Një rrjet kriminal që organizonte udhëtime të paligjshme të emigrantëve nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara është zbuluar nga SPAK, si dhe ka dërguar për gjykim pesë persona, mes tyre edhe punonjës policie.
Sipas SPAK, drejtuesi i këtij grupit të trafikut të paligjshëm të emigrantëve ishte Luc Melaj, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij ndihmuan të paktën 25 shqiptarë të kalonin kufijtë në mënyrë të paligjshme, duke i pajisur me dokumente të falsifikuara dhe duke u organizuar udhëtimin deri në SHBA, përmes Meksikës. Pagesat për një udhëtim të tillë varionin nga 40 mijë deri në 45 mijë dollarë për person.
Hetimet zbuluan një skemë të mirëorganizuar, që nisi nga mesi i vitit 2022 dhe vijoi deri në korrik 2024. Sipas dosjes, udhëtimi fillonte nga Shqipëria, ndalohej në Spanjë, ku udhëtarëve u jepeshin dokumente të falsifikuara, kryesisht pasaporta franceze, dhe më pas ata dërgoheshin në Meksikë, ku priteshin dhe strehoheshin para se të kalonin në SHBA përmes rrugëve tokësore.
Kërkuesit ishin kryesisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, me lidhje kryesisht familjare me personat që jetojnë në SHBA.
Në këtë aktivitet, veç Luc Melajt, përfshihet edhe Emanuel Melaj, i cili, sipas SPAK, kishte rol logjistik duke siguruar biletat, adresa akomodimi dhe transferim fondesh. Një tjetër bashkëpunëtor ishte edhe Gëzim Camaj, i cili akuzohet se ka ndihmuar në kalimet e paligjshme dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj zyrtarëve publikë.
Pjesë e skemës ishin edhe dy efektivë policie, Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Ata dyshohet se kanë ndihmuar në mosregjistrimin e kalimeve të paligjshme në pikën kufitare të Hanit të Hotit, duke mbyllur sytë për shtetas që kishin probleme me qëndrimin në zonën Schengen ose që ishin në proces azili në SHBA, Britani apo Kanada.
SPAK njofton se hetimet vijojnë për persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rrjet trafiku njerëzor, i cili kishte shtrirje brenda dhe jashtë vendit.
SPAK dërgon për gjykim
- Luc Melaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm” dhe “Mbajtje pa leje e municioneve luftarake”.
- Gëzim Camaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
- Emanuel Melaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndihmë për Kalim të paligjshëm të kufijve”
- Tonin Melaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale, “Shpërdorim i detyrës”
- Bashkim Çokaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”