Nga Kastriot Dervishi
Gjatë ditëve kur zhvilloheshin bisedime për formimin e partisë, Dushani e Miladini sugjeruan demonstratën e 28 tetorit 1941. Ata propozuan që të fillohej puna nga “sabotimet, diversionet dhe likuidimi i policëve e spiunëve”, etj. Terrori u pa si mjet i lidhur me thelbin e ekzistencës së Partisë Komuniste.
Në gjysmën e dytë të tetorit 1941, dy jugosllavët zhvilluan takime intensive me komunistët e Shqipërisë, me tri grupet e njohura dhe partinë e Andrea Zisit. Kjo u fundit u la jashtë procesit sepse thoshte se ishin parti e të tjerët duhej të vinin te ata. Mbledhja e grupeve u vendos që të bëhej më 8 nëntor 1941. I zoti i shtëpisë (marrë me qira) ku do bëhej mbledhja, Xhemal Haxhicani, nëpunës, takonte grupit të Shkodrës (djalin ia dënuan komunistët pas lufte dhe i vdiq në burgun e Burrelit).
Mbledhja e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, u zhvillua më 8 – 14 nëntor 1941
Rezolutën që ishte platforma politike dhe thirrjen drejtuar popullit i shkroi Miladin Popoviçi.
Ishte rënë dakord që pjesëmarrës në mbledhje do të ishin nga 6 anëtarë të grupeve. Por, dy grupe nuk u paraqitën të plotë ditën e parë. Kësisoj, i vetmi grup me anëtarësi të plotë ishte ai i Korçës. Pra 15 veta themeluan PKSH-në.
Përbërja (referuar shënimeve nga procesverbali i mbledhjes) e delegatëve ishte kjo:
Grupi Komunist i Korçës:
1-Koço Tashko
2-Enver Hoxha
3-Pilo Peristeri
4-Koçi Xoxe
5-Sotir Vullkani
6-Sotir Lubonja
Grupi Komunist i të Rinjve:
1-Ramadan Çitaku
2-Anastas Lula
3-Sadik Premte
4-Elami Nimani
5-Perlat Rexhepi
6-(Sadik Stavileci, ishte i sëmurë e nuk mori pjesë)
Grupi Komunist i Shkodrës:
1-Qemal Stafa
2-Vasil Shanto
3-Kristo Themelko
4-Tuk Jakova
5-(Sadik Bekteshi, nuk ka qenë ditën e parë)
6-(Fadil Hoxha, nuk ka qenë ditën e parë)
Nga 15 veta, 9 patën probleme, u cilësuan armiq: Koço Tashko, Koçi Xoxe, Anastas Lula, Sadik Premte dhe Tuk Jakova. U dënuan me vdekje Koçi Xoxe dhe Anastas Lula. Patën dënime në parti: Sotir Vullkani, Ramadan Çitaku, Kristo Themelko. Nuk u vlerësua Elami Nimani. Pra në shumicë, themeluesit nuk dolën burra të mirë.
Mbledhja nuk zgjodhi kryetar partie, por një komitet të përkohshëm me 7 veta, ku Enver Hoxha pati në dorë financat. Partia u shtri fillimisht në 8 nga 10 qarqe gjithsej. Miladini organizoi partinë, ndërsa Dushani anën ushtarake të saj.
(Ilustrimi është një montazh mbi pikturën e njohur të kohës së socializmit)









