Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali priti në një takim homologun gjerman Johan Wadephul. Spiropali deklaroi gjatë konferencës së përbashkët, se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të integrimit europian, pasi sot në Bruksel u hap edhe grupkapitulli i fundit i negociatave.
Ajo theksoi se vendi synon të mbyllë negociatat deri në vitin 2027 dhe të jetë gati për anëtarësim brenda dekadës.
Spiropali vlerësoi mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë, të cilën e quajti “partner strategjik” dhe motor të procesit të zgjerimit. Ajo theksoi progresin e reformave, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa u shpreh se Shqipëria mbetet e përkushtuar të adresojë të gjitha rekomandimet e BE-së.
Ministrja nënvizoi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon dhe vendosi theksin te mbështetja e plotë për Kosovën, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave kufizuese ndaj saj dhe duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Spiropali theksoi se marrëdhëniet me Gjermaninë janë më të forta se kurrë dhe se vizita e Wadephul përbën një shtysë të re për thellimin e partneritetit dypalësh.
Fjala e plotë e Ministres së Jashtme, Elisa Spiropali:
I nderuar Ministër,
Të nderuar të pranishëm,
Vizita e parë zyrtare në Shqipëri e kolegut tim të nderuar, mikut të Shqipërisë, Ministrit Wadephul, më sjell në mendje dy momente nga ato që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesen tonë kolektive.
Rreth 41 vite më parë, në gusht 1984, Tiranën e vizitoi ish – kryeministri bavarez Franz Josef Strauss, shtetari i parë perëndimor që i shtriu dorën e ndihmës Shqipërisë, prej dekadash e kyçur në izolimin e imponuar dhunshëm nga regjimi komunist.
Në tetor 1987, mbrriti në Tiranë ish zëvendëskancelari dhe ministri i jashtëm gjerman, Hans – Ditrich Genscher, me dëshirën për t’i dhënë dinamikë marrëdhënieve të bashkëpunimit mes të dy vendeve duke ofruar plane konkrete ndihme.
Të dy personalitetet e larta gjermane sollën me vete dritën e një mundësie të re, që fatkeqësisht u fik shumë shpejt, për arsye të pakuptueshme sot, por që reflektonin kufizimet e pamundësitë e kohës. Vetëm pas pak vitesh, rënia e murit të Berlinit do të rrëzonte edhe gardhin e izolimit shqiptar.
Megjithatë, ky shans i humbur nuk ishte ndarja jonë përfundimtare. Shqipëria dhe Gjermania arritën të rigjenin njëra- tjetrën, këtë herë nën dritën e lirisë njerëzore, që rezonon po aq fort sa edhe ëndrra europiane e shqiptarëve.
Në këtë konktekst, vizita juaj Ministër, mbart një tjetër simbolikë të veçantë. Ajo përkon me një moment historik për Shqipërinë: në Bruksel, në kuadër të Konferencës së Shtatë Ndërqeveritare, pikërisht sot u hap Grupkapitulli 5 – “Burime, Bujqësi dhe Kohezion”. Ky ishte Grupkapitulli i fundit i mbetur dhe një gur kilometrik në rrugën tonë përpara.
Pas 12 muajsh sprint, me nje ritëm të paprecedent negociatash, siç i quajti komisionerja për zgjerim dhe sic i vlerësoi ProgresRaporti i fundit i Komisionit Europian, kemi shënuar mbylljen e procesin teknik të hapjes, për të vijuar negociatat për të gjithë kapitujt, të përqendruara tek reformat, zbatimi, kriteret dhe standardet në në të gjithë sektorët.
Sot më shumë se kurrë, ne jemi të vendosur për një Shqipëri me institucione të forta demokratike, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social, me ekonomi konkurruese, me sistem drejtësie të pavarur, me mirëqenie për qytetarët tanë dhe kontribuese për një Europë të bashkuar e të sigurt.
Objektivi ynë kombëtar është ambicioz, por nga sot plotësisht i arritshëm;
Me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare, të mbyllim negociatat brenda vitit 2027 dhe të jemi gati për anëtarësim brenda kësaj dekade. Në Shqipëri mbështetja për integrimin, me rreth 92%, është më e lartë se kudo tjetër në rajon dhe jemi të vendosur për të mos e humbur momentumin e jashtëzakonshëm brenda Unionit.
Ne i jemi thellësisht mirënjohës Gjermanisë për mbështetjen e palëkundur, politike dhe teknike, që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian. Gjermania, lokomotiva e Bashkimit Europian, motori i saj politiko – ekonomik, ka mbajtur kurdoherë qasje të drejtë ndaj procesit të zgjerimit; një qasje meritore, parimore dhe të përkushtuar. Ka qenë pikërisht kjo busull që e ka mbajtur gjallë procesin e zgjerimit edhe në momente të vështira, dhe e ka bërë atë të besueshëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të rajonit.
Raporti i Komisionit Europian për këtë vit e vlerëson avancimin e paprecedentë të Shqipërisë në ritmin e negociatave, si dhe progresin në pothuaj të gjithë kapitujt dhe kriteret.
Vlerësim të veçantë kanë marrë rezultatet e strukturave të reja në luftën kundër pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, rezultate që kanë rritur besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit të së drejtës, duke dëshmuar me fakte dhe jo pa kosto, se pavarësia e gjyqsorit nuk është në letër, por një realitet i ri historik në Shqipëri.
Por ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se Shqipëria ka ende rrugë të gjatë dhe sfiduese përpara. Raporti evidenton qartë kapitujt ku ka nevojë për një ritëm të shtuar.
Ne mbetemi plotësisht të angazhuar që gjetjet e raportit t’i shndërrojmë në një program të mirëfilltë pune për institucionet tona.
Një rëndësi të veçantë i kushtojmë raportit IBAR, pra përmbushjes së piketave të ndërmjetme, i cili presim me mirëbesim të publikohet së shpejti me vlerësimet e duhura.
Megjithatë për Shqipërinë, grup-kapitulli i parë, “Themeloret”, është shtylla kurrizore e të gjithë procesit të negocimit. IBAR do të shërbejë si test i bazuar në meritë për kapacitetet tona; sa në aftësinë për t’u linjëzuar me paketën e BE-së, ashtu dhe për qëndrueshmërinë e pakthyeshmërinë e reformave në sektorët prioritarë.
Le të mos harrojmë se Gjermania mike ka një kontribut të çmuar jo vetëm për rrugëtimin demokratik dhe europian të Shqipërisë, por të të gjithë rajonit.
Procesi i Berlinit, i iniciuar dhe udhëhequr me vizion nga Gjermania, ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e integrimit të rajonit dhe në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përmes komponentëve të tij kryesorë – konektivitetit infrastrukturor e energjitik, tregut të përbashkët rajonal, mobilitetit e bashkëpunimi ekonomik – ky Proces ka prodhuar rezultate konkrete, në Shqipëri e mbarë rajonin. Padyshim, kontributi i Gjermanisë, si vend iniciator, mbështetësi politik dhe financiar i kësaj nisme, ka qenë thelbësor për të garantuar besueshmërinë, ritmin dhe orientimin e duhur të gjithë procesit.
Në takimin e sotëm me ministrin Wadephul konfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera e të gjithanshme mes dy vendeve tona. Ne e konsiderojmë Gjermaninë “de facto” partner strategjik dhe kemi vullnetin e plotë për të avancuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Prej dekadash Gjermania renditet në krye te mbështetjes financiare dhe ndihmës së dhënë për zhvillimin e vendit, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen ekonomike, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Me ministrin Wadephul vlerësuam gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë që kemi si dy aleatë në NATO.
Shqipëria dhe Gjermania kanë dënuar bashkërisht e fuqishëm agresionin rus kundër Ukrainës dhe i qëndrojnë asaj në krah politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht. Vlerësuam po ashtu bashkëpunimin mes institucioneve tona të ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, migracionit ilegal dhe shkëmbimin e informacionit. Shqipëria është po ashtu plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë së BE.
Nënvizuam rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe mbështetjen e pandërprerë që kemi marrë nga Bundestag-u për procesin e integrimit. E po sot në Tiranë gjendet një delegacion parlamentarësh gjermanë, nga parti të ndryshme politike, në takime e shkëmbime të vlefshme me deputetët tanë.
Diskutuam gjerësisht mbi situatën në rajon dhe nënvizuam rolin e qëndrueshëm e konstruktiv që luan Shqipëria në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Shqipëria mbetet një faktor stabiliteti dhe një partner i fortë në përpjekjet për një rajon më të sigurt dhe më të integruar.
Për Shqipërinë, bashkëpunimi me Kosovën në veçanti, është në krye të listës së prioriteteve.
Jemi plotësisht të angazhuar për ta ndihmuar Kosovën në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare e rajonale.
Mbështesim fuqimisht rrugëtimin e Kosovës për integrimin në strukturat euro-atlantike, një domosdoshmëri për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. I konsiderojmë masat kufizuese, nën të cilat gjendet Kosova, të tejkaluara, të tepruara dhe penguese për procesin e integrimit të saj në BE dhe apelojmë për heqjen e menjëhershme të tyre.
Ne kemi mbështetur dhe kemi inkurajuar angazhimin serioz të Kosovës në procesin e Dialogut me Serbinë të facilituar nga BE dhe të mbështetur nga partnerët tanë si ShBA, Gjermania e vendet e tjera mike. Ne vlerësojmë se cdo proces dialogu duhet të konkludojë me respekt të marrëveshjeve e njohje reciproke.
Për të gjitha këto arsye, turi rajonal i Ministrit Wadephul, është një dëshmi e vëmendjes dhe mbështetjes së veçantë që Gjermania i kushton bashkëpunimit rajonal e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.
Në anë tjetër, Gjermania është një nga partnerët ekonomikë më të rëndësishëm të Shqipërisë, si në shkëmbimet tregtare, ashtu edhe në investime. Ne jemi të përkushtuar për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të ulur barrierat administrative për investitorët gjermanë, të cilët janë gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri.
Pala jonë mirëpret zgjerimin e mëtejshëm të kompanive gjermane që tashmë operojnë në Shqipëri, si dhe rritjen e qëndrueshme të tregut të turizmit, e cila ka bërë që Gjermania të renditet ndër tre vendet kryesore origjine për vizitorët në vendin tonë. Kemi ende më shumë potencial për të rritur shkëmbimet ekonomike, tregtare e njerëzore me dy vendeve tona.
Duke e mbyllur, ju falënderoj sërish koleg i nderuar, për vizitën tuaj kaq të rëndësishme dhe ju siguroj për angazhimin e Shqipërisë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera me Gjermaninë.
Shpreh bindjen se kjo vizitë do të shërbejë si nxitje për hapa të mëtejshëm për thellimin e partneritetit të gjithanshëm mes dy vendeve tona.
Fjala për ju z. Ministër.
Faleminderit







