Aktivitetet kulturore të kësaj jave, kulmojnë me koncertin e datës 24 tetor, “Better Together”, për 80-vjetorin e Kombeve të Bashkuara, por edhe java në vijim do të ketë shumëllojshmëri eventesh artistiko-kulturore.
Prej datës 28 e deri më 31 tetor kryeqyteti do të gjallërohet nga aktivitetet e Javës Kulturore Austriake: me ditë të mbushura me muzikë, letërsi e ide evropiane që do të sjellin në Tiranë shpirtin modern të Austrisë.
Koncerti i Ansamblit Simfonik “Johann Strauss” të Vjenës, do të sjellë valsin vjenez dhe kryeveprat e dinastisë Strauss, në një orkestrim autentik historik.
Prezantimi i librit “Kioske – Arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar” do të shoqërohet me diskutime me autorët Saimir Kristo, Mamica Burda, Dhimitër Doka dhe redaktorin Robert Pichler mbi arkitekturën dhe jetën urbane pas viteve ’90.
Një tjetër takim letrar do të jete ai me shkrimtaren Theresia Töglhofer në rezidencën “POETEKA – Tirana In Between” ku ajo do të ndajë përvojat dhe krijimtarinë e saj të re.
Gjithashtu do të ngrihet një panel diskutimi me temë “30 vjet dhe në vazhdim” me reflektime mbi përvojën dhe sfidat e ardhshme të Austrisë, Suedisë e Finlandës si vende që kanë 30 vjet në BE.
Një koncert unik do të jetë ai i kuintetit Clara Montocchio, ku Strauss-i do të takohet me ritmet e jazz-it, pop-it dhe chanson-it.
Ndërsa koncerti “Turning Point” nga No Borders Orchestra vjen me një ansambël ndërkombëtar ku bashkohen muzikantë nga vendet e ish-Jugosllavisë. /ATA







