HomeEkonomiTregu i sigurimeve drejt një viti në rritje dyshifrore

Tregu i sigurimeve drejt një viti në rritje dyshifrore

Advertismentspot_img

Tregu i sigurimeve është i projektuar drejt një viti në rritje dyshifrore.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto për 11-mujorin janar-nëntor 2025 arritën vlerën e 25.2 miliardë lekëve, në rritje me 10.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e tregut është përmirësuar në krahasim me nivelin prej 7.3% që shënohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e çmimit mestar për sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ka pasur një rol mjaft të rëndësishëm në rritjen më të madhe të tregut.

Statistikat e AMF-së tregojnë se primet e shkruara bruto nga ky produkt u zgjeruan me 13.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pesha e këtij produkti ka arritur në 57.6% të tregut (nga 55.8% një vit më parë), ndërsa sigurimet e detyrueshme motorike në tërësi (duke përfshirë kartonin jeshil dhe policën kufitare) sollën 68.2% të primeve të shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës.

Nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit, në terma mesatarë.

Rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” hyri në fuqi në fillim të vitit 2025 dhe parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Klasat e tjera të sigurimit po shfaqin përgjithësisht ecuri të dobët, me përjashtim të sigurimit Kasko të mjeteve tokësore, që është në rritje vjetore me 10.5%.

Ndërkohë, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore vazhdon të shfaqë një rritje anemike, me 4.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i vogël në përmasa, por në rritje më të lartë krahasuar me tregun e Jo-Jetës. Shifrat tregojnë një rritje me 13.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tregu i sigurimeve të Jetës vazhdon të mbështetet gjerësisht te sigurimi i jetës së debitorit. Ky produkt sjell pothuajse 83% të volumit total të primeve të shkruara bruto. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare.

Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë afatgjatë. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme dhe janë kusht i detyrueshëm për marrjen e kredisë. /Monitor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular