nga Prof.Dr.Pal Nikolli
Në çdo shoqëri demokratike ekziston një kufi i padukshëm midis qëllimit për të shërbyer dhe dëshirës për të sunduar. Ky kufi, që në thelb është etik, moral dhe politik, ruhet vetëm përmes kufizimit të mandateve. Sepse pushteti, sado i drejtë të jetë në fillim, në mungesë të kufizimit, rrëshqet ngadalë drejt abuzimit, drejt arrogancës dhe më pas drejt kalbëzimit. Demokracia, nëse nuk e frenon kohën e sundimit, e humbet kuptimin e saj dhe kthehet në një ritual boshe, ku vota është thjeshtë përsëritje e një loje tashmë të manipuluar.
Kufizimi i mandateve nuk është thjeshtë një masë ligjore; është një akt higjene politike dhe morale. Ai parandalon stanjacionin, krijon frymëmarrje, dhe i jep mundësi shoqërisë të rigjenerohet. Aty ku pushteti zgjatet pa kufi, nuk lind më as ideja e ndryshimit, as guximi për t’u përballur me të keqen. Përkundrazi, pushteti fillon të ushqehet me vetveten, duke prodhuar një realitet të deformuar, ku gjithçka varet nga vullneti i një njeriu apo i një rrethi të ngushtë që e ka zëvendësuar shtetin me familjen, institucionin me fisin, dhe meritën me përkatësinë.
Kalbëzimi i pushtetit nuk ndodh papritur. Ai fillon në mënyrë të padukshme, me një justifikim të vogël, me një emërim “për besim”, me një favor “të merituar”, derisa korridoret e institucioneve mbushen me fytyra që nuk kanë ardhur aty për të shërbyer, por për t’u shpërblyer. Meritokracia, që është oksigjeni i çdo sistemi funksional, mbytet në këtë atmosferë të ngjeshur prej nepotizmit dhe interesit. Dhe kur ajri i meritës mungon, vendi sëmuret. Jo vetëm administrata, por e gjithë shoqëria humbet ndjesinë e drejtësisë, të përparimit dhe të shpresës.
Një pushtet i gjatë është si një trup që nuk di më të rigjenerohet. Ai prodhon kancerin e vetvetes: servilizmin, frikën, nënshtrimin dhe korrupsionin moral. Shfaqjet e jashtme të këtij kalbëzimi janë gjithmonë të ngjashme – entuziazëm i stisur, propagandë bajate, gjeste groteske që kërkojnë të fshehin boshllëkun e brendshëm. Mandatet e pafundme nuk prodhojnë më as ide, as vizion; prodhojnë vetëm një imazh që kërkon me çdo kusht të mbijetojë mbi rrënojat e vetvetes.
Në një shoqëri postkomuniste, ku koncepti i meritës është ende në përkthim, ky kalbëzim bëhet edhe më i rrezikshëm. Sepse njerëzit që përjetësojnë pushtetin mësojnë të mos kenë turp. Ata nuk punësojnë më për kompetencë, por për lidhje; nuk shpërblejnë për përkushtim, por për servilizëm; nuk qeverisin për qytetarët, por për vetveten. Kështu, institucionet publike humbasin kuptimin e tyre dhe kthehen në hapësira private, ku rekrutimet bëhen sipas “shijeve” të pushtetarëve – fisnore, erotike, apo partiake.
Por çdo sistem që humbet ndarjen midis publikes dhe privates është i destinuar të shembet. Sepse shteti, në thelb, është një kontratë morale midis qytetarit dhe përfaqësuesit të tij. Kur kjo kontratë prishet, kur qytetari nuk e ndjen më veten të përfaqësuar, por të përdorur, demokracia shndërrohet në farsë. Dhe farsat, në histori, kanë qenë gjithmonë preludi i krizës.
Prandaj kufizimi i mandateve është më shumë se një nen në kushtetutë: është kujtesa e moralit politik. Është mënyra që shoqëria t’i kujtojë pushtetit se është kalimtar, jo pronar. Sepse pushteti që zgjatet humbet kontaktin me realitetin, humbet ndjesinë e përulësisë ndaj ligjit dhe ndaj popullit. Dhe në atë çast, kur nuk ndien më as përgjegjësi e as frikë, ai pushon së qeni pushtet demokratik dhe bëhet pushtet biologjik – që mbijeton vetëm për t’u riprodhuar.
Kufizimi i mandateve, në fund të fundit, është mënyra më e mirë për të shpëtuar vetë pushtetin nga degradimi dhe për ta rikthyer shoqërinë te fryma e lirisë dhe përgjegjësisë. Sepse një pushtet që nuk ndalet kurrë, nuk qeveris më: ai thjesht rrënon ngadalë gjithçka rreth vetes – institucionet, besimin, dhe vetë idenë e demokracisë.
Në mungesë të kufijve, çdo pushtet bëhet i rrezikshëm. Dhe aty ku nuk ka më rrotacion, nuk ka as liri. Ka vetëm një trup që kalbet, ngadalë, në duart e veta.







