Fjala e Bujar Leskajt në seancën mbi “Raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024- 27 Tetor 2025 (ora 23.50), në Kuvend.
Reforma në drejtësi synonte që Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), i cili duhej të ishte një prej mekanizmave kyç për përgjegjshmërinë dhe etikën e gjyqtarëve e prokurorëve, çka parashikohej edhe në nenet 147 pika d, dh, e, ë e Kushtetutës, të realizohej plotësisht. Mirëpo, edhe gjatë vitit 2024, puna e këtij institucioni është shoqëruar me vonesa, mosfunksionalitet të plotë dhe mungesë ndikimi real në forcimin e integritetit të sistemit gjyqësor, në veçanti të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Nëse do të bënim një analizë të këtij institucioni sipas “3E-ve” ,eficiencës, ekonomicitetit dhe efektivitetit, atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të “mbetej në klasë”.
Po jap disa shifra të thjeshta: në faqen 13 të raportit konfirmohet se gjysma e ankesave mbarten nga viti në vit, rreth 1480 ankesa të mbartura për vitin 2025. Ankesat e mbartura nga viti 2023 në 2024 ishin 1363. Ankesat e depozituara gjatë vitit 2024 janë 1491. Pra, në total kemi 2854 ankesa, nga të cilat institucioni shqyrton 1374 pra, “lëviz në vend”. Në numrin total të ankesave, gjysma nuk shqyrtohen.
Kalojmë tek ankesat e shqyrtuara: 993 janë ankesa të arkivuara pas shqyrtimit fillestar, pra jashtë juridiksionit të institucionit; 327 janë ankesa të arkivuara pas shqyrtimit, ku nuk janë gjetur shkelje; dhe vetëm 54 janë përfunduar me hetim disiplinor, nga të cilat 23 kanë përfunduar me vendim. Pra, nga 1374 ankesa në total, rezulton që vetëm 2% përfundojnë me shkelje ose, nëse marrim parasysh vetëm ankesat e trajtuara në thelb, përqindja arrin në rreth 5%.
Kjo shifër tregon eficiencë dhe efektivitet shumë të ulët të këtij institucioni.
I. Zvarritje skandaloze të hetimeve disiplinore
Një nga problemet më të dukshme ka qenë zvarritja e hetimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. ILD ka treguar mungesë të theksuar transparence në trajtimin e ankesave dhe vonesa të pajustifikuara në përfundimin e procedurave. Kjo ka sjellë perceptimin publik se institucioni po humbet funksionin e tij kryesor: atë të garantimit të përgjegjshmërisë dhe integritetit në sistemin e drejtësisë.
Një pjesë e konsiderueshme e ankesave të ardhura pranë ILD-së në vitin 2024 kanë mbetur në fazë verifikimi paraprak për periudha të gjata kohore, shpesh pa afate të qarta për përfundimin e procedurës. Në shumë raste, hetimet disiplinore kanë zgjatur më shumë se një vit, edhe pse ligji parashikon afate të përcaktuara për shqyrtimin e rasteve.
Këto vonesa të rënda kanë prodhuar dy pasoja kryesore:
Dobësimin e mekanizmit të përgjegjshmërisë. Kur një hetim disiplinor zgjatet pafundësisht, efekti ndëshkues dhe parandalues i tij zhduket. Kjo dëmton seriozisht integritetin e sistemit gjyqësor, pasi krijon përshtypjen se gjyqtarët dhe prokurorët nuk mbajnë përgjegjësi reale për veprimet e tyre.
Rënien e ndjeshme të besimit publik tek sistemi i drejtësisë. Vonesat e gjata dhe mungesa e transparencës e bëjnë qytetarin të ndiejë se kontrolli i brendshëm i drejtësisë nuk funksionon.
Thënë ndryshe, kemi një “sorosifikim” të drejtësisë, që dëmton të gjithë imazhin e reformës në drejtësi, e cila u ndërtua gjoja me premtimin për “drejtësi të përgjegjshme dhe të ndershme”.
II. Perceptimi i ndikimit të jashtëm dhe mungesa e pavarësisë së plotë
Edhe pse ILD është formalisht institucion i pavarur, në praktikë janë ngritur dyshime mbi ndikime politike apo grup-interesash, veçanërisht në përzgjedhjen e rasteve që hetohen dhe në mënyrën se si publikohen rezultatet.
Një nga problemet më të dukshme gjatë vitit 2024 ka qenë mungesa e transparencës në mënyrën se si Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka trajtuar ankesat dhe hetimet disiplinore. Problem madhor ka qenë edhe mungesa e stafit të kualifikuar: nga 101 punonjës të miratuar, institucioni ka vetëm 84 punonjës pra, 16% më pak.
Raportet publike kanë qenë të përgjithshme, pa detaje mbi arsyet pse disa dosje trajtohen me prioritet dhe të tjera mbeten pezull për muaj të tërë. Kjo mungesë qartësie ka ushqyer bindjen se vendimmarrjet nuk janë gjithmonë të bazuara në prova, por shpesh ndoshta në shumicën e rasteve në ndikime të jashtme, kryesisht politike.
Në media dhe në opinionin publik janë përmendur raste kur hetime të ndjeshme ndaj zyrtarëve të lartë të drejtësisë janë pezulluar ose zvarritur, ndërsa ankesat ndaj gjyqtarëve të zakonshëm janë ndjekur me ritme të shpejta. Ky disproporcion ka dëmtuar imazhin e ILD-së si një organ neutral.
Edhe pse ILD është formalisht një institucion i pavarur kushtetues, sidomos gjatë vitit 2024 janë shtuar dyshimet se vendimmarrjet e tij mund të jenë ndikuar nga faktorë politikë ose grupe interesi brenda vetë sistemit gjyqësor. Këto ndikime nuk shfaqen gjithmonë në formë të drejtpërdrejtë, por shpesh përmes:
presioneve të brendshme mbi stafin hetimor, filtrimit të informacionit që publikohet, ose përzgjedhjes strategjike të rasteve që shërbejnë për “balancë” politike.
Kjo sjellje ka krijuar mungesë besueshmërie dhe ka forcuar perceptimin se ILD nuk është imun ndaj ndikimeve politike, ashtu siç parashikohej në konceptimin fillestar të reformës në drejtësi.
III. ILD pa staf të kualifikuar, me mungesë transparence dhe komunikimi me publikun
Një tjetër problem madhor gjatë vitit 2024 ka qenë mungesa e stafit të kualifikuar dhe kapaciteteve të pamjaftueshme teknike për hetime të plota dhe të shpejta. ILD ka funksionuar shpesh me staf të reduktuar, pa ekspertë të mjaftueshëm të hetimit disiplinor dhe pa mbështetje teknologjike të përshtatshme për menaxhimin e informacionit.
Kjo situatë ka penguar ndërtimin e një mekanizmi efektiv të kontrollit të brendshëm të sistemit të drejtësisë dhe ka kufizuar ndikimin e ILD-së në parandalimin e shkeljeve.
Gjatë vitit 2024, raportimet publike të ILD-së kanë qenë të kufizuara në përmbajtje dhe tepër të përgjithshme, duke mos ofruar të dhëna konkrete mbi numrin e ankesave të trajtuara, vendimet e marra, masat disiplinore të propozuara apo ndikimin e hetimeve në përmirësimin e etikës gjyqësore.
Kjo mungesë transparence ka ndikuar në uljen e mëtejshme të besimit të publikut dhe ka krijuar perceptimin se institucioni funksionon më shumë në mënyrë formale sesa reale.
Një sfidë e vazhdueshme e humbur gjatë vitit 2024 ka qenë koordinimi i dobët ndërinstitucional, sidomos me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Në shumë raste, ILD ka dërguar rekomandime për masa disiplinore që janë rrëzuar ose zvarritur nga këto institucione, duke krijuar ngërç institucional dhe mosfunksionim të zinxhirit të përgjegjshmërisë në drejtësi.
IV. Mungesë vizioni strategjik për përmirësimin e sistemit të drejtësisë
Në vend që të ishte një institucion proaktiv, që propozon ndryshime ligjore apo administrative për forcimin e integritetit në drejtësi, ILD edhe gjatë vitit 2024 është perceptuar si një institucion reaktiv, që vepron vetëm pas ankesave individuale.
Mungesa e një strategjie afatgjatë për parandalimin e shkeljeve dhe edukimin etik të gjyqtarëve e prokurorëve e ka bërë punën e institucionit më shumë procedurale sesa reformuese.
Në vend që të shndërrohej në një instrument efikas për forcimin e integritetit në sistemin gjyqësor, ILD tregoi mungesë të një plani afatgjatë zhvillimi dhe reformimi të brendshëm. Institucioni nuk paraqiti një strategji të qartë institucionale që të përcaktonte prioritetet kryesore për hetimet disiplinore, mënyrat për parandalimin e shkeljeve dhe instrumentet për forcimin e etikës në gjyqësor e prokurori.
Në mungesë të një dokumenti të tillë, puna e ILD-së u kufizua në menaxhimin rutinë të ankesave, pa ndikim të matshëm në përmirësimin e sistemit. ILD nuk ka ndërmarrë asnjëherë, madje as gjatë vitit 2024, fushata ndërgjegjësimi për rritjen e nivelit etik dhe të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Institucioni veproi kryesisht si një organ reagues, që ndërhyn vetëm pas paraqitjes së ankesave nga publiku apo institucionet e tjera. Mungesa e iniciativave proaktive për të identifikuar problematika të përsëritura në sistem, për të bërë analiza të thelluara mbi shkeljet etike apo për të propozuar ndryshime ligjore, e bëri institucionin të mbyllur në vetvete dhe të paqëndrueshëm në ndikim publik.
Në thelb, ILD nuk funksionoi si “motor i përgjegjshmërisë”, por si një zyrë administrative që menaxhon raste të izoluara, pa një qasje sistemike.
Në tërësi, viti 2024 tregoi se Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbeti një hallkë tejet problematike dhe dështake në zbatimin real të reformës në drejtësi.
Pavarësisht rëndësisë së tij ligjore, ILD nuk arriti të funksionojë si një garant i vërtetë i përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor, për shkak të ndikimeve politike, vonesave, mungesës së transparencës, koordinimit të dobët dhe kapaciteteve të pamjaftueshme.







