Makinat elektrike po vijojnë të rriten në numër në tregun Shqiptar por pesha e tyre totale në flotën ekzistuese mbetet ende modeste.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëri të ditur se nga 2019 deri në tetor 2025, janë regjistruar 10,990 mjete All-Electric, duke shënuar një rritje prej 72% krahasuar me vitin 2024.
“42,4% e autoveturave me km 0 të regjistruara për periudhën Janar – Tetor 2025 janë All Electric, ose + 62% krahasuar me vitin 2024”, nënvizoi DPSHTRR.
Tendenca për mjete me moshë më të ulët ka qenë në rritje nga viti në vit dhe në një njoftim të mëparshëm DPSHTRR bëri të ditur shifrat e përgjithshme të tregut.
“Gjatë periudhës Janar–Tetor 2025, janë regjistruar 16,529 mjete me moshë 0–4 vjeç, duke shënuar një rritje prej 61% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023” nënvizon DPSHTRR.
Sipas kësaj drejtorie gjatë periudhës Janar–Tetor 2025, janë regjistruar për herë të parë 82,814 mjete, duke shënuar një rritje prej 99% krahasuar me vitin 2019. Të paktën 67,603 prej tyre janë autovetura, që përbëjnë 81.6% të totalit të mjeteve të regjistruara.
Blerjet e automjeteve viteve të fundit kanë ndryshuar edhe hartën nga vijnë mjetet ku sipas DPSHTRR gjatë muajit tetor 2025, u regjistruan mjete me origjinë nga disa prej shteteve më të mëdha prodhuese në botë.
Shtetet kryesore të origjinës së mjeteve të regjistruara: Republika e Koresë – 21.4% ; Itali – 15.5%; Gjermani – 15.5%; Kinë – 8.7%; Zvicër – 8.4%; Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 8%.







