HomeOP EDTre shembuj "xhepi" pse duhet ndryshim sistemi dhe jo rotacion politik/nga Përparim...

Tre shembuj “xhepi” pse duhet ndryshim sistemi dhe jo rotacion politik/nga Përparim Gjeka

Advertismentspot_img

nga Përparim Gjeka

Shqipëria është qeverisur nga PD dhe PS për 35 vjet, kohë e mjaftueshme që Singapori, për shembull, nga një ishull i vogël peshkatarësh të varfër, u bë shteti me standardin më të lartë të jetesës në botë. Kjo tregon se sistemi i ngritur dhe i trashëguar me rotacion nga PD te PS e anasjelltas, ka marrë që në fillim shinat e gabuara dhe sa më shumë zgjat udhëtimi, aq më larg i largohemi standardeve europiane.

Për të kuptuar pse ky tren duhet ndalur dhe duhet zbritur kjo klasë politike nga politika, po e trajtojmë në terma praktike, që ta kuptojnë të gjithë pse duhet ndryshim sistemi komplet dhe jo rotacion. Nëse ndryshohet thjesht qeveria, do të mbeten problemet për shqiptarët.

Vetëm ndryshimi i sistemit nga një qeveri atdhetare do të arrinte, nëpërmjet reformave brenda 100 ditëve të para, zgjidhjen e tre problemeve themelore:

I. Uljen e çmimeve të Real Estate

(shtëpi, zyra, qira, magazina, troje etj.)

Ne gjatë këtyre 35 vjetëve kemi kaluar nga “toka e xanun” për shtëpi në pamundësinë për të blerë shtëpi, me çmime në Tiranë më të shtrenjta në vlerë absolute se Sofia dhe Bukureshti dhe, në vlerë përballueshmërie krahasohet me Parisin, Londrën dhe Milanon.

Shtëpia nuk është privilegj i pakicës, por e drejtë e familjes shqiptare. Strehimi nuk mund të trajtohet më si instrument pastrimi parash, mall spekulativ financiar, shpërblim klientelist politik si 300 apartamentet e Ballukes, por si themeli i sigurisë familjare, rritjes demografike, ripopullimit dhe sovranitetit kombëtar.

Tani në Tiranë çmimet janë shkëputur nga paga reale, ndërtimi kontrollohet nga pak grupe investiroresh dhe ndertuesish te lidhur me qeverine, toka mbahet peng për rritje çmimi, banesa blihet për investim, jo për jetesë. Kjo është pasojë e kartelit politikë–oligarki ndërtuese–financë, jo e tregut të lirë.

Duke qenë se banesa është interes publik kombëtar, ligji i tregut ndalet aty ku cënohet familja shqiptare dhe shtetit i duhet rol aktiv stabilizues, jo spektator i spekulimit dhe nxitës i tij. Prona i shërben shoqërisë, jo vetëm fitimit. Toka urbane nuk është depo pasurie e pashfrytëzuar, por pasuri e gjithë popullit shqiptar.

Ulja e çmimit arrihet me reforma ligjore si më poshtë:

1. Fund arbitraritetit politik dhe 20%-shit të famshëm në urbanistikë. Plan i konsultuar publik dhe leje automatike për projekte që plotësojnë kriteret, jo leje për investitorë e kompani të dyshimta që ndërtojnë për pastrim parash dhe nuk kanë nevojë për para e për të shitur, prandaj bllokojnë 50 mijë apartamente. Të ndërtojnë ata që i kanë për të shitur. Leja nuk është favor, por e drejtë. Me ligj vendoset, për shembull, “1 vit – 1 leje”, heshtja administrative = miratim. Tarifa fikse, transparencë totale.

Rezultati: rritje oferte për kërkesë të njëjtë, pra ulje çmimi.

2. Goditje e spekulimit me tokën. Taksa për tokë urbane të pashfrytëzuar, afat maksimal për shfrytëzim të lejes. Toka duhet të ndërtojë, jo të presë të merret nga oligarku që është i lidhur me shtetin kartel për lejet.

Rezultati: më shumë tokë në treg, më shumë banesa, rritet oferta.

3. Banesa e përballueshme si detyrim ligjor. 25% banesa me çmim të kufizuar në çdo projekt të madh. Çmimi lidhet me pagën shqiptare, jo me tregun fiktiv.

Rezultati: shtëpi për familjen, jo për investitorin.

4. Tatim progresiv mbi banesat e dyta e të treta. Banesa e parë: e mbrojtur. Banesa e dytë e trete: tatim më i lartë. Banesat bosh: Investigim pronareve dhe takse mbi hapesiren publike te shperdoruar.

Rezultati: lirohet oferta ekzistuese.

5. Kredia për jetesë, jo për spekulim. Kreditim i lehtësuar vetëm për banesën e parë, kufizime kredie për blerje investimi. Bankat jashtë lojës spekulative.

Rezultati: ulet kërkesa artificiale.

6. Shteti ndërtues për familjen. Agjenci Kombëtare e Strehimit për ndërtim direkt publik të banesave sociale në zona gjysmë urbane, me infrastrukturë të rregulluar. Gjithashtu edhe qira sociale dhe shitje me çmim të kontrolluar për shtresat në nevojë.

Rezultati: roli i shtetit stabilizon tregun.

Duhet të kemi një shtet të fortë, sepse pa strehim rinia largohet, lindshmëria bie, qytetet zbrazën nga familjet shqiptare. Na duhet ripopullim.

II. Stabilizimin në vlerë reale të kursit të këmbimit të euros me lekun (stopim i vjedhjes së remitancave të ndershme)

Disbalanca aktuale euro–lek me forcim të lekut nuk është rezultat i suksesit ekonomik, por pasojë e një oferte jonormale eurosh që vjen nga dy burime kryesore: remitancat me pak, burim legjitim por pasiv dhe i pakontrolluar strukturalisht, dhe shumica paraja e pistë, narkotrafik, pastrim parash, ndërtim spekulativ, ekonomi cash.

Kjo ofertë masive euro forcon artificialisht lekun, dëmton eksportet, shtrembëron çmimet dhe krijon iluzion stabiliteti. Problemi nuk është tregu, por anonimiteti financiar qe sjell goditjen e biznesit te ndershem.

Kioskat exchange janë kthyer në portën kryesore të riciklimit ditor të euros cash, mekanizëm fragmentimi të shumave dhe nyje anonimiteti financiar. Transaksionet e vogla janë praktikisht anonime, nuk ekziston gjurmim i integruar kombëtar dhe Banka e Shqipërisë nuk ka pamje reale në kohë reale. Kjo e shumëzon artificialisht ofertën euro në tregun e brendshëm.

Nuk mund të ketë stabilitet monetar pa identifikim financiar. Monedha kombëtare nuk mbrohet duke toleruar anonimitetin.

Reformat ligjore përfshijnë:

1. ligjin kundër euroizimit të brendshëm, pra asnje transaksion edhe bankar ne valute te huaj, vetem ne lek.

2. Reformë reale anti-pastrim parash,

3. Tatimin e kapitalit të pajustifikuar

4. Regjistrin kombëtar të transaksioneve valutore në Bankën e Shqipërisë.

5. Sanksione të rënda për exchange-t,

6. Reforme për Bankën e Shqipërisë dhe mandat të ri sovran per reformën e remitancave.

Rezultati: ulet oferta anonime euro, neutralizohet paraja e pistë, stabilizohet kursi euro–lek, mbrohen eksportet, forcohet sovraniteti monetar dhe politikat monetare.

III. Ulja e çmimit të naftës dhe benzinës

Shqipëria është vend prodhues nafte, por importon karburant të rafinuar dhe e shet më shtrenjtë se vende pa naftë. Kjo është absurditet ekonomik dhe tradhti ndaj interesit kombëtar.

Shkaku është shkatërrimi i rafinerive, dhënia e burimeve me koncesion grabitqar, shteti jashtë zinxhirit të vlerës dhe karteli importues–distributor.

Burimet natyrore nuk janë mall privat, por pasuri kombëtare nën sovranitet shtetëror. Zgjidhja është përpunimi i detyrueshëm i naftës vendase, lejimi dhe stimulimi i rafinerive, reformimi dhe shtetëzimi strategjik i hidrokarbureve dhe krijimi i Korporatës Kombëtare të Naftës.

Reformat ligjore shtesë për naftën pervec uljes se akcizes e taksave te tjera qe merr shteti përfshijnë:

1. Ligj për kuotën minimale të përpunimit vendas, për të siguruar që çdo litër nafte e nxjerrë në Shqipëri të trajtohet fillimisht në vend.

2. Stimuj fiskalë dhe lehtësira për rafineritë e reja dhe mini-rafineritë rajonale.

3. Ligj antikartel për tregun e karburanteve, me monitorim të çmimeve dhe penalitete për bashkëpunim kartelist.

4. Ligj për transparencë të çmimit të karburantit, i detyruar për të gjitha pikat e shitjes, me raportim të shpenzimeve, taksave dhe marzhit të fitimit.

5. Rezervë strategjike shtetërore, për të stabilizuar tregun në rast shtrenjtimesh.

6. Tatim progresiv mbi fitimet abuzive të karburantit, duke goditur importuesit dhe distributorët që mbajnë çmimet lart.

7. Përfshirja e aktorëve publikë dhe agjencive shtetërore në treg, për karburant me çmim të kontrolluar për sektorët strategjikë.

Efekti i kombinuar: karburant më i lirë, pavarësi energjetike, punë industriale, më pak euro që dalin jashtë, më pak presion inflacioni dhe fund i kolonializmit ekonomik.

Perfundim

Asnjë nga partitë politike aktuale nuk i ka ngritur këto çështje në këtë prizëm dhe nuk ka sugjeruar zgjidhje konkrete, sepse ato hane bashke me oligarket dhe krimin, janë ato që e kanë ngritur këtë sistem dhe nuk mund ta shembin, madje as nuk duan ta shembin se jane vete brenda. Duan të na e hedhin edhe këtë herë, ndërsa po bie qeveria e PS.

Ne nuk duhet të lejojmë të kënaqemi vetëm me rotacion politik. Duhet një rotacion në mendimin politik të intelektualëve shqiptarë, kudo që janë, që kanë kapacitetin dhe atdhedashurinë të bashkohen dhe të angazhohen për një forcë atdhetare politike që mund të ndërmarrë reformat e mësipërme dhe shumë të tjera në vitet që vijnë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular