HomeOP EDMësimi i PD-së pas një proteste/nga Ethem Aga

Mësimi i PD-së pas një proteste/nga Ethem Aga

Advertismentspot_img


nga Ethem Aga
Protesta e 22 dhjetorit, e thirrur nga Partia Demokratike, e dha qartësisht mesazhin e saj, jo vetëm përmes pjesëmarrjes së madhe dhe thirrjeve, por mbi të gjitha përmes frymës që la pas. Rënia morale e një qeverisjeje neveritëse, të zhytur thellë në korrupsion dhe në lidhje me krimin, tashmë ka ndodhur, pavarësisht se de jure ajo vijon të mbajë pushtetin.
Qytetarët nuk dolën në shesh thjesht për të dhënë një “bekim politik”. Ata dolën për të na kujtuar se kërkojnë jo vetëm rrëzimin faktik të qeverisjes më të keqe që ka njohur vendi në 35 vitet e fundit, por zhdukjen e vetë konceptit të kësaj mënyre qeverisjeje.
Ne nuk duhet të themi se jemi më të mirë se ata, sepse krahasimi me një të keqe të tillë është i vetëkuptueshëm. Partia Demokratike duhet të kuptojë dhe jam i bindur se e kupton mesazhin qytetar: nuk kërkohet thjesht ndërrim qeverie, por ndryshim sistemi. Ky është thelbi i thirrjes që na erdhi nga sheshi. Qytetarët kërkojnë çrrënjosjen e plotë të mënyrës aktuale të qeverisjes.
Shpresa e tyre është opozita. Prandaj, çdo zhgënjim i ri qytetar do të ishte mëkati më i madh që mund t’i bëhet këtij vendi.
Kjo duhet të jetë motoja e përhershme e PD-së. Jo vetëm si bindje e brendshme, por si mesazh i qartë, i kuptueshëm dhe i prekshëm për çdo qytetar. Është koha që PD të zbresë realisht tek qytetarët, jo vetëm tek anëtarët e saj. Çdo qytetar që na sheh në sy duhet të besojë se zhgënjimi do të marrë fund një herë e mirë.
Paradoksalisht, për fat të keq të vendit, pavarësisht bindjeve politike, ne sot kemi një model që nuk duhet ndjekur kurrë. Ky është modeli i qeverisjes aktuale, i cili duhet çrrënjosur dhe varrosur përfundimisht.
Nëse qytetarët iu përgjigjën protestës së organizuar nga PD, tani është detyrimi i vetë PD-së të shkojë tek qytetarët në çdo formë: publikisht, përmes medias, rrjeteve sociale, por mbi të gjitha përmes takimeve të drejtpërdrejta. Koha është tani. Çdo orë që kalon është vonesë.
Jo pa qëllim, e mbyll me një mesazh falënderimi për çdo qytetar që mori pjesë në protestë. Si një prej kandidatëve që në zgjedhjet e 11 majit u besuan mbi pesë mijë vota, ndjej detyrimin të përulem me respekt për sakrificën e secilit prej jush. Ju ruajtët frymën e opozitarizmit dhe i bëtë ballë sistemit më të ashpër qeverisës, i cili pasi na vodhi, tentoi të vriste edhe shpresën.
Atë nuk ia lejuat. Dhe ky është heroizmi më i madh që kemi bërë së bashku: mosnënshtrimi ndaj së keqes, ndaj një pushteti që mbahet me hajni dhe krim.
Faleminderit!
PD e mori mesazhin tuaj.
Tani është detyrimi ynë të rikthehemi tek vlerat që ju përfaqësoni.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular