Muaji tetor ka sjellë një rritje të kursimeve në lekë dhe në valutë, të nxitura kryesisht nga shtimi i depozitave të individëve, sidomos në monedhën vendase.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur, se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit tetor ishte 687.9 miliardë lekë, me një rritje prej 1%, ose rreth 6.6 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm.
Rritja në muajt tetor ka ardhur pothuajse tërësisht nga individët, që kanë shtuar depozitimet në banke, si pa afat ashtu dhe me afat, pavarësisht ciklit në ulje të normave të interesit, pas lehtësimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, që e ka reduktuar normën bazë në 2.5%, nga 3.25% që ishte deri në maj 2024.
Me bazë vjetore (tetor 2025/tetor 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 13.8%, ose gati 83.6 miliardë lekë më shumë.
Më rritje, ndonëse më të lehtë ishin dhe kursimet në valutë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët ishte 8.66 miliardë euro në fund të muajt tetor, me një rritje prej 36 milionë eurosh, ose 0.4% më shumë në raport me muajin e mëparshëm.
Rritja është ndikuar si nga korporatat private e publike, ashtu dhe individët.
Me bazë vjetore (tetor 2025/tetor 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 7.9%, ose 637 milionë euro më shumë.
Banka e Shqipërisë e raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të tetorit, stoku total i depozitave ishte 1.46 trilionë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 122 miliardë lekësh, ose 9.1% më shumë.
Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e kësaj të fundit dha në tkurrjen e kursimeve në valutë në momentin që ato raportohen në euro.
Të matura sipas monedhave përkatëse, në një vit depozitat në lekë janë rritur me 83.6 miliardë lekë (rreth 840 mln euro) dhe ato në euro me 637 milionë euro, me një total prej gati 1.5 miliardë euro që janë shtuar në sistem për një vit.








