Zhvillime të reja priten në hetimet për vrasjen e pronarit grek të një kampingu dhe mikut të tij shqiptar në Finikunda, për të cilën janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim dy 22-vjeçarë.
Sipas mediave greke, në duart e hetuesve që po trajton rastin ka mbërritur analiza e komunikimeve telefonike nga nata fatale e ngjarjes.
Autoritetet pritet të kenë tashmë një pamje të qartë mbi numrat e telefonave, si dhe për thirrjet që u kryen.
Sipas burimeve hetimore, para dhe pas vrasjeve, antenat e telefonisë celulare që mbulojnë zonën përreth kampingut ku ndodhi ngjarja janë aktivizuar disa herë.
Në dëshmitë dhe rrëfimet e dy të rinjve të arrestuar janë konstatuar mospërputhje të dukshme, duke lënë të hapur mundësinë që në ngjarje të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë.
Burime policore thanë për mediat se hetimet janë tepër sekrete. Një korrespondencë e klasifikuar është dërguar nga një shërbim qendror në Athinë drejt Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Kalamatës, për të përshpejtuar procedurat.







