Nga data 17 deri më 20 nëntor, Java Kulturore Kroate sjell katër ditë të pasura me muzikë, film, trashëgimi kulturore dhe reflektim intelektual, duke forcuar lidhjet mes Kroacisë dhe Shqipërisë dhe duke ofruar për publikun shqiptar një përvojë të gjerë kulturore.
Të gjitha aktivitetet e mbështetura nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, janë falas për publikun.
Më 17 nëntor, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, do të mbahet Koncerti Operistik i Miqësisë, i cili bashkon artistë të shquar nga të dy vendet në një program të pasur dhe të larmishëm muzikor. Nga Kroacia do të performojnë Arijana Gigliani Philipp (soprano), Petra Pia Kartelo (soprano), Jakov Kalajžić (bass), Jurica Jurasić Kapur (bariton) dhe Božo Letunić (piano), së bashku me Korin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në një mbrëmje të dedikuar miqësisë dhe harmonisë.
Më 18 nëntor, në orën 20:00, në Qendrën e Artit “Agimi”, do të shfaqet filmi “A Blue Flower” nën regjinë e Zrinko Ogresta. Filmi ndjek historinë e Mirjanës në prag të 20-vjetorit të punës së saj, duke shndërruar një ditë të zakonshme në një udhëtim emocional përmes shtresave të jetës.
Ngjarja lidhet me 18 nëntorin, Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Luftës për Atdheun në Kroaci (1991–1995), duke sjellë një reflektim për kujtesën dhe sakrificën.
Më 19 nëntor, në orën 13:00, në Bibliotekën Kombëtare, Qendra “Sotir Kolea”, do të hapet ekspozita e dedikuar Ditës së Kravatës, një nga simbolet më të njohura të identitetit kroat.
Pas ekspozitës, 15 anëtarë të Regjimentit të Kravatës nga Zagrebi do të zhvillojnë një marshim solemn nga Qendra “Sotir Kolea”, përgjatë Pedonales, Sheshit Skënderbej dhe bulevardit kryesor, deri në Sheshin Italia, të veshur me uniforma ceremoniale dhe të shoqëruar nga ritmi i daulleve.
Më 20 nëntor, në orën 18:30, në Europe House, do të mbahet ligjërata “Ndërtimi i një Europe të Paqes: Roli i Kroacisë”, e mbajtur nga Prof. Pavo Barišić, filozof dhe akademik kroat, si dhe President i Unionit Ndërkombëtar Panevropian. Ai do të trajtojë dimensionet filozofike, politike dhe historike të Bashkimit Evropian dhe kontributin e Kroacisë në zhvillimin e tij.
Java Kulturore Kroate sjell një program të pasur artistik dhe kulturor që reflekton shpirtin krijues të Kroacisë, duke afruar edhe më shumë dy vendet përmes artit, historisë dhe dialogut kulturor.








