Për dy ditë radhazi në Kamëz është zhvilluar Festivali i Poezisë “Dritë mbi Vargun” – Edicioni 1 me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të qytetit. Ky festival letrar u mbajt në datat 23-24 tetor, nën mbështetjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë Kamëz Rakip Suli dhe punës së palodhur të stafit të Qendrës së Artit dhe Kulturës së Bashkisë Kamëz ne bashkepunim me sektorin e bibliotekës me drejtoreshë Rigelsa Gupe dhe moderimin e Anila Kolgjinit. Për përzgjedhjen e krijimeve është marrë Gilma Bajramaj dhe Eduart Bardhi. Pas disa ditëve punë intensive vlen për t’u vlerësuar puna e mësuesve, por dhe regjisorëve mentorë për interpretimet e nxënësve ndarë sipas shkollave e konkretisht; Denis Fiku, Klaudio Gega, Greta Baci, Kevin Rrapaj. Si në krijim ashtu dhe në interpretim janë selektuar dhe sjell poezitë më të mira para të pranishmëve në sallën e mbushur plot të shkollës “Angela Merkel”.
Në ditën e parë të festivalit u sollën poezitë e krijuara të cilat ishin objekt i vlerësimit të jurisë së përbërë nga aktorja dhe regjisorja, Rozi Kostani, profesorja e Fakultetit Histori Filologji Anila Mullai dhe poeti i nderuar me një krijmtari të gjerë Petrit Nika.
Juria pasi i ndoqi më vëmendje interpretimin e krijimeve të 48 nxënësve, vendosi të bëj publike në sallë 10 më të mirat për të përcaktuar vetëm 3 fitues dhe konkretisht; fituese e çmimit të parë është poezia “Brenda shpirtit tim” e nxënëses Era Kadriu nga shkolla “Gramoz Palushi”, vendin e dytë e mori poezia “Mami Rozë” e nxënëses Elena Çeku nga shkolla “Elez Isuf Ndreu” dhe të tretin “Nuk jemi brez pa shpresë” të nxënëses Bora Lami nga shkolla “Sulejman Elezi”.
Të pranishëm në ndarjen e çmimeve ishin dhe drejtoresha e Zyrës Arsimore Vendore Kamëz Albana Sulçe si dhe nënkryetarja e Bashkisë Kamëz Eralda Çerpia.
Në fjalën e saj znj.Çerpia pas akordimit të çmimit të parë përgëzoi nxënësit për performancat e tyre mbresëlënëse, falënderoi mësuesit dhe mentorët për punën e bërë me këta talente të shkollave të Kamzës. Nënkryetarja Eralda Çerpia deklaroi se Bashkia Kamëz dhe kryetari i Bashkisë Rakip Suli e ka patur dhe ka prioritet absolut mbështetjen ndaj arsimit dhe kjo tashmë është e dukshme në investimet e kryera në infrastrukturën arsimore siç është dhe shkolla “Angela Merkel” ku po organizohet ky aktivitet. Rezultatet e shkëlqyera të nxënësve, talentet që nxjerrin shkollat e Kamzës janë mënyra më e mirë për të justifikuar investimet e kryera. Edhe drejtoresha Albana Sulçe e cila shpërndau dy çmimet e tjera vlerësoi punën e mësuesve dhe mentorëve dhe falenderoi Bashkinë Kamëz e cila ka qenë gjithnjë e gatshme për të mbështetur arsimin duke mos u kursyer në asgjë.
Në ditën e dytë të Festivalit rreth 70 nxënës interpretuan poezi nga autorë të ndryshëm ku vëmendja e jurisë kësaj here ishte te interpretimi. Çmimet për interpretim u shpërndanë më konkretisht; Fidaie Shehu shkolla “Sulejman Elezi”, çmim të parë, Arnest Sallaku nga shkolla “Elez Isuf Ndreu” çmim të dytë, si dhe Xhuljana Afmataj nga shkolla Profesionale.
Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli i cili që në ditët e para të marrjes së detyrës në mandatin e parë ka patur prioritet jo vetëm institucional, por dhe personal mbështetjen ndaj arsimit dhe sot rezultatet janë të qarta ku janë ndërtuar plot 44 objekte arsimore mes tyre 20 shkolla të reja si dhe janë mbështetur me bursa qindra nxënës pa lënë mënjanë as talentet dhe ata fëmijë familjet e të cilëve nuk kanë patur mundësi ekonomike.
Në mbyllje të këtij festivali z.Suli do të shkruamte në rrjetin social Facebook: -“ U mbyll me sukses Festivali i Poezisë “Dritë mbi Vargun” – Edicioni 1. Dy ditë plot emocione, frymëzim dhe art nga të rinjtë e Kamzës, që sollën vargje me shpirt e pasion. Faleminderit të gjithëve që e bënë këtë nismë një traditë të re kulturore për qytetin tonë”.












