Historia e dytë në “Për Shqiptarët” është ajo e Luisit, një fëmijë që vetëm buzëqeshte, por vetëm pak pasi ai festoi ditëlindjen e tij të parë shfaqi disa simptoma dhe familjarët zbuluan që ai vuante nga kanceri.
Luisi erdhi në jetë në 23 dhjetor 2021, djali i parë i Kristinës dhe Ervinit. Ai ishte një fëmijë që vetëm buzëqeshte. Por sapo festoi ditëlindjen e tij të parë, shfaqi disa simptoma. Luisi çohej në këmbë, bënte dy hapa dhe rrëzohej.
Pas shumë vizitash, mjekët i than se Luisi kishte tumor. Ai iu nënshtrua dy operacioneve e pastaj nisi kimioterapinë.
Luisi qëndronte shumicën e kohës në gjumë nga qetësuesit e në ato pak momente që zgjohej, qante me dënesë nga dhimbjet e mëdha. Të dëshpëruar, prindërit flinin stolave të spitalit e vetëm luteshin, deri sa fondacioni Firdeus hapi dyert për t’i ndihmuar dhe Luisi u nis me avion spitalor drejt Italisë.
Kristina e kishte shpirtin e ndarë më dysh, zemra i digjej për Alteon e vogël 7 muajsh,fëmijën e saj të dytë dhe lumturohej që kishte shpresë për Luisin. Për 13 muaj Kristina nuk është larguar nga koka e krevatit të Luisit, dhe për 13 muaj gjyshe Marjeta, e cila ishte edhe sot në studio po mban Alteon, e përpiqet t’i plotësojë sadopak mungesën e të ëmës.
Por lajmi i mirë erdhi edhe për gjyshe Marjetën dhe Luisin e vogël i cili rikthehet i shëruar në studio pas një kohe të gjatë që kurohej në Itali.







