HomeKryesoreNuk është më 6.85 USD, BB rrit treguesin: Nëse merr 8.3 USD...

Nuk është më 6.85 USD, BB rrit treguesin: Nëse merr 8.3 USD në ditë quhet i varfër, vlen edhe për Shqipërinë

Advertismentspot_img

Nëse merr më pak se 8.3 USD në ditë në Shqipëri konsiderohesh i varfër. Banka Botërore përcaktoi një vijë më të lartë varfërie prej 8.30 dollarësh për të llogaritur standardet më të larta të jetesës në një botë në ndryshim. Deri në qershor 2025 vija e varfërisë ishte 6.85 USD në ditë.

Vlera prej 8.30 dollarësh është vija tipike e varfërisë së vendeve me të ardhura të larta-mesatare, e cila është shuma minimale e vlerësuar e parave që njerëzit në vendet me të ardhura të larta-mesatare, ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë nevojë për të mbuluar nevojat e tyre themelore ditore, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, strehimin, kujdesin shëndetësor, arsimin e kështu me radhë.

Pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 8.30 dollarë në ditë është treguesi i dytë që Banka Botërore ndjek në treguesit e saj të vizionit të zgjeruar për të krijuar një botë pa varfëri në një planet të jetueshëm.

“Një shumicë në rritje e popullsisë së botës jeton në vende me të ardhura të mesme (për shembull, rreth tre të katërtat në vitin 2024 krahasuar me një të katërtën në vitin 1990), kështu që një vijë më e lartë varfërie do të ishte më përfaqësuese e strukturës aktuale demografike të botës. Për më tepër, një standard më i lartë i varfërisë do të ishte i nevojshëm për të ndërtuar qëndrueshmëri në një botë më të ndjeshme ndaj rreziqeve që lidhen me klimën” argumentoi Banka.

Shqipëria, si vend me të ardhura të mesme, përfshihet në këtë analizë, e cila synon të ofrojë një pasqyrë globale për pabarazitë dhe nevojën për politika që të reduktojnë varfërinë. Raporti shpjegon se standardi prej 8.30 dollarësh është më i lartë se linjat tradicionale të varfërisë, duke reflektuar nevojat minimale të jetesës në vendet me të ardhura të larta-mesatare dhe duke e bërë të mundur një krahasim më të drejtë të situatës në botë.

Banka Botërore nënvizon se përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 8.30 dollarë është një tregues i rëndësishëm për zhvillimin global dhe planifikimin e politikave për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale.

Të dhënat tregojnë se me nivelin mëparshëm me 6,85 USD në ditë Shqipëria kishte rreth 20 % të popullsisë në varfëri.

Banka Botërore rishikoi kufijtë e varfërisë dhe ngriti pragun e varfërisë për vendet e klasifikuara si upper middle income (atë të të ardhurave të mesme të larta) në 8.30 USD në ditë në qershor 2025.

Kjo rritje erdhi nga një përditësim i linjave të varfërisë globale bazuar në të dhënat më të fundit të pariteteve të fuqisë blerëse (PPPs) të publikuara në maj 2024 nga Programi Ndërkombëtar i Krahasimit, dhe u përfshi në azhurnimin e Bankës Botërore të kufijve të varfërisë që u njoftua zyrtarisht në qershor 2025.

Sipas këtij ndryshimi linjat e varfërisë tani janë përcaktuar 3 USD për ditë për vendet me të ardhura të ulëta (extreme poverty line), 4.20 USD ne ditë për vendet me të ardhura mesatare të ulëta dhe 8.3 USD në ditë për vendet me të ardhura mesatare të larta. / B.Hoxha

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular