PROFIL/ Agim Çiraku është profili i notarit pasionant, po kështu edhe si drejtues i FSHN-së. Ja si ai “zbardh” të veçantat e historisë së tij gjatë rrugëtimit në këtë sport
Intervistoi: Agron KAJA

Unë notar u bëra me shumë dëshirë dhe pasion, dhe brënda vetes e ndjeja se duhet të merresha me sport. Ndërsa si President i FSHN-së erdhi rastësisht, sepse isha shkëputur nga noti profesionist. Por, jam takuar me personalitete të këtij sporti
Duke qënë një ish-notar i elitës dhe sot President i FSHN-së, e kishit menduar një rrugëtim të tillë sportiv?
Ju them të drejtën, unë notar u bëra me shumë dëshirë dhe pasion, dhe brënda vetes e ndjeja se duhet të merresha me sport. Ndërsa si President i FSHN-së, erdhi si rastësisht, sepse isha shkëputur nga noti profesionist. Por, jam takuar me personalitete të këtij sporti ndër vite.
Si një ish notar dhe president i notit shqiptar, është kjo bisedë një vlerësim i këtij rrugëtimi?
Natyrisht, sepse çdo person që merret me sport e ka një kulm, dhe për mua erdhi si President i Fderatës Shqiptare të Notit. Për këtë ndjej kënaqësi sportive dhe profesionale, sepse drejtoj një sport që e kam dashuruar gjithë jetën.
Në rininë tuaj ju jeni ushtruar vetëm në sportin e notit, si ju lindi dëshira për këtë sport?
Brezi im i bënte të gjitha llojet e sportit, dhe në këtë kuadër, unë kam luajtur mirë futboll. Por hyrja në sportin e notit erdhi më shumë si një nxitje nga shokët e lagjes kur laheshim në Liqen. Besnik Cara ishte nisiatori që unë ushtrova sportin e Notit.
Duke qënë vetëm notar, si ndjeheshit në ambientet tuaja shoqërore dhe mes notarëve të tjerë?
Në shoqërinë e fëminisë dhe të rinisë sime, ishin të gjithë djemtë sportistë. Ndërsa në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, ishin sportistë profesionistë. Kështu që edhe unë ndjehesha mirë, në shoqërinë shkollore dhe në atë sportive.
Në kujtesën tuaj, në cilën moshë dhe si ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, sot si i kujtoni rrethanat?
Kam qënë 13 vjeç kur nisa të ushtrohesha në sportin e notit, dhe jam larguar në moshën 23 vjeç. Në fillimet, kur shkoja në shtëpi vëllezërit nuk më lejonin të lahesha në liqen. Një rrugëtim interesant, një dekadë me kujtime të bukura.
Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?
Nga viti 1973 e deri në vitin 1979, kam ushtruar sportin e Notit në Klubin Sportiv “17 Nëntori”, ndërsa nga viti 1979 e deri në vitin 1983 kam garuar në Klubin “Dinamo”. Për mua, të dyja ishin skuadra të mëdha me kampionë e rekordmenë.
Garën e parë në karrierë si e kujtoni, stilin e garimit, distancën dhe vëndin e garimit?
E kam nisur karrierën në garat e shkurtra, por trajneri Esat Muzina më këshilloi se nuk isha për këto gara. Më kaloi në 400 m, 800 m dhe 1500 m, në stilin e lirë. Unë mendova të largohesha, por pasioni më frenoi e më dha këtë rrugëtim të bukur.
Po trajneri juaj i parë cili ka qënë, mbeti ai një shembull për rrugëtimin tuaj në sportin e notit?
Nga viti 1973 e deri në vitin 1979, kam ushtruar sportin e Notit në Klubin Sportiv “17 Nëntori” me trajner Esat Muzina. Nga viti 1979 e deri në vitin 1983, në Klubin “Dinamo” me Emin Gripshin. Mbeten personalitete të respektuar në kujtesën time.
Keni garuar në garat e mesme dhe të gjata, ndjeheshit më i fortë, apo i qëndruat zgjedhjes së trajnerëve?
Në atë periudhë, ishin trajnerët që vendosnin se cilat gara do zhvillonim, dhe në cilat stile. Natyrisht që, kjo ndodhte pasi na kishin testuar në stërvitje dhe gara. Ndjehesha i fortë, sepse vetë këto gara e kishin element kryesor forcën.
Keni garuar në pishinë, në det të hapur apo në maratonë, ku e keni patur më të lehtë?
Normale që në det ndjehesha më mirë gjatë garimit, sepse deti të jep lehtësi gjatë notimit. Ndryshe ndodh kur garon në liqen apo edhe në pishinë. Por edhe garat që unë zhvilloja, kishin më shumë hapësirë në det se në pishinë e liqen.
Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?
Një dekadë karrierë si notar, 1973-1983, dhe largimi ka ardhur për shkak të studimeve në universitet, sepse ju përkushtova shumë studimit. Më sipër, kur më pyetët për karrierën si notar dhe trajnerët, ju tregova për 17 Nëntorin e Dinamon.
Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notar i elitës?
E kujtoj mirë atë garë, e cila është zhvilluar në pishinën e Durrësit në kampionat. Madje garova në të treja distancat e zakonshme, në 400 m, 800 m dhe 1500 m. E dija që do ishte e fundit dhe kam garuar me emocion dhe me shumë passion.
Cilët janë notarët e notaret që ju keni garuar gjatë karrierës te Dinamo e 17 nëntori, si i kujtoni ata?
Kolegë ishin shumë, rivalë më pak. Tek Tirana idhull kisha Ilir Gjebrenë, ndërsa te Dinamo vëllezërit Mema. Madje Mondin e shikoja si një notar i shkëlqyer, me vlera edhe si shok. Këtu nuk harroj edhe Hysni Bregun si koleg e shok i mirë.
Në kohën kur ju keni garuar si notar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?
Infrastruktura në kohën që unë kam garuar në sportin e notit, nuk ishte e keqe, por jo e shkëlqyer. Atëhere mënyra e organizimit të veprimtarive të notit ishte shumë e veçantë, e cila mbulonte edhe defektet që kishte infrastruktura.
Çfarë dallonte ndryshe nga koha sot në organizimin e drejtimin e sportit të notit?
Në atë periudhë kur unë ushtrova sportin e notit, politikat sportive të shtetit shqiptar i kishin dhënë prioritet sportit të notit. Të mos harrojmë se atëhere kishte edhe klasa sportive të profilizuara për notin, si dhe ekipe zinxhir funksionalë.
Pas largimit si notar, e vazhduat pasionin në sportin e notit në forma të tjera?
Unë sportin e notit e vazhdoj edhe sot në këtë moshë (67 vjeç), pasi dal 2-3 herë në javë. Natyrisht që nuk bëj garë, por asnjëherë nuk jam shkëputur, dhe besoj se kjo ritmikë do zgjatë me jetën time.
Jeni në mandatin e katërt si President i FSHN-së, nga notar-president, sa ju ka ndihmuar karriera në këtë post?
Natyrisht që më ka ndihmuar kjo lidhje, sepse duke qënë një notar i elitës dhe më pas president i federatës, je më i azhornuar dhe drejtimi lehtësohet. Si president ka më shumë angazhime, por më lehtëson njohja e shumë personaliteteve të këtij sporti.
Si President i FSHN-së, ku jeni përqëndruar më shumë: Në infrastrukturë – apo në organizim e drejtim?
Është e natyrshme që në organizim e drejtim, sepse punët e infrastrukturës janë në nomenklatura më të larta. Për infrastrukturën kemi bërë lobing në Qeveri dhe kemi marrë premtimin nga kryeministri për një pishinë olimpike. E presim me shpresë.
Duket si e veçantë, por është realitet trajningu që ju bëni me trajnerët e specialistët e notit, pse këshu?
Sepse është e nevojshme për të rritur anën e tyre profesionale, duke menduar se efektet pozitive do të sjellin progres. Kemi trajnuar edhe jashtë vëndit tonë, me përkrahje nga FINA dhe nga LEN. Deri tani kemi përmirësim të dukshëm.
Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju si ish-notar dhe si President i FSHN-së?
E kam vlerësuar dhe e kam respektuar këtë shoqatë, e cila ka afruar elitën e notin shqiptar, natyrisht ata që janë ende në jetë. Ka një gërshetim brezash të notarëve që historinë e sjell si të “gjallë”. Sadik Mema është i falenderuar për këtë organizim.
Ju keni marrë pjesë dhe e keni ndihmuar këtë Shoqatë, e konsideroni vlerësim për historinë e notit shqiptar?
E përmënda më sipër vlerësimin tim për Shoqatën e veteranëve të Notit në Shqipëri, dhe besoj se do të qëndroj gjithmonë pranë saj. E mendoj edhe si një “institucion” të historisë së notit shqiptar, dhe kjo shoqatë këtë e ka bërë mirë.
Jeni botues i gazetës “Telegraf”, sa prioritet i keni dhënë sportit në tërësi, dhe notit në veçanti?
Gazeta “Telegraf” ka patur hapësirë në faqet e saj të sportit, dhe kjo është vlerë e drejtuesve. Gjatë kohës që jam president i notit shqiptar, të gjitha sporteve i kam vlerësuar, me më shumë prioritet notin. Edhe në Televizionin “TelegrafNeës” që kam në pronësi, do ketë më shumë hapësirë jeta sportive, dhe noti në veçanti.
Sportin e notit unë e vazhdoj edhe sot në këtë moshë (67 vjeç), pasi dal 2-3 herë në javë. Natyrisht që nuk bëj garë, por asnjëherë nuk jam shkëputur, dhe besoj se kjo ritmikë do zgjatë me jetën time. Është pasion, dhe pasioni nuk frenohet lehtë

10 VITE NOTAR
Nga viti 1973 e deri në vitin 1983, kjo ishte periudha e karrirës së Agim Çirakut si notar i 17 Nëntorit dhe i Dinamos
12 VITE PRESIDENT
Nga viti 2013 e deri më sot, kjo është periudha që Agim Çiraku e drejton si President Federatën Shqiptare të Notit.
Mirënjohja e “çimenton” njohjen si personalitet
Në të gjitha Profilet për personalitetet e notit shqiptar, që kanë shkruar histori në këtë sport, disa rreshta mirënjohje më kanë dhënë atë pjesë të respektit personal për cilindo prej tyre. Por këto radhë për Agim Çirakun si ish-notar, dhe sot President i Federatës Shqiptare të Notit, sikur më sjellin më shumë emocion. Sepse për arsye të njohjes nëpërmjet punës, biografinë sportive të tij e kam mësuar vetëm atëhere, por nuk e kam shkruar në asnjë rast. Dhe pse? Sepse Gimi më është treguar shumë xhentil, një person që nuk kërkon dukje të madhe sportive dhe mediatike. Si botues i gazetës “Telegraf” ai ka notën maksimale të vlerësimit, por që kështu e njoha edhe si President i FSHN-së. Që do të thotë se, një personalitet, kulturën, respektin dhe mirësjelljen i ka karakteristika të edukatës e qytetarisë së tij. Kur them se: mirënjohja e “çimenton” njohjen edhe si personalitet, këtu përmblidhet gjithçka në ekstraktin e këtyre rradhëve, të cilat për mua ishin detyrim për t’i thënë.

PROFILI ME KATËR YJE I AGIM ÇIRAKUT
Një notar i kryeqytetit
Karrierën si notar, Agim Çiraku e ka nisur në vitin 1973 me 17 Nëntorin, deri në vitin 1979. Në periudhën 1979-1983 ka garuar në përbërje të Dinamos, ndërsa nga viti 1983 e deri më sot, ai ushtrohet individualisht e periodikisht në sportin e notit.
Qytetar tiranas model
Nëse troket në “portën” e Agim Çirakut, ajo gjithmonë ka qënë e hapur, për cilindo qytetar, shok dhe mik që te Gimi ka gjetur mirësinë e respektin, por edhe ndihmën financiare. Koha dhe njerëzit që e njohin, flasim për një qytetar model.

Si Biznesmen
Në tre dekada, Agim Çiraku është biznesmen në Shqipëri, kryesisht në ndërtim. Por ka ushtruar disa lloje biznesesh në tre dekada, kryesisht ato që kanë lidhje me inxhinierinë. Si Inxhinier Mekanik në profesion, drejton ndërrmarje metalike.
Si President i FSHN-së
Në postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, është zgjedhur në katër mandate: Mandatin e parë, në periudhën 2013-2015; në mandatin e dytë 2015-2019; në madatin e tretë 2019-2023; në mandatin e katërt 2023 e në vazhdim.
VLERËSIME NGA KOLEGË E TRAJNERË
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Gimi e dashuron notin më shumë se pasion

Në këtë rrugëtim me Profilet sportive të notarëve shqiptarë, që kanë shkruar historinë e këtij sporti, Mjeshtri i Madh Sadik Mema e ka sjellë historinë me të gjitha ngjyrat e saj. Edhe për Agim Çirakun, vlerësimi i tij mbetet i veçantë. “Në këto Profile, jam munduar të sjell emocione, momente dhe të veçanta që figurën e tyre sportive ta sjellim më pranë njohjes. Edhe sot për zotin Çiraku janë këto ndjesi, por mes tyre, vlerësimi dhe respekti shikojnë jo vetëm si një notar pasionant, por edhe si një djalë korrekt, i cili sportin e kishte pasion që në moshë të vogël. Se, që të notoje te Liqeni i Tiranës në atë periudhë nuk ishte shumë normale, ndërkohë që pasioni i tij vazhdon, dhe kjo tregon se ai këtë sport e dashuron me shumë pasion. Por, Agim Çiraku edhe si një president në këto vite që drejton FSHN-së, ka sjellë shumë ndryshime në organizimin e drejtim të saj. Sidomos në pjesëmarrjen e notarëve tanë në të gjithë veprimtaritë ndërkombëtare, si në Olimpiada, Kampionate Botërore, Europiane e Rinore. Këto janë stimul i fuqishëm për notarët tanë elitarë, dhe nxitje për rezultate të larta”.
EMIN LISHI, MJESHTËR I MADH
Noti ka nevojë për Agim Çirakun si President

Për Mjeshtrin e Madh Emin Lishi, Agim Çiraku i ka dhënë shpirtin notit shqiptar. Në vlerësimin e tij, ai shprehet se noti shqiptar ka nevojë për Agim Çirakun si President, por nuk harron ta kujtojë atë edhe si një notar i pëlqyeshëm, që garoi në një brez mbi mesataren nga ana sportive. “Kur Gimi ka qënë i ri, ishte notar pasionant. Ka qënë me Dinamon dhe notonte me notarë të mëdhenj të kohës, por me ta garonte me rivalitet. E kam njohur vite më parë kur ai garonte me 17 Nëntorin dhe Dinamon, si një notar i pëlqyeshëm. Ai i takon atij brezi që e vlerësoj mbi mesataren nga ana sportive, por Gimi ka merita shumë të mëdha në drejtimin e FSHN-së, ku deri tani i ka dhënë shpirtin notit shqiptar. Ka dhënë një mbështetje të madhe, kryesisht edhe te sportistët cilësorë, dhe gjatë drejtimit të tij noti shqiptar ka rritje cilësore të dukshme. Dhe i jam shumë mirënjohës, sepse më ka mbështetur si kryegjyqtar të garave në notin shqiptar. Noti ka nevojë për Agim Çirakun si President”, ky është vlerësimi i Mjeshtrit të Madh Emin Lishi, për Agim Çirakun notar dhe President i FSHN-së.

CV Sportive – AGIM ÇIRAKU

Datëlindja: 31 maj 1958
Vendlindja: Tiranë
Arsimimi: Në vitin 1992 ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Dega Inxhinieri Mekanike; në vitin 2006 ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik.
Sporti që ka ushtruar: Not
Garat e preferuara: 400 m, 800 m dhe 1500 m
Stili në garat e preferuara: Stili i Lirë
Aktiviteti si sportist: Nga viti 1973 e deri në vitin 1979, ka ushtruar sportin e Notit në Klubin Sportiv “17 Nëntori” me trajner Esat Muzina. Nga viti 1979 e deri në vitin 1983, e ka ushtruar këtë sport me Klubin “Dinamo” me Emin Gripshin
Gara e parë në karrierë: Në vitin 1971 me 17 Nëntorin, në Durrës.
Largimi si sportist: Në vitin 1983 është larguar si sportist në mënyrë të organizuar me klube, por sot e vazhdon në mënyrë individuale.
Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1983 me Dinamon, në Durrës.
Aktiviteti në biznes: Ortak i Shoqërisë “Albit-Diabra “SH.P.K”, botues i gazetës “Telegraf”
Aktualisht në sport: President i Federatës Shqiptare të Notit në katër mandate.
Gjuhët e huaja: Zotëron gjuhën Angleze.
Statusi: I martuar me dy fëmijë.
Hobi: Sporti i notit
Marre nga gazeta Telegraf
