HomePolitikeAta që klithën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” ikën se shteti...

Ata që klithën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” ikën se shteti nuk funksionon, Rexhep Uka: Nuk ka më rebelizëm, sytë nga SPAK

Advertismentspot_img

Nga Rexhep UKA*

Të flasësh në Ditën e Rinisë përpara një salle me njerëz që dikur ishin promotorët e lirisë, bartësit e guximit qytetar dhe nismëtarët e shembjes së një regjimi të hekurt, nuk është as e lehtë dhe as e zakonshme. Ata që sot takohen për të 35-tin vit radhazi nuk mblidhen nga nostalgjia, por sepse e ndjejnë ende të gjallë misionin e nisur në dhjetor të vitit 1990: të mos flenë, të mos heshtin, të mos dorëzohen para padrejtësisë.

Shqipëria e asaj kohe ishte një vend i heshtur, i frikësuar, por jo i pajtuar. Rinia nuk e vrau dot askush – as regjimi. Fryma e saj shpërtheu pikërisht te grupet e vogla të letrave, artit, krijimit; te ata që edhe me pak fjalë kundërshtie e matnin pulsin e shoqërisë dhe e testonin sa mund të zgjoheshin njerëzit. Sot këta njerëz janë sërish bashkë, jo për të dhënë mësime politike, filozofike apo historike, por sepse vetë përvoja e tyre është mësim.

Por koha e lirë që pritën me dekada solli sfida të tjera, po aq të rënda. Liria pa institucione të forta lëviz si uji i pakontrolluar – merr trajta të rrezikshme; rrjedh drejt sundimit. Sot politika shqiptare prodhon më shumë mekanizma të mbajtjes së pushtetit sesa demokraci. Në vend të meritokracisë, lulëzon klientelizmi; në vend të shpresës, largimi masiv drejt emigracionit.

Shumë nga ata që dikur klithën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” sot jetojnë në Europë. Jo se janë më të mirë se bashkëkombasit e tyre, por sepse atje shteti funksionon: askush s’të detyron si të votosh, askush s’të merr haraç për të hapur një biznes, askush nuk të lë pa shkollë e pa mjekim nëse s’ke para. Shqipëria ka liri, por jo barazi në shërbime; ka individë të suksesshëm, por jo sistem funksional.

Shembujt e përditshëm të korrupsionit, rritjeve marramendëse të pagave të zyrtarëve, shtesave klienteliste, e bëjnë edhe më të vështirë ndërtimin e besimit. Edhe emigrantët, që kthehen pas dekadash, humbin midis sporteleve, zyrave, pasigurisë dhe mungesës së përgjegjshmërisë. Shteti u duket pa bosht, pa logjikë, pa kufi midis ligjit dhe arbitraritetit.

Në këtë realitet, opozita – e cila teorikisht duhet të garantojë cilësinë e qeverisjes – shpesh shfaqet e lodhur, e humbur, e hallakatur. Kur opozita nuk funksionon, qeveria nuk ka frenë; populli mbetet i pambrojtur, ndërsa politika shikon nga dritarja për të fajësuar të tjerët, jo nga pasqyra për të parë vetveten.

Ndërkohë, SPAK, pavarësisht skeptikëve, ka sjellë një frymë të re. Shumëkush shikon aty një ringjallje shprese, një institucion që mundohet të jetë asnjanës dhe të thyejë pandëshkueshmërinë. Por paragjykimet janë ende të forta – jemi djegur kaq herë sa edhe kur shohim drejtësi, na duket sikur po shohim mashtrim.

Në këtë kontekst, 8 Dhjetori – dita e rinisë – është kthyer në institucion, jo vetëm si datë historike, por si simbol i përhershëm i kurajos për të kundërshtuar. Demokracia jonë është ende fëmijë; nuk ecën, vetëm zvarritet. Shqipëria shpesh duket ende si një stad postkomunist që fermenton, që nxjerr gaze të mbetura të së shkuarës autoritare, që rrallë arrin të prodhojë kulturë politike të re.

Kemi edhe një problem tjetër të thellë: krijimin e miteve të rreme, të “liderëve” të sajuar, të ikonave të pavërteta që mbillen nga propaganda për të zëvendësuar mungesën e vërtetë të vizionit. Ndërkohë shoqëria rrezikon të bjerë në grisjen midis opozitës dhe pozitës që shpesh ngjajnë si ujë dhe ujë – pa dallime të qarta, pa vizion – duke u bërë pjesë e një sistemi që riciklon vetveten.

Dikur na thoshin se fjala “rebel” ishte e keqe. Sot dimë se qytetaria pa rebelizëm nuk ekziston. Por a kemi guxim të rebelizohemi sot? A kemi ende sy për të parë shtëpinë e vjetër të survejimit që qëndron përpara nesh – simbolikisht dhe fizikisht – dhe që na kujton se e kaluara mund të rikthehet nëse heshtim?

8 Dhjetori na kujton se liria fitohet në grup, me solidaritet, jo për një karrige, por për një mision. Dhe ky mision është i përhershëm: të shohim të vërtetën, të mos pranojmë mashtrimet e reja, të mos lejojmë që frika të kthehet.

Sepse pyetja e vërtetë sot nuk është “çfarë ndodhi atëherë?”, por a kemi ende kurajë për të parë çfarë po ndodh sot?

*Fjala e përshëndetjes në tryezën e rrumbullakët me Protagonistë Historikë të viteve 90

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular