HomeOP EDSistemi shëndetësor - Jeta e qytetarit si mall tregu dhe krizë morale/nga...

Sistemi shëndetësor – Jeta e qytetarit si mall tregu dhe krizë morale/nga Pal Nikolli

Advertismentspot_img

nga Prof.Dr. Pal Nikolli
Sistemi shëndetësor është testimi më i drejtpërdrejtë i marrëdhënies midis individit dhe shtetit. Filozofikisht, ai përfaqëson shprehjen më të pastër të kujdesit të shoqërisë ndaj jetës njerëzore. Në një shtet që funksionon me etikë dhe drejtësi, spitali nuk është vetëm vend trajtimi, por hapësirë publike ku qytetari ndjen sigurimin e jetës së tij dhe mbështetjen institucionale. Kur ky sistem dështon, ai shndërrohet në treg: jeta e qytetarit bëhet mall, që mund të blihet apo shitet sipas forcës së xhepit. Në Shqipëri, fenomeni i ryshfetit në spitale, mungesa e pajisjeve bazë dhe profesionalizmit të mjekëve nuk është thjesht problem teknik; është simptomë e një krize morale që prek thelbin e shoqërisë. Hannah Arendt e quan këtë “banalitet i së keqes”: jo sepse njerëzit veprojnë me keqdashje të ndërgjegjshme, por sepse sistemi ka normalizuar padrejtësinë dhe indiferentizmin ndaj jetës së qytetarit. Kur jeta bëhet mall, qytetari humb besimin në shtet dhe humb sigurinë e ekzistencës së tij. Filozofikisht, ky fenomen lidhet me teorinë e biopolitikës së Michel Foucault-it: kur shteti kontrollon jetën dhe shëndetin, ai mund ta shndërrojë qenin e gjallë në objekt të administratës. Në kontekstin shqiptar, qytetari ndjen se ekzistenca e tij nuk ka vlerë përveçse si numër dhe si burim të fitimeve për individët që menaxhojnë sistemin. Ky perceptim gjeneron pasiguri të vazhdueshme dhe frikë ekzistenciale: të jetosh në Shqipëri shpesh do të thotë të jetosh me stres të pandërprerë, duke kuptuar se mbijetesa fizike nuk është më e garantuar. Kjo situatë ka ndikim të drejtpërdrejtë në migracion. Qytetari shqiptar nuk largohet vetëm nga perspektiva ekonomike; ai largohet nga rreziku i mungesës së kujdesit të shtetit ndaj jetës së tij, nga përvoja e përditshme e një padrejtësie sistemike që e bën jetën të pasigurt dhe shpirtin të brishtë. Në terma filozofikë, emigrimi është akt vetëmbrojtjeje morale, një “exit” nga një sistem që e ka trajtuar qytetarin jo si subjekt të të drejtave, por si objekt të shfrytëzimit. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kuptohet se problemi nuk është mungesa e mjekëve të talentuar ose e spitaleve të pajisura. Problemi është strukturor dhe etik: sistemi është i kapur nga korrupsioni, klientelizmi dhe indiferenca ndaj jetës njerëzore. Kjo shpjegon pse qytetarët e largohen masivisht: emigrimi nuk është ikje nga vendi, por ikje nga shteti që ka humbur detyrën themelore të mbrojtjes së jetës.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular