AAB mori pjesë në tryezën e diskutimit “Sfidat e Financimit të Teknologjisë Bujqësore: Përshtatje Transformuese përballë Zhvillimeve Sociale dhe Sfidave të Klimës”, organizuar nga @recalbania , në bashkëpunim me aktorët kryesorë të sektorit financiar dhe atë të sigurisë.
Diskutimet u fokusuan në rolin e institucioneve financiare në mbështetjen e fermerëve përmes produkteve të përshtatura për investime në teknologji novatore, të cilat ndihmojnë në përshtatjen dhe zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, si dhe në rritjen e eficencës bujqësore. Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis politikave shtetërore, produkteve financiare, dhe komuniteteve të fermerëve për të rritur ndikimin e fondeve të dedikuara për sektorin.
Gjatë tryezës, u theksua roli thelbësor i sektorit bankar në nxitjen e investimeve bujqësore përmes produkteve financiare më të specializuara dhe më të aksesueshme për fermerët. Bankat sollën në vëmendje sfidat që hasen në terren, rëndësinë e vlerësimit të riskut, nevojën për informacion më të mirë financiar dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të instrumenteve të qëndrueshme financimi që mbështesin adoptimin e teknologjive të reja.
REC Shqipëri prezantoi gjithashtu gjetjet e nismës “Zgjidhjet Afrojnë Fermerët”, e cila gjatë dy viteve ka sjellë te grupet e fermerëve teknologji si sistemet vaditëse me energji diellore dhe makineritë grirëse të biomasës, duke treguar mundësitë që krijohen kur financimi kombinohet me inovacionin.
Në takim u nënvizua edhe domosdoshmëria për edukim financiar më të thelluar për fermerët, si edhe për skema sigurimi më efektive për prodhimin dhe asetet bujqësore, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së investimeve dhe uljen e riskut për sektorin bankar.







