Screen Actors Guild Awards po riformatohet. Duke filluar nga viti i ardhshëm, ceremonia e përvitshme e çmimeve të filmit dhe televizionit ku votimi ndodh nga aktorët, do të marrë emrin e vetë çmimit, The Actor, thotë organizata.
“Statujëza jonë ikonike është quajtur gjithnjë The Actor dhe ndryshimi i emrit të ceremonisë për t’u njehsuar me vetë çmimin përbënte kuptim”, thuhet në faqen zyrtare, ku vijon se organizata “donte që të shprehte qartësi sa i përket se për çfarë bën fjalë ceremonia për audiencën vendase e botërore – ne nderojmë aktorët në film e televizion.”
Gjithashtu thuhet se ky evolucion ka qenë në plan “prej kohësh” dhe që kur “audienca globale e ceremonisë është zgjeruar përmes Netflix, u duk se ishte momenti i duhur për ta bërë zyrtar këtë përditësim dhe për të hyrë me besim në epokën e ardhshme të ceremonisë.”
Sipas faqes zyrtare, SAG-AFTRA “përfaqëson rreth 160 mijë aktorë, gazetarë, balerinë, DJ, redaktorë, moderatorë, këngëtarë, dublantë dhe profesionistë të tjerë të medias.”
Screen Actors Guild u themelua në 1933 dhe Federata Amerikane e Artistëve të Radios (AFRA) u krijua katër vite më vonë. Në 1952, Autoriteti i Televizionit u shkri me AFRA dhe u kthye në AFTRA.
Në 2012, dy entitetet u bashkuan duke formuar SAG-AFTRA.
Ceremonia e çmimeve tani do të quhet The Actor Awards nga SAG-AFTRA, transmetohet në Netflix dhe mund të ndiqet drejtpërdrejt më 1 mars 2026. Nominimet do të shpallen më 7 janar.
/tvklan.al







