Pamjet filmike të atentatit të rëndë të ndodhur dje pranë Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, njohur si mik i afërt i Emiljano Shullazit, dhe u plagos rëndë shoku i tij, Muçi Shaljani (agjent i AMP-së), kanë zbuluar detaje tronditëse mbi gjakftohtësinë dhe profesionalizmin e ekzekutorëve.
Autorët, të cilët dyshohet se kishin pritur objektivin e tyre për disa minuta në rrethrrotullimin e Rinasit, vepruan në mënyrë të sinkronizuar sapo pikasën automjetin tip “Benz” luksoz të viktimave.
Mjeti i atentatorëve, një “Toyota” me targa të vjedhura, ndaloi, dhe prej tij zbriti një prej autorëve, i maskuar.
Ky i fundit filloi menjëherë të qëllonte me breshëri të pandërprerë në drejtim të makinës së Danit.
Në momentin kritik, teksa makina e viktimave ndaloi në mes të rrugës, arma automatike e atentatorit duket se u bllokua. Me gjakftohtësi, ai e hodhi kallashnikovin në tokë dhe nxori një pistoletë, duke iu afruar derës së pasagjerit ku ndodhej Gilmando Dani.
Atentatori qëlloi nga afër në drejtim të Danit, para se të largohej me shpejtësi drejt mjetit “Toyota”, ku dëgjohen edhe të shtëna të tjera.
Pas ekzekutimit, grupi kriminal u largua me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ku gjetën një mënyrë për të fshehur provat. Mjeti “Toyota” u gjet më vonë i djegur. Brenda mjetit të djegur u gjetën dhe u sekuestruan katër armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale.
Ekzekutimi sekondë pas sekonde
Pamjet nga vendi i ngjarjes konfirmojnë se autorët, të cilët udhëtonin me një mjet tip “Toyota”, ishin duke pritur në rrethrrotullimin e Rinasit.
Gjuajtja fillestare
Sapo pikasën makinën e bardhë luksoze (Benz) të Danit, atentatorët dolën nga mjeti i tyre dhe nisën breshërinë e parë të plumbave.
Manovra e viktimës
Si pasojë e breshërisë, Benzi u detyrua të ndalonte në mes të rrugës, duke hyrë në korsinë e kundërt në një përpjekje të dëshpëruar për t’iu shpëtuar plumbave.
Veprimi gjakftohtë
Dallohet qartë momenti kur mjeti “Toyota” ndalon. Një prej autorëve, i maskuar, zbret dhe vazhdon të qëllojë.
Detaji kyç
Në një moment, arma e autorit është bllokuar. Ai nuk u tërhoq, por e hodhi armën në tokë, nxori pistoletën dhe iu afrua mjetit. Ai qëlloi pikërisht në anën e pasagjerit, aty ku ishte ulur Gilmando Dani.







