Kombëtarja shqiptare do të ketë mbështetje të madhe në Andorra, për duelin e kualifikueseve të Botërorit.
Federata Shqiptare e Futbollit, ka njoftuar se të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë në stadiumin ku do të luhet ndeshja Andorra-Shqipëri janë shitur.
“Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë në stadiumin ku do të luhet ndeshja Andorra – Shqipëri janë shitur dhe stadiumi është sold-out.
Kjo ndeshje është e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Kombëtarja shqiptare renditet aktualisht në vendin e dytë me 11 pikë. Takimi do të zhvillohet më 13 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “FAF” të Andorrës”, thuhet në njoftim.
Stadiumi i ri i Andorrës ka kapacitet 5,600 vende dhe nuk duket e vështirë që për një ndeshje ndërkombëtare të ketë pjesëmarrje masive nga ana e tifozëve.
Por, interesant është fakti që për herë të parë në vitet e fundit Andorra i shet të gjitha biletat, në një kohë që për duelin e një muaji më parë kundër Serbisë tribunat ishin bosh dhe prezentë ishin më pak se 1 mijë tifozë.







