Një bandë grabitësish shqiptarë është çmontuar nga policia italiane në zonën e Forlit, teksa “viktima” e fundit e tyre përfundoi i rrahur barbarisht dhe iu mor me dhuna ora e markës “Rolex”.
Tre persona kanë përfunduar në pranga si të dyshuar, teksa i dëmtuari rrëfeu se si iu pre rruga dhe u dhunua barbarisht me grushte e shkelma.
Sipas prokurorit, dy persona sulmuan personin në rrugë dhe një i tretë bënte roje në cep. Tre shqiptarët e arrestuar janë të moshave 22, 26 dhe 47 vjeç. Dy të parët, të cilët nuk kanë shtëpi në Itali, janë në burg. I treti, një banor i zonës së Forlì-së, është nën arrest shtëpiak.
Incidenti ndodhi në shtator, por së fundmi u bë identifikimi dhe arrestimi i tyre nga policia. I dëmtuari dëshmoi se po festonte në një klub nate në Meldola dhe u largua i vetëm drejt makinës së tij, por aty iu ngrit prita.
Ai tha se para se autorët të iknin, i morën edhe orën e shtrenjtë. Fillimisht u mendua për një grindje banale apo hakmarrje, por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për grabitje, informon media italiane.
Pas hetimeve u zbulua se bëhej fjalë për një grup që kishte shënjestër sendet me vlerë apo orat e markave të shtrenjta, duke i vjedhur me dhunë në rrugë.
Kështu që zyra e prokurorit i kërkoi gjyqtarit të arrestojë të tre pas identifikimit dhe tashmë është marrë masa e arrestit me burg ndaj tyre.