të tilla talente i janë bashkuar ansamlit Kuvendi, i cili ka një trupë artistike me dyzetë pjesëmarrës.Me një thirrje për prova e shfaqje, trupa artistike Kuvendi mblidhet nga të katër anët.Artisti Metush Luca gjendet te skena që nga Saranda.Mes artistëve të rinj spikat edhe Melisa, vajza e Bledarit.Apo Fatjon Dervishi, një këngëtar tjetër në ngjitje, djali i Sherif Dervishit.Fatjoni vazhdon rrugën e madhe artistike të Dervishëve të famshëm.Një ndër shembujt se shpirti artistik i një populli asnjëherë nuk vdes, ai vibron si një vale magnetike nga brezi në brez.

   Edhe në vetë Zall Dardhën, me aq banorë të pakët sa ka, punohet pandërprerje për zbulimin dhe kultivimin e talenteve.Drilena Kadriu, një mësuese nga Peshkopia, që drejton gjimnazin e Zall Dardhës, në bashkëpunim edhe me artistë të Kuvendit, aktivizon pandërprerje shfaqje me nxënësit .Uji I burimit gjithmonë mbetet i pazëvendësueshëm.Meloditë, këngëtarët, vallet, instrumentistët atje janë Bio, më së pari.

   Ansambli Kuvendi i Zall Dardhës është si një lum malor, që nuk ndalet.Shfaqje të shumta, repertor të pasur gjithmonë në zhvillimme risi folklorike, dalje televizive të këndshme.Dhe, mes këtij grupi artistik madhështor,  e kanë gjetur sofrën shtruar edhe këngëtarë të famshëm nga Dibra e Madhe si Haxhi Maqellara, i cili ka ardhur nga SHBA, ku jeton, dhe është rreshtuar me artistët e Dardhës.Së fundmi, një këngëtare muhurrake Dije Mani, me zërin e saj të veçantë, me një timber karakteristik krahinor, hovshëm u shfaq e ftuar në koncerte të Kuvendit.Të ftuarit e shumtë ndjehen të vlerësuar për pjesëmarrjen në këtë trupë artistike amatore me një histori të madhe, sa bie menjëherë në sy performance e tyre cilësore dhe emocionale.Sepse, të këndosh mes talenteve nga ZallDardha, duhet të matesh mire, je në një prove si artistët e ftuar në Holywood.

    Ansambli Kuvendi ka kujtesën e vetë historike, të dokumentuar në një fototekë të gjerë e të plotë që kur doli fotografia, me mbi 460 foto nga më pikantet.Si dhe disqet me regjistrimet e shumta në radiot dhe televizionet në dhjetëra vite.Kjo është një punë tjetër e palodhur e presidetit Neshat Ndreu, punë e mundimshme, që ka kërkuar kohë, lodhje dhe përkushtim e shpenzime nga ana e tij me përfitimin e madh për të mos humbur gjurmët e Kuvendit, gjurmët folklorike të një krahine me vlera unike të artit popullor shqiptar.

   Çdo vit, më 1 gusht vjen shaqja e Kuvendit të Zall Dardhës:O mire se na erdhe!

Kjo shfaqje e mezipritur, e përvitshme,  jepet në një shesh buzë Drinit, në Zall Dardhë.Një shfaqje malli e gëzimi, që mbledh qindra dernjanë anë e kënd Shqipërisë, një manifestim gazplotë i këngës e valles popullore me krijimet më të mira të vjetra e të reja, me interpretime gjithnjë e më emocionale.

   Kënga e mrekullueshme O MIRË SE NA ERDHE lindi si thirrje ndaj banorëve të qytetit për të jetuar e punuar në fshat.Për ironi të fatit, tani kënga jehon si thirrje për vetë Zall Dardhasit për tu kthyer në vendlindjen e tyre pasi e kanë braktisur atë për një jetë më të mire ne viset bregdetare të vendit ose nëpër botë.Mesazhi I kësaj kënge të lindur e interpretuar për here të pare nga ansambli I Zall Dardhës, ka përmasa universal sot.E gjithë bota vuan braktisjen e fshatit, dëmtimin e mjedisit.Mu kujtuan me këtë rast edhe disa vargje të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, i cili shkruan:

   Larg, larg nga qyteti;

   Nga rrëmuja,… nga rrëmeti!

   Vetë presidenti i Ansamblit Artistik Kuvendi, Neshat Ndreu, megjithëse ishte larguar i vogël nga Zall Dardha, ka ndërtuar vitet e fundit një shtëpi të re në fshat.Koha do të thërrasë të tjerë e të tjerë në të gjitha fshatrat e Dardhës dhe të Dibrës  për tu kthyer e kthyer gjithmonë me zemrën në dorë te vendlindja, e cila, si një NANË e madhe nuk mban asnjëherë inat, por vetëm thërret:Ooo, mirë se na eeerdhe!

   Dhe bijtë do të gjëmojnë:Ooo, mire se të gjeeetëm!

                                                      Kamber FARUKU

   5 qershor 2026, Tiranë

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular