Një tjetër rast i rëndë i dhunës ndaj grave ka tronditur opinionin publik në Milano të Italisë, ku këtë të mërkurë (22 tetor), një burrë 62-vjeçar vrau ish-bashkëshorten e tij në mënyrë brutale.
Autori, Luigi Morcaldi, goditi për vdekje me thikë ish-bashkëshorten e tij dhe bashkëmoshatare, Luciana Ronchi, poshtë banesës së saj. Viktima u transportua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Policia gjeti mjetin e krimit, thikën të hedhur në një kosh plehrash në një park pranë banesës së viktimës. Morcaldi u lokalizua dhe u arrestua nga autoritetet përmes gjurmimit të telefonit të tij celular, të cilin e kishte përdorur për vetëm disa sekonda pas ngjarjes.
Çifti ishte ndarë tre vite më parë, ndërsa Ronchi, e cila punonte në një kantinë të një kompanie private, kishte nisur së fundmi një lidhje të re. Ish-bashkëshorti e kishte zënë pritë poshtë banesës me motoçikletë. Pa hequr as helmetën, e sulmoi egërsisht, duke e goditur disa herë me thikë në qafë, gjoks dhe bark.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta në opinionin italian dhe rikthen në qendër të vëmendjes fenomenin alarmant të femicideve në vend.