HomeEkonomiShlyerja e Eurobondit të 2018-s e uli rezervën valutore në muajin tetor

Shlyerja e Eurobondit të 2018-s e uli rezervën valutore në muajin tetor

Advertismentspot_img

Shlyerja e Eurobondit në muajin tetor ka sjellë uljen më të ndjehsme të rezervës valutore për këtë vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për muajin tetor vlera e mjeteve të rezervës valutore ra në 7.082 miliardë euro, 187 milionë euro më pak krahasuar me muajin shtator.

Efektin kryesor në këtë ulje e dha maturimi dhe shlyerja e pjesës së mbetur të Eurobondit të vitit 2018, prej 367 milionë eurosh.

Nga Eurobondi 7-vjeçar prej 500 milionë eurosh i vitit 2018, një pjesë u shlye para afatit, nëpërmjet një procesi buyback (riblerjeje), të vitit 2023. Në atë kohë, qeveria hapi një procedurë riblerjeje prej 250 milionë Eurosh, por interesi i investitorëve për t’i shitur titujt para maturimit nuk rezultoi shumë i lartë dhe shuma që u arrit të blihet ishte vetëm 133.3 milionë euro. Ndërkohë, shuma e mbetur u shlye në maturim, në tetor të këtij viti.

Përtej efekteve afatshkurtra të lidhura me huamarrjen e qeverisë shqiptare në valutë të huaj, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë këtë vit është pranë niveleve më të larta historike.

Banka Qendrore prej vitesh po ndjek një politikë të shtimit e rezervave valutore, në funksion të nevojave të mundshme të ekonomisë dhe sektorit financiar.

Rezerva është rritur me blerje të vazhdueshme dhe në rritje të valutës në tregun e brendshëm, nëpërmjet ankandeve të planifikuara. Por, në dy vitet e fundit rolin kryesor në këtë drejtim e kanë dhënë blerjet e drejtpërdrejta të valutës, në funksion të frenimit të mbiçmimit të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit. Rritja e blerjeve të valutës nënkupton injektime të reja në gjendjen e rezervës valutore dhe paralelisht shtim të injektimit të Lekut në ekonomi.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro.

Megjithatë, ndryshimi i vlerës së aktiveve në valutë të huaj nuk është i lidhur vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe lëvizjet e çmimit të instrumenteve në tregjet ndërkombëtare. Pas vitit 2024, ulja e normave të interesit ka sjellë rritje të çmimit të letrave me vlerë të borxhit dhe të arit në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar rrjedhimisht edhe në rritjen e vlerës së aseteve të mbajtura në këto instrumente.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë (FMN), në deklaratën e fundit, megjithatë, i rekomandonte Bankës së Shqipërisë një qasje më të kujdesshme në rritjen e mëtejshme të rezervës valutore. Sipas misionit të FMN-së, përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.

Rritja e rezervës valutore ka sjellë kosto të konsiderueshme në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si rezultat i forcimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Për vitin 2024, humbjet neto nga kursi i këmbimit kishin vlerën e 13.5 miliardë lekëve. Megjithatë, humbjet në këtë zë pësuan një reduktim të ndjeshëm me 63% krahasuar me një vit më parë./ Monitor

Burimi: BSH

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular