Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me kryebashkiakun e Astit dhe njëkohësisht kreun e provincës, Maurizio Rasero, gjatë vizitës së tij në Milano, takim të cilin e cilësoi si një surprizë të këndshme dhe një mundësi të re bashkëpunimi.
Asti, një nga bashkitë me komunitetin më të madh shqiptar në rajonin e Piemontes në Italinë veriore, numëron mbi 4 mijë bashkëkombas të vendosur aty prej dekadash.
Kryebashkiaku Rasero vlerësoi integrimin e shkëlqyer kulturor dhe social të komunitetit shqiptar, teksa shprehu interesimin për të pritur një vizitë zyrtare të ministrit, e cila do të shërbente për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe komuniteteve përkatëse, si dhe për promovimin e vlerave dhe traditave të qytetit të Astit.
Ministri Gonxhja solli në vëmendje se Asti ka një histori të veçantë lidhur me shqiptarët, pasi ishte ndër qytetet e para italiane që hapi dyert për mijëra qytetarë shqiptarë gjatë eksodit të vitit 1991. Që prej asaj kohe, komuniteti shqiptar është pjesë integrale e jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike të qytetit, i cili drejtohet nga Kryetari i Bashkisë nga Forza Italia.
Në vijim, përmes programit të ri CulturAlb si edhe në kuadër të aktiviteteve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, pas takimeve me homologët italianë të turizmit e kulturës, do të jemi edhe më pranë diasporave shqiptare në Itali e më gjerë, me projekte e ngjarje bashkëpunimi, për ruajtjen e rrënjëve kulturore e historike shqiptare”, bëri të ditur ministri Gonxhja.







