Nga Bujar Leskaj
Vendet që ecën me të vërtetë shpejt dhe fort drejt BE-së, Sllovenia e para dhe pastaj Kroacia, nuk festuan hapje kapitujsh, por mbyllje kapitujsh. Ata nuk e shitën procesin si fitore politike, por si detyrë shtetërore.
Qeveria e sektit Rama kërkon të shesë hapjen e kapitujve të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit(MSA) si sukses historik për integrimin. Në 13 vitet e fundit, sa herë Brukseli ka dhënë një sinjal pozitiv, qoftë edhe minimal, sekti në pushtet ka nxituar ta shndërrojë në gur kilometrik të arritur. Sa herë është hapur një kapitull, një klaster, Shqipëria ka marrë një dokument teknik, apo edhe thjesht një vlerësim paraprak, butaforia e orkestruar nga Rama e ka shpallur “fitore historike”.
Nga ky mashtrim i paskrupullt, qytetari dhe publiku po ushqehen me iluzionin se procesi i integrimit po ecën me ritme të shpejta. Në realitet, hapja e kapitujve është vetëm faza më e lehtë dhe fillestare e të gjithë procesit të gjatë dhe të vështirë të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ajo që ka rëndësi, që paraqitet themelore, por që sekti Rama e shmang që ta thotë, është mbyllja e kapitujve, jo hapja e tyre.
- Hapja e kapitujve nuk është trofe apo bekim politik, siç përpiqet ta shesë Rama
Në çdo vend kandidat, hapja e kapitujve është një akt teknik. Brukseli bie dakord që negociatat mund të nisin në atë fushë, sepse janë plotësuar disa kushte minimale paraprake. Nuk është as bekim politik, as çertifikim i reformave të thella. Shumë kapituj hapen me kushtëzime të forta, që në vetvete dëshmon se rruga e vërtetë sapo fillon.
Mali i Zi i hapi negociatat për anëtarësim që në vitin 2012. Për arsye gjeopolitike, iu hapën menjëherë 32 kapituj. Pas 13 vitesh, ka mbyllur vetëm 3. Serbia ka hapur 24 kapituj dhe ka mbyllur vetëm 2, edhe pse ka një administratë të madhe dhe mbështetje teknike.
Në realitet, hapja e kapitujve është pjesa më e thjeshtë, më administrative dhe më pak e rëndësishme e procesit të integrimit. Ajo që ka vlerë reale dhe që sekti Rama heziton ta përmendë, është mbyllja e kapitujve. Pa mbyllje, hapja është vetëm një përfundim formal, jo përmbushje reformash. Është vetëm hyrja në zonën e provimit, jo marrja e notës përfundimtare.
- Iluzioni i hapjes: tregtia e shëmtuar politike e Ramës me një koncept teknik
Kapërcimi nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) tek negociatat e plota të anëtarësimit është një proces shumëfazësh. Kapitujt ose klasterët hapen vetëm kur thjesht Komisioni Evropian, qeveria e BE-së, konstaton se vendi kandidat ka përmbushur kushtet minimale për të nisur bisedimet. Kjo është një gjuhë teknike, e qartë dhe e thjeshtë: kapitulli nuk është mbyllur, nuk është plotësuar, nuk është integruar. Thjesht është hapur për diskutim.
Megjithatë, në diskursin politik të Ramës, hapja e kapitujve interpretohet si çertifikim përfundimtar, si vlerësim për reformat, si ftesë konkrete për anëtarësim, që do të vijë pas vetëm 2-3 vitesh. Kjo përbën një tregti të ndyrë dhe të pështirë politike.
Në vend që integrimi të trajtohet si një proces kompleks, i vështirë dhe afatgjatë, sikurse është realisht, Rama e paraqitet qëllimisht dhe në mënyrë perfide si një garë të thjeshtë, me flamuj që duhen ngritur në ceremonitë publike.
Ky iluzion prodhon tre deformime. Së pari, publiku dezinformohet sistematikisht dhe nuk kupton faktin se hapja nuk përbën progres real.
Së dyti, reformat relativizohen, sepse shpallen të suksesshme përpara se të jenë zbatuar ose verifikuar.
Së treti, qeveria e sektit Ram në këtë mënyrë shmang përgjegjësinë, duke deklaruar vetëm hapjet, por jo ngecjet apo mospërmbushjet e kushteve për mbyllje.
Shëmtia e iluzionit të hapjes së kapitujve qëndron në disa fakte të thjeshta:
- Hapja është e shpejtë dhe simbolike; mbyllja e kapitujve është e dhimbshme dhe konkrete. Hapja kërkon një raport teknik; mbyllja kërkon transformime dhe shumë kosto politike. Përballë një zgjedhjeje të tillë, Rama parapëlqen ceremonitë me flamurë, jo përmbushjen e detyrimeve të mëdha.
- Hapja jep lajm; mbyllja kërkon llogari. Mbyllja e detyron qeverinë të shpjegojë (i) pse një kapitull nuk u mbyll dot, (ii) cilat reforma janë bllokuar, si në rastin e ngrirjes së fondeve IPARD, si dhe (iii) pse disa struktura nuk funksionojnë. Kjo transparencë bie ndesh me logjikën e propagandës së shfrenuar të sektit në pushtet tek ne.
- Hapja është e qepur me retorikë; mbyllja matet me indikatorë. Treguesit e sundimit të ligjit, korrupsionit, lirisë së tregut dhe cilësisë së administratës nuk fshihen dot. Ato nuk retushohen si fjalimet.
- Pse mbyllja e kapitujve është e vetmja provë reale e përparimit në integrim
Historia mbi tridhjetëvjeçare e zgjerimit të Bashkimit Evropian ka dëshmuar se në çdo vend kandidat, nga Kroacia tek Rumania, nga Sllovenia te Bullgaria, suksesi është matur vetëm me një tregues: sa kapituj u mbyllën dhe me çfarë cilësie.
Mbyllja e kapitujve kërkon (i) përmbushje reale të standardeve të BE-së, (ii) zbatim praktik të reformave, jo vetëm miratimin e tyre në letër, (iii) politika funksionale në fushat ekonomike, ligjore, sociale dhe administrative, (iv) rezultate të matshme në luftën kundër korrupsionit, (v) institucione të qëndrueshme, të depolitizuara dhe të pavarura, (vi) sistem drejtësie që funksionon dhe jep vendime, (viii) treg të hapur dhe konkurrues, (ix) transparencë buxhetore dhe (x) administratë profesionale.
Në çdo kapitull, BE-ja përdor benchmarks(përcaktime) të hapjes dhe benchmarks të mbylljes. Nëse Shqipëria ka avancuar vetëm me të parat, kjo nuk përbën progres të prekshëm. Vende si Danimarka, Gjermania apo Holanda, madje të 27 Vendet Anëtare të Bashkimit Evropian nuk vlerësojnë deklaratat politike, por implementimin.
Prandaj dhe për Shqipërinë, sfida kryesore nuk është hapja, por mbyllja e kapitujve, sidomos Kapitujve 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore. Pa mbylljen e tyre, asnjë kapitull ekonomik nuk mbyllet dot.
Kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi, përkundër investimit politik, nuk ka prodhuar ende rezultatet që kërkohen në raportet e BE-së.
Shqipëria sot përballet me tre rreziqe madhore nga ky keqkuptim i kultivuar i Ramës:
- Premtimet e zbrazëta e dëmtojnë besimin publik.
Kur për vite me radhë qytetarëve u është shitur “së shpejti BE”, zhgënjimi rrit apatinë demokratike dhe rrënon kredibilitetin e institucioneve.
- Procesi i integrimit kthehet në instrument elektoral.
Ky është një keqpërdorim sistemik i Ramës për vota. Integrimi është projekt kombëtar, jo platformë e mbajtjes së pushtetit.
- Reformat thelbësore shtyhen dhe zëvendësohen me reforma kozmetike.
Në vend të ndryshimit të kulturës administrative, ligjeve funksionale dhe praktikave të qeverisjes, prodhohen reforma formale, të cilat plotësojnë vetëm dokumentet, jo realitetin.
Për një vend kandidat, suksesi matet vetëm me një gjë: sa kapituj janë mbyllur. Dhe mbyllja nuk vjen me deklarata diplomatike, por me reforma reale. Me ndryshime të thella (i) në drejtësi, (ii) në funksionalitet të tregjeve, (iii) në liri ekonomike, (iv) në institucione të pavarura, (v) në standarde të BE-së në çdo sektor, si dhe në (vi) luftë ndaj korrupsionit me rezultate, jo me retorikë.
Procesi i negociatave është thellësisht teknik dhe kërkon përgatitje të strukturuar dhe bashkëpunim të gjerë politik dhe institucional. Ky proces kërkon mbështetje të gjithanshme nga të gjitha partitë, grupet e interesit, mediat, dhe shoqëria civile. Është një përpjekje kombëtare.
Në korpusin ligjor (“Acquis Communautaire”) prej 185 mijë faqesh të BE-se, 83 mijë faqe janë të negociueshme. Si mund të negociojmë 83 mijë faqe në dy vite?! Teknikisht është shumë të vështirë.
Integrimi në BE nuk është vetëm çështje vullneti, por mbi të gjitha ndërtimi i strukturave që mund të zbatojnë atë që negociohet. Ai i bëri thirrje politikës që të flasë me përgjegjësi dhe qytetarëve që të mos ushqehen me iluzione të rreme, por të përfshihen në një proces të gjatë dhe të qëndrueshëm transformimi.
xxx
Sekti Rama ka vite që flet për hapje kapitujsh, ndërkohë që mbyllja e tyre mbetet thuajse tabu. Po pse? Sepse mbyllja e kapitujve kërkon minimumin e asaj që sekti Rama nuk e ofron dot: konsensus, bashkëpunim të sinqertë me opozitën, seriozitet, paanshmëri institucionale dhe reforma që prekin interesat e grupeve të fuqishme.
Vendi ynë sot nuk e ka luksin e gënjeshtrave të bukura. Sot Shqipëria ka nevojë urgjente të braktisë logjikën e e pasinqertë dhe të pabesë të iluzioneve për integrim të shpejtë, që propogandon Rama. Nuk mjafton të bëhen reforma në letër.
E vetmja pyetje reale që opozita, qytetarët, media dhe opinioni publik duhet të bëjnë sot është: sa kapituj mund të mbyllen brenda 2-3 viteve të ardhshme? Nëse përgjigjja është zero ose e paqartë, atëherë iluzioni i integrimit thjesht ecën paralelisht me realitetin e integrimit.
Integrimi europian është një maratonë serioze reformash, jo një paradë flamujsh. Dhe kush e redukton në ceremoni hapjesh, nuk bën tjetër veçse konsumon shpresën publike. Vetëm mbyllja e kapitujve e afron Shqipërinë me BE-në. Gjithçka tjetër është dekor politik.







