Nga Enver Robelli
1. Pezullimi i vizave të emigrimit: pse Serbia nuk është në listë, ndërsa Shqipëria dhe Kosova po?
Për shkak se në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit nga Serbia emigrojnë më pak njerëz në SHBA. Arsyeja e dytë: ata që emigrojnë, janë kryesisht njerëz të kualifikuar, për shembull inxhinierë të sektorit të IT-së. Rrjedhimisht, ata janë të kërkuar nga tregu amerikan i punës dhe nuk ekziston rreziku të përfundojnë si shfrytëzues të ndihmave sociale. Së fundi Donald Trump publikoi një listë sipas të cilës një përqindje e lartë e shtetasve që janë shpërngulur në SHBA nuk punojnë dhe janë të varur nga ndihmat sociale amerikane.
Në këtë listë shtetasit e Kosovës figuronin me 46 për qind. Shqipëria me 41 për qind. Mali i Zi me 37 për qind. Njohës të sistemeve sociale amerikane e kanë shpjeguar tashmë se nuk mund të thuhet në mënyrë paushalle se të gjithë këta njerëz që emigrojnë në SHBA janë keqpërdorues të ndihmave sociale. Bëhet fjalë për përkrahje nga shteti që vetë ligjet amerikane i parashohin. Përndryshe – nga të njëjtat benefite përfitojnë 39 për qind e familjeve amerikane, pra joemigrante.
Por Trump nuk interesohet për këto detaje. Prioritet i tij është: Amerika dhe shtetasit e saj. E ka thënë, po e zbaton. Por do të ishte tepër e thjeshtë të thuhej: Trump nuk ka të drejtë fare. Në shtetin amerikan të Minnesotas persona me prejardhje somaleze grabitën nga viti 2020 mbi 1 miliard dollarë – këtë e bënë duke mashtruar sistemet sociale. 86 mashtrues – 78 prej të cilëve janë me origjinë somaleze – janë akuzuar deri më tani në këtë çështje. 59 prej tyre janë dënuar me burg. Prokurori i çështjes, Joseph Thompson tha: “Gjatë karrierës sime jam specializuar në çështjet e mashtrimit, por përmasa e asaj që ka ndodhur këtu në Minnesota më lë pa frymë”.
2. Bordi i Paqes për Gazën dhe ftesat e Trumpit
Pikësëpari më bëri përshtypje gjuha e Donald Trumpit në letrën që u bë publike nga disa politikanë, të cilët u ftuan të bëhen pjesë e planit të presidentit amerikan për Gazën. Është një letër që Trump ua ka dërguar disa krerëve të shtetit anekënd globit, jo vetëm këtij të Tiranës. Të kthehemi te gjuha e Trumpit: Është një gjuhë e ndërtuar me superlativë e me ekzagjerime. Për shembull: thotë se ky është “bordi më mbresëlënës”, pastaj “bordi më me ndikim i krijuar ndonjëherë”, mandej “aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme”.
Pse është Shqipëria në këtë bord? Trump dëshiron të krijojë një koalicion shtetesh që do mbështesin planin e tij për Gazën. Nuk është sekret se kryeministri i Shqipërisë, i cili është në pushtet tashmë 13 vite, ka arritur të krijojë një profil në arenën e politikës botërore. Këtu një rol mund të ketë luajtur edhe njohja e tij – madje afërsia – me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Nga ky raport do të thosha më shumë tregtar se diplomatik natyrisht që përfiton personalisht edhe kryeministri i Shqipërisë. Me vetëm pak ironi mund të themi: ishulli i Sazanit e bën të rëndësishëm kryeministrin e Shqipërisë edhe në bregdetin e Gazës. Pyetja është: a përfiton Shqipëria? Mbetet për t’u parë. Së paku për disa orë pushtetarët në Tiranë mund të buçkariten dhe kësisoj të shpresojnë se njerëzit do të harrojnë serinë e aferave korruptive që tejkalojnë çdo imagjinatë.
3. Borde, nënborde dhe prapaskena
Agjencia amerikane e lajmeve Bloomberg njoftoi se presidenti Donald Trump synon t’u kërkojë shteteve një miliard dollarë për një vend në Këshillin e Paqes të planifikuar prej tij. Kjo u demantua nga Shtëpia e Bardhë – ndonëse jo krejtësisht.
Nga shtete me buxhete modeste si puna e Shqipërisë, SHBA-të me siguri do të kërkojnë përkrahje në mënyra të tjera, jomonetare. Për shembull: mund të kërkohet dërgimi i ushtarëve shqiptarë në Gaza që do të shërbejnë në kuadër të forcës ndërkombëtare të sigurisë ose ndonjë kontribut tjetër më shumë teknik.
Duhet ditur një gjë. Bordi i Paqes për Gazën i ka disa nivele. Së pari: Bordi Ekzekutiv Themelues. Kryetar i këtij bordi është Donald Trumpi (e ka emëruar veten), anëtarë janë – dhëndri i tij Jared Kushner, pastaj ministri i Jashtëm amerikan Marco Rubio, dy këshilltarë të Trumpit, një biznesmen miliarder, shefi i Bankës Botërore – dhe Tony Blair, i cili prej shumë vitesh (sipas disa raporteve nga viti 2013) punon si këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Vështirë të imagjinohet se Blair e bën këtë pa honorar. Blair nuk ka ndonjë kriter moral apo etik sa i përket klientëve të tij. Më 2015 ai u bë këshilltar edhe i Aleksandër Vuçiqit, atëherë kryeministër i vendit. Me atë rast firma konsulente e Blairit, “Tony Blair Associates” (TBA), njoftoi se ai do të ndihmojë në ngritjen e një pike qendrore kontakti, e cila do të këshillojë Vuçiçin për reformat. 10 vjet më vonë Serbia nuk është më e reformuar, por më autoritare se ç’ka qenë. Me apo pa këshilla të Tony Blairit, kjo është e parëndësishme. Nga ky bashkëpunim me leverdi kanë dalë Blair dhe Vuçiqi, Serbia jo.
Sa i përet planit të Trumpit për Gazën: Nën Bordin Ekzekutiv Themelues ekziston Bordi Ekzekutiv i Gazës. Aty përveç disa emrave që u përmendën më lart anëtarë janë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan dhe një ministre nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Bie në sy se në Bordin e Paqes të Trumpit nuk është asnjë palestinez. Një lloj drejtori – “Përfaqësues i Lartë” – që do koordinojë punët e Bordit të Paqes në terren do të jetë diplomati bullgar Nikollai Mlladenov, i cili ka një karrierë interesante. Ai rrjedh nga një familje e privilegjuar e nomenklaturës komuniste bullgare. Babai i tij ka qenë oficer i lartë i shërbimit sekret bullgar. Mlladenov në vitet 90-të, pas studimeve në Londër, ka punuar për Fondacionin Soros në Sofje. Mandej ka bërë një karrierë politike në Bullgari – si deputet i partisë konservatore dhe deputet në Parlamentin Europian, pastaj ka qenë emisar i OKB-së për Irakun dhe për konfliktin izraelito-palestinez.
4. Groenlanda
Grenlanda është pjesë e Danimarkës, e Danimarka anëtare e NATO-s. Rrjedhimisht, Grenlanda është territor i NATO-s. Në rast se ky territor sulmohet nga Kina apo Rusia, SHBA-të janë të obliguara ta mbrojnë. Që nga viti 1951 ekziston një marrëveshje mes SHBA-ve dhe Danimarkës sipas të cilës Washingtoni mund të hap sa të dojë baza ushtarake në Grenlandë. Në dekadat e fundit SHBA-të i kanë mbyllur gati të gjitha bazat në Grenlandë. Ka mbetur vetëm një. Dikur SHBA-të kishin 6000 ushtarë në Grenlandë, tani i kanë 150.
Edhe sa i përket pasurive nëntokësore të Grenlandës: SHBA-të kanë të drejtë të kërkojnë licenca përkatëse dhe i marrin pa problem nga Grenlanda dhe Danimarka.
Por kjo nuk i mjafton Trumpit. Ai dëshiron ta ketë pronë të veten Grenlandën. A do t’ia dalë? Nuk e dimë. Një gjë është e sigurt: europianët janë të alarmuar. Dhe në shumë kryeqytete – nga Londra deri në Berlin – Trump po shihet gjithnjë e më shumë si shantazhues dhe jo si partner. Europianët më lënë përshtypjen e disa peshqve që përpëliten në breg të detit. Me dekada të tëra i kanë injoruar rreziqet në fushën e sigurisë dhe kanë besuar në utopi si paqja e përjetshme. Këtu hyn edhe refuzimi shumëvjeçar i Danimarkës për t’u marrë me sfidat e sigurisë në Grenlandë.
Problemi nuk është i ri. Thënë thjeshtë: sa më shumë që shkrihet akulli si pasojë e ndryshimeve klimatike, aq më shumë rrugë detare hapen rreth Grenlandës. Kjo domethënë: Nëse hapet rruga e re përmes veriut, udhëtimi i anijeve nga Europa në Azi do të shkurtohej nga 22 ditë në vetëm 10 ditë, duke u bërë shumë më i shpejtë sesa kalimi nga Kanali i Suezit. Brenda një dekade numri i anijeve që kalojnë Oqeanin e Arktikut është rritur për 37 për qind. Nuk është befasi që Kina synon të jetë e pranishme në këtë rajon. Nuk duhet të befasohemi që SHBA-të kundërpërgjigjen. Sa për krahasim Grenlanda është 55 herë më e madhe se Kosova e Shqipëria së bashku. Kaq sa i përket dimensionit gjeografik, gjeostrategjik dhe gjeopolitik.
Trump ka edhe arsye të brendshme për të shkaktuar tollovi në politikën botërore. Popullariteti i tij në SHBA po shënon rënie drastike. U premetoi amerikanëve ulje të kostos së jetesës dhe kjo nuk ndodhi. Sa i përket idesë së Trumpit për marrjen e Grenlandës, mendoj se rezistenca nga politikanët amerikanë të të dy partive nuk do të mungojë. Nëse Trump vërtet synon të nxisë një luftë tregtare me BE-në dhe Britaninë e Madhe për shkak se këto kundërshtojnë planet e tij për Grenlandën, do të përballet me rezistencë edhe nga amerikanët e thjeshtë.
5. Paralelet historike të krizave
Para gati një shekulli bota gjendej përballë një krize të madhe ekonomike, ndërkohë që rriteshin valët e nacionalizimit dhe popullizmit. Atëbotë politikani dhe publicisti italian Antonio Gramsci shkroi se kriza konsiston pikërisht në faktin se e vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë; në këtë ndërmjetkohë shfaqet një shumëllojshmëri simptomash morbide.
Ne jemi duke përjetuar tani një kohë të ngjashme. Por nuk e dimë ende cili do të jetë rezultati final i simptomave morbide. Është e qartë se Trump nuk ka ndonjë respekt për OKB-në, dhe NATO-n shpesh e sheh vetëm si instrument për të disiplinuar partnerët europianë.
6. Kontradiktat e Trumpit
Donald Trump është babai i kontradiktave. Kështu funksionon metoda e tij politike. Në mëngjes kërcënon, në mbrëmje dërgon sinjale pajtimi. Të nesërmen pohon të kundërtën. Një lojë permanente nervash. Shikoni qasjen e tij ndaj Iranit: njëherë ju tha protestuesve, dilni në rrugë, merrni institucionet, pastaj iu falënderua sundimtarëve në Teheran sepse paskëshin ndalur ekezekutimet, pastaj u kërcënua prapë pasi e ofendoi kreu i diktaturës së mullahëve. Në këtë lojë nervash ai e ka sosur edhe durimin e konservatorëve britanikë. Shefja e tyre Kemi Badenoch tha: “Pajtohem me (kryeministrin) Keith Starmer”. Badenoch e pati fjalën për kërcënimin e Trumpit me tarifa të reja doganore nëse europianët nuk ia përhajrojnë Grenlandën. Europianët nuk janë për t’u xhelozuar këto ditë: nëse konfrontohen me Trumpin për shkak të Grenlandën, rrezikojnë që shefi i Shtëpisë së Bardhë të ndalë ndihmat ushtarake për Ukrainën. Kjo do të ishte një katastrofë për Europën dhe një dhuratë për Vlladimir Putinin.
7. E ardhmja e Iranit dhe Venezuelës
Me optimizëm mund të themi se ka filluar fundi i regjimit. Politologu amerikan Jack A. Goldstone përmend pesë kushtet specifike të nevojshme që një revolucion të jetë i suksesshëm: një krizë fiskale, elita të përçara, një koalicion opozitar i larmishëm, një narrativë bindëse e rezistencës dhe një mjedis ndërkombëtar i favorshëm. Këtë dimër, për herë të parë që nga viti 1979, Irani i plotëson pothuajse të pesë këto kushte. Profesori Reinhard Schulze nga Universiteti i Bernit në Zvicër dhe një nga eksperët më të njohur të botës arabe dhe Iranit tha të premten për gazetën “Tages Anzeiger”: “Në një çast agonia mbaron dhe regjimi shembet, ndoshta deri më 15 mars”.
Sa i përket Venezuelës: diktatori Nicolas Maduro u rrëmbye nga forcat amerikane dhe bota e tij u reduktua në një qeli burgu në New York. Por kush ka shpresuar se tani do nisë një proces demokratik në Venezuelë, duhet të përballet me faktin se në Karakas vazhdon të qëndrojë në pushtet diktatura socialiste, me të cilën Trump dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin. Liderja e opozitës Maria Corina Machado ngarendi në Shtëpinë e Bardhë, i dhuroi Trumpit edhe medaljen e Nobelit për Paqe, me të cilën u shpërblye nga Komiteti i Nobelit, por presidenti nuk ndërroi mendje. Nuk ka një plan kohor për zgjedhje në Venezuelë, tha zëdhënësja e Trumpit. Maria Corina Machado doli duarthatë nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa ish-zëvendësen e Maduros dhe presidenten e përkohshme Delcy Rodriguez Trump e quajti “një grua fantastike”.
PS. Javën që vjen Donald Trump do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Davosit (WEF). Nga mesi i shkurtit mbahet Konferenca e Sigurisë në München, forumi më i rëndësishëm për çështje të sigurisë globale (Trump nuk ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij, por do vijnë politikanë të tjerë amerikanë). Temat për diskutim nuk do të mungojnë…
(Ky tekst bazohet në pjesën më të madhe në një intervistë dhënë televizionit A2 & CNN në Tiranë).







