Rama synon “fitore 5-0”, opozita bashkë krah kandidatëve të pavarur. Pesë bashki në vend janë në pritje të një kryetari të ri! Qytetarët e Matit, Tepelenës, Beratit, Cërrikut dhe Vlorës do t’u drejtohen këtë të dielë, 9 nëntor 2025, kutive të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë materialet e nevojshme zgjedhore, që nga fletët e votimit e deri te proces-verbalet. Edhe Policia e Shtetit është mobilizuar, me masa që do i vërë në praktikë që të shtunën, në ditën e heshtjes zgjedhore…
612 punonjës dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e 473 qendrave të votimit dhe 9 objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore. Siç është njoftuar, strukturat e posaçme hetimore të Policisë do të monitorojnë çdo tentativë për tjetërsimin e votës.
Në këto zgjedhje, me pak bujë, nuk do të ketë votim elektronik, por identifikimi i votuesve do të realizohet me anë të pajisjeve elektronike (PEI). Janë publikuar edhe fletët e votimit me renditjen e kandidatëve.

Po kush janë kandidatët në këtë garë elektorale?
334 mijë e 539 zgjedhës në pesë qytete do të duhet të votëbesojnë mes emrave si më poshtë, për një mandat që do e mbajnë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, në vitin 2027. Opozita e unifikuar do të mbështesë kandidatët rivalë ndaj socialistëve në këtë garë!
Mat (Pas dorëheqjes së Agron Malajt)

PS: Altin Bojni – ekonomist, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak
PD: Eduart Brahilika
E pavarur: Suzana Pasha – ish-drejtuese e forumit të grave socialiste
Cërrik (Pas largimit të Andis Sallës, sot ministër i Bujqësisë)

PS: Florenc Doka
PD: Amarildo Hoxha – mjek në profesion
Eligert Hima – kandidat i “Shqipëria Bëhet”
Berat (Pas dorëheqjes së Ervin Demos, tashmë ministër për Pushtetin Vendor)

PS: Ervin Ceca – kryetar i komanduar i bashkisë, krahu i djathtë i Ervin Demos
Opozita e bashkuar mbështet kandidatin Pavllo Shkarpa
|Nuk mund të lëmë pa e thënë se hera e fundit që në Berat ka pasur një kryebashkiak demokrat ka qenë viti 1996.|
Tepelenë (Bashki që u drejtua nga Tërmet Peçi për katër mandate)

PS: Gramos Sako – ish-Komandant i Gardës së Republikës
PD mbështet arkitektin 26-vjeçar Grabriel Guma
Vlorë (Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës)

PS: Bruna Mersini – ish-deputete, më herët drejtuese e Spitalit Rajonal të qytetit
Opozita e bashkuar mbështet kandidatin Dionis Sota
Tjetër kandidat: Gjergji Nika që u fut në listë pas një vendimi të Kolegjit Zgjedhor
Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600.
Pritet të shohim sa do jetë pjesëmarrja, teksa socialistët kanë parashikuar një fitore të thellë 5-0.
Jo më larg se mëngjesin e kësaj të premteje, 7 nëntor, kryesocialisti Edi Rama bëri bashkë në podcastin e tij, pesë garuesit e PS-së për secilën bashki. Kandidatët, ashtu si kreu i qeverisë, u shprehën mjaft optimistë për rezultatin, pavarësisht se fushata ka qenë tejet e zbehtë.
Madje, Rama nuk ngurroi t’i jepte porositë Mersinit, sapo kjo e fundit në parashikimet e tij, të marrë timonin e bashkisë Vlorë.
“Drejtorët i dua që në 7 e gjysmë të mëngjesit në punë, rresht, njëri pas tjetrit. Në 100 ditët e para prit pemën e nepotizmit në atë qytet”, i tha Rama socialistes, duke theksuar “se për të tjerat nuk ia ka merakun”.
Nuk munguan as ironitë e batutat lidhur me kandidaturat e pavarura, një fenomen që këtë herë ka qenë tepër i theksuar.
“PD-ja në hall, ndjesë pastë, kujt t’ja plasë hallin në derë”, tha Rama, referuar mbështetjes që Partia Demokratike ka shprehur publikisht ndaj kandidatëve pa sigël politike
Që kur u caktua kjo datë për mbajtjen e zgjedhjeve, të gjitha diskutimet janë vërtitur rreth Tiranës, bashkia më e rëndësishme në vend. Rama i shtroi rrugën ish-ministres Ogerta Manastirliu, si personi i duhur për t’i dhënë drejtim punëve në Tiranë, të cilat janë “paralizuar” që prej arrestimit të Veliaj
Emri më me shumë zhurmë përballë Manastirliut ishte kandidati i pavarur (mbështetur nga PD-ja), aktori i humorit Florjan Binaj.
Mirëpo, Gjykata Kushtetuese i ktheu zhvillimet në stadin fillestar, duke pezulluar dekretin presidencial mbi zgjedhjet në kryeqytet, e po ashtu duke i dhënë të drejtë Erion Veliajt. Ky i fundit, edhe pse në qelinë e paraburgimit, mbetet në letër kryebashkiaku i Tiranës. Detyrë, të cilën “do e ushtrojë me çfarë ka në dorë”, ka thënë ai.
Rama e sqaroi edhe sot që arsyeja e vërtetë pse Këshilli i Ministrave doli me një vendim për shkarkimin e Veliajt, ishte se “Tiranës po i bëhet një dëm prej muajsh, si një trup pa kokë”.
Sa i takon kryeqytetit pritet të shohim çfarë do të ndodhë, pasi tabloja nuk është aspak e qartë.
Ndërsa për bashkitë e tjera, sido të jetë rezultati, duhet nënvizuar se kryetarët e rinj do të qeverisin me këshillat bashkiakë të dalë nga zgjedhjet lokale të 2023-it.







