HomeOP EDUJI NËN KËRCËNIMIN E THATËSIRËS DHE KEQMENAXHIM/nga Agron Haxhimali

UJI NËN KËRCËNIMIN E THATËSIRËS DHE KEQMENAXHIM/nga Agron Haxhimali

Advertismentspot_img

NGA AGRON HAXHIMALI 

Europa po përjeton një krizë ujore që po thellohet me ritme alarmante. Një analizë e re e shkencëtarëve nga University College London, e kryer në bashkëpunim me “Watershed Investigations” dhe “The Guardian”, ka zbuluar se rezervat ujore në kontinent janë në rënie të vazhdueshme prej më shumë se 20 vitesh. Duke përdorur të dhëna satelitore, të cilat matin ndryshimet në fushën gravitacionale të Tokës, studiuesit kanë dokumentuar humbje të ndjeshme të ujërave nëntokësore, lumenjve, liqeneve dhe akullnajave, veçanërisht në Europën Jugore dhe Qendrore. Zona të gjera që shtrihen nga Spanja dhe Italia, deri në Poloni dhe madje edhe pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, janë futur në një cikël tharjeje që rrezikon furnizimin me ujë, bujqësinë, biodiversitetin dhe sigurinë e komuniteteve lokale. Ky trend nuk është më një parashikim i së ardhmes është realiteti ynë i përditshëm.

UJI NËN KËRCËNIMIN E THATËSIRËS DHE KEQMENAXHIM

Ndryshimet klimatike janë një faktor thelbësor: temperatura më të larta, thatësira të zgjatura dhe reshje të parregullta po e përkeqësojnë situatën. Por, një pjesë e problemit qëndron edhe tek menaxhimi i dobët i burimeve ujore, sidomos në vendet si dhe Shqipëria ku infrastruktura është e vjetruar, fragmentuar ose e paqartë në përgjegjësi institucionale. Në këtë kuadër, raportet e Institutit për Bashkitë e theksojnë qartë se Shqipëria një vend me pasuri të konsiderueshme ujore, por edhe me sfida serioze menaxhimi, ka nevojë për një qasje strategjike dhe të unifikuar. Instituti rekomandon që qeveria dhe bashkitë të hartojnë një strategji të qëndrueshme për menaxhimin e sektorit të ujit, duke siguruar përdorim efikas të financimeve dhe duke përfituar mekanizma të rinj bashkëpunimi nga fondet e Bashkimit Evropian.

LIQENET ARTIFICIALE, PASURI KOMBËTARE QË PO LIHEN NË HIJE

Një prej pikave më të rëndësishme të raportit të Institutit për Bashkitë lidhet me 630 liqenet artificiale të vendit. Këto nuk janë thjesht rezervuarë uji për bujqësinë, ato ndihmojnë në menaxhimin e thatësirës dhe përmbytjeve, mbështesin biodiversitetin lokal, krijojnë mundësi për peshkim, turizëm dhe energji, përbëjnë infrastrukturë kritike në përballjen me ndryshimet klimatike. Megjithatë, statusi i tyre aktual është problematik: administrim i paqartë, përgjegjësi të shpërndara mes institucioneve, mungesë mirëmbajtjeje, pak investime dhe shpesh mungesë vizioni se si këto liqene mund të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme. Nëse këto burime vazhdojnë të mbeten jashtë fokusit, vendi rrezikon të humbasë një aset strategjik, pikërisht në kohën kur Europa po përjeton mungesa ujore prej dekadash dhe tendencat e ndryshimeve klimatike janë jashtë çdo parashikimi.

LIQENET NATYRORE: JO VETËM BUKURI, POR PASURI JETIKE

Ashtu si liqenet artificiale, edhe liqenet natyrore kërkojnë vëmendje të shtuar. Ato sigurojnë furnizim me ujë të pijshëm dhe ujitje, ruajnë ekosisteme unike, ndikojnë në mikroklimë, janë të lidhura ngushtë me ekonominë lokale përmes bujqësisë, turizmit dhe peshkimit. Por ndotja, mbingarkesa turistike, mungesa e planeve afatgjata dhe urbanizimi i pakontrolluar po i vënë në rrezik. Në kushtet kur rezervat europiane po pakësohen, vendet me burime relativisht të pasura ujore duhet të jenë të parat që t’i trajtojnë liqenet si trupa ujore me rëndësi kritike, jo vetëm estetike.

KOHA PËR VEPRIM: NJË MODEL I RI PËR MENAXHIMIN E UJIT

Duke marrë parasysh realitetin e sotëm dhe paralajmërimet e shkencëtarëve është e qartë se menaxhimi i ujit duhet të kthehet në prioritet kombëtar. Duhet një model i ri administrimi, i bazuar në: qartësi në pronësi dhe përgjegjësi, planifikim afatgjatë, mundësi investimi dhe partneriteti, transparencë dhe monitorim, zbatim i praktikave të ekonomisë rrethore, ndërlidhje mes bashkive, qeverisë dhe komuniteteve. Ky model duhet të garantojë se liqenet qoftë artificiale apo natyrore mirëmbahen, mbrohen dhe përdoren me efikasitet dhe vizion të qëndrueshëm.

PSE KY ALARM ËSHTË PËR TË GJITHË?

Sepse uji është siguri kombëtare. Sepse një vend pa ujë të menaxhuar si duhet nuk ka bujqësi të qëndrueshme, nuk ka ekonomi të shëndoshë, nuk ka biodiversitet, nuk ka jetesë cilësore. Sepse ajo që po ndodh në planetin tonë dhe në Europë sot, nesër mund të trokasë edhe në derën tonë. Në kohët që vijnë, nuk do të kujtojmë kush u justifikua, por kush ndërmori veprimet e nevojshme në kohë.

*Autori, drejtor i Institutit për Bashkitë

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular