Në ministrinë e Drejtësisë u zhvillua tryeza e radhës konsultative për draftin e Kodi të ri Penal. Fokusi këtë radhë ishin veprat penale kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, veprat penale të terrorizmit dhe veprat penale që lidhen me krimin kibernetik. Krahas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, e pranishme në këtë takim ishte edhe ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
E po kështu kishte përfaqësues nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Shtabi i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe përfaqësues të Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore.
Në fjalën e rastit ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, kërkoi rekomandime konkrete, pse jo edhe dispozita, për t’ia vënë në dispozivion grupit të punës.
“Ministria e Drejtësisë është shumë e interesuar për këtë proces dhe do të garantojë gjithëpërfshirje dhe transparencë. Ne duam që produkti final të jetë shumatorja e të gjithë mendimeve të shprehura, bazuar në logjikë e përvojë, në rekomandime me thelb. Pas përfundimit të fazës së përthithjes së mendimeve përmes këtyre tryezave, ne do të kemi mundësinë që grupi i punës të absorbojë këto kontribute dhe të dalë me një dokument, si dhe të bëjë një raund të dytë takimesh vetëm me ato institucione të cilat kanë ofruar mendime me shkrim, të cilat duhen ballafaquar dhe sqaruar”, tha ministri Lamallari duke theksuar më tej se Kodi i ri Penal do të garantojë më shumë siguri dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, tha se përmes ndryshimeve në Kodin Penal, synimi është të japim mbrojtje reale e afatgjatë në shkolla, në rrugë dhe hapësirën kibernetike.
“Rritja e sigurisë në shkolla, në rrugë, në hapësirën kibernetike, përsosja e mekanizmave tona kundër mashtrimit online, kundër bullizmit apo rritja e fuqisë goditëse për zbulimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale, si dhe të gjithë çështjet e tjera, janë shqetësime reale. Dhe është detyra jonë, që të japim përballë tyre mbrojtje reale, të fuqishme dhe afatgjatë”, u shpreh Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.







