Në 4 qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë ka nisur programi për Rijetëzimin e Kullave dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e turizmit, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në fjalën e tij tha se “qëllimi i këtij programi është të dokumentojë, restaurojë dhe të vërë në funksion kullat tradicionale si pjesë aktive e zhvillimit kulturor dhe ekonomik të zonave ku ato ndodhen”.
“Kullat përbëjnë një pasuri të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Shumë prej tyre ndodhen në gjendje të dëmtuar, ndaj programi synon t’i rikthejë ato në funksion përmes ndërhyrjeve të planifikuara dhe të qëndrueshme. Prandaj kemi këtu edhe specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Instituti i Regjistrimit të Objekteve të Monumenteve dhe specialistëve të tjerë të fushës”, tha Gonxhja.
Programi është i ndarë në dy faza kryesore: faza e parë, që do të zhvillohet gjatë viteve 2025–2026, përfshin qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës.
“Në këtë fazë do të kryhet inventarizimi, dokumentimi, vlerësimi i potencialit dhe përzgjedhja e kullave që do të përfshihen në projektet pilote”, theksoi Gonxhja.
Faza e dytë, vijoi Gonxhja, për periudhën 2026–2027 do të fokusohet në zbatimin konkret të ndërhyrjeve restauruese dhe në funksionimin e kullave me koncepte të reja si: bujtina, qendra interpretimi, muze lokalë apo hapësira për artizanat dhe aktivitete kulturore.
Gonxhja tha se gjatë viteve të fundit, të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të interesit për trashëgiminë kulturore të lidhura me turizmin e qëndrueshëm.
“Rijetëzimi i Kullave” bëhet pjesë e një strategjie më të gjerë që synon krijimin e itinerareve kulturore dhe turizmit malor, që do të lidhin zonat e veriut përmes historisë, artit dhe natyrës së paprekur, duke ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm përvoje turistike që zgjat gjatë gjithë vitit.
Faza e parë e programit do të zhvillohet në periudhën 2025-2026) dhe do të fokusohet në identifikimin e kullave në 4 qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës. Kjo fazë përfshin hartimin e projekteve tip për secilin qark dhe zhvillimin e programit të plotë për rijetëzimin e kullave që synon të përfshijë më tepër aktorë të tjerë publikë, apo donatorë të tjerë.
Faza e dytë do të zhvillohet në periudhën 2026-2028 dhe përfshin restaurimin e kullave, rijetëzimin e tyre, lidhje me operatorë turistikë, përfshirje në itinerare dhe zhvillimin e produkteve të tjera turistike rreth kullave, etj.







