Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit shënuan pjesëmarrjen më të ulët historike të regjistruar ndonjëherë në ndonjë proces zgjedhor të mbajtur në Shqipëri.
Në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik e Mat votuan vetëm 18.72% e qytetarëve me të drejtë vote.
Ky është rekordi më negativ përsa i përket përfshirjes së qytetarëve në procesin më të rëndësishëm vendimmarrës për pushtetin vendor, atë të zgjedhjes së kryetarit të Bashkisë.
Dy vjet më parë, në zgjedhjet vendore të vitit 2023, pjesëmarrja ishte 38.23%. Por këtë të diel, afro gjysma e elektoratit që doli në votimet e shkuara, qëndroi në shtëpi. Një pjesëmarrje kaq e ulët nuk u regjistrua as në vitin 2019, kur Partia Socialiste votoi e vetme pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i bojkotuan zgjedhjet. Pjesëmarrja zyrtare ishte 22.96%.
Pasojat e bojkotit të paprecedentë të kësaj të diele duket se qëndrojnë te injorimi i procesit nga partitë politike. Zgjedhjet u zhvilluan në një boshllëk të plotë politik, pasi asnjë nga partitë e mëdha nuk u angazhua në fushatë dhe asnjë nga udhëheqësit e tyre nuk doli asnjë ditë në terren.
Nuk pati takime elektorale, hapje apo mbyllje të fushatës, asnjë spot dhe asnjë debat publik në media. Opozita nuk pati as kandidatë të vetët, por mbështeti disa kandidatë të pavarur, duke mos arritur ta angazhojë drejtpërdrejt elektoratin e saj.
Në këtë mënyrë, partitë politike nuk bënë asgjë për të motivuar qytetarët, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë morale procesit, pasi një kryetar bashkie që zgjidhet me më pak se 20% të votave nuk përfaqëson më shumicën e qytetarëve të bashkisë që do të drejtojë.
Zgjedhjet e sotme treguan se sa më shumë partitë politike do të heqin dorë nga proceset zgjedhore, aq më pak qytetarë do ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre nëpër institucione, duke i shndërruar votimet në një procedurë juridikisht të ligjshme, por moralisht të dështuar.
Procesi i votimit ka përfunduar në orën 18:00 të kësaj të diele, 9 nëntor, pas zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme lokale në pesë bashki: Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë.
Kështu deklaroi në një konferencë për mediat, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi u shpreh se kanë marrë pjesë në këtë proces votimi 18.5% e zgjedhësve.
“Nga të dhënat që kemi marrë nëpërmjet pajisjeve elektrike të identifikimit, akoma nuk janë konsoliduar, por me një diferencë të vogël kjo besoj do jetë pjesëmarrja finale në të pesta bashkitë, 18.4%.”, tha Celibashi.
Ndërkohë, ai shtoi se përgatitjet për dorëzimin e materialeve zgjedhore janë në zhvillim, dhe kutitë e votimit po transportohen drejt qendrave të numërimit.
I pyetur nga gazetarët se kur pritet të nisë procesi i numërimit, Celibashi u përgjigj: “Besoj se rreth orës 22:00 do të fillojë procesi i numërimit dhe besoj para mesditës së të hënës, të përfundojë procesi i numërimit për pesë bashki.”
Celibashi tha se procesi i identifikimit është realizuar në 100% të qendrave të votimit përmes pajisjeve elektronike.
Numërimi i votave do të pasqyrohet në kohë reale në faqen zyrtare të KQZ-së, ndërsa pamjet filmike nga qendrat e numërimit do të transmetohen live në kanalin YouTube të institucionit, të aksesueshme për çdo qytetar të interesuar.
Për Bashkinë e Tepelenës, krahas numërimit manual nga komisionerët, Celibashki theksoi se do të përdoret edhe Inteligjenca Artificiale për vlerësimin e fletëve të votimit. Rezultatet e përftuara përmes kësaj teknologjie do të publikohen gjithashtu live në faqen e KQZ-së.
Pjesëmarrja e votuesve sipas bashkive
Vlorë: 12.5%
Berat: 19.8%
Cërrik: 24.8
Mat: 39.2%
Tepelenë: 34.6%
Pjesëmarrja në votime sipas grupmoshave në disa bashki
Bashkia Vlorë
Pjesëmarrja më e ulët: grupmosha 18–24 vjeç, me vetëm 7.9%
Pjesëmarrja më e lartë: mbi 65 vjeç, me 18.63%
Bashkia Berat
Pjesëmarrja më e ulët: grupmosha 18–24 vjeç, 11.8%
Pjesëmarrja më e lartë: mbi 65 vjeç, 29.2%
Bashkia Cërrik
Pjesëmarrja më e ulët: grupmosha 25–34 vjeç, 16.44%
Pjesëmarrja më e lartë: mbi 65 vjeç (pa përqindje të saktë të raportuar)
Bashkia Mat
Pjesëmarrja më e ulët: grupmosha 25–34 vjeç
Pjesëmarrja më e lartë: mbi 65 vjeç
Bashkia Tepelenë
Pjesëmarrja më e ulët: grupmosha 25–34 vjeç
Pjesëmarrja më e lartë: mbi 65 vjeç







