HomeAktualitetInvestigim i ‘Le Iene’: Call center në Tiranë, skemë mashtrimi financiar dhe...

Investigim i ‘Le Iene’: Call center në Tiranë, skemë mashtrimi financiar dhe pastrimi parash me xhiro 25–30 milionë euro në muaj

Advertismentspot_img

Një investigim ekskluziv i emisionit italian “Le Iene” zbulon ekzistencën e një rrjeti të mirëorganizuar mashtrimesh financiare që operon nga Tirana, duke targetuar qytetarë në disa vende europiane. Një call center i vendosur në një nga kullat më moderne të kryeqytetit dyshohet se gjeneron deri në 30 milionë euro në muaj, ndërsa ngrihen dyshime serioze se paratë e përfituara përdoren për pastrim parash nga aktivitete të tjera kriminale.

Investigim ekskluziv i ‘Le Iene’: Call center në Tiranë, mashtrimi financiar që gjeneron 25–30 milionë euro në muaj. Dyshime të forta se këto struktura përdoren për pastrim parash nga trafiku i drogës dhe i armëve

Në zemër të Tiranës, në kullën moderne 4Ever Green Tower, një call center me rreth 100 operatorë dhe konsulentë financiarë ishte organizuar si një makinë për të mashtruar dhe grabitur klientët.

Investigimi i realizuar nga gazetari italian Luigi Pelazza për emisionin “Le Iene” tregon se ai funksionon si një rrjet i mirëorganizuar mashtrimesh financiare me shtrirje ndërkombëtare.

Call center-i targeton klientë në Itali, Francë, Gjermani dhe Spanjë, duke e bërë Tiranën një bazë operative kyçe nga ku koordinohen telefonata mashtruese, platforma financiare të manipuluara dhe ekipe ndërkombëtare operatorësh. Investigimi u mundësua falë infiltrimit të një personi me eksperiencë trevjeçare në këtë fushë, i cili kishte punuar më parë në Qipro dhe arriti të dokumentojë mënyrën e funksionimit të rrjetit.

Struktura e call center-it brenda 4Ever Green Tower, ku punonjësit janë të detyruar të dorëzojnë telefonat celularë në hyrje për të mos filmuar apo regjistruar, është e ndarë sipas shteteve, secila me taktikat dhe ekipet e veta. Operatorët përdorin identitete të rreme dhe strategji të përshtatura sipas targetit të klientëve që kontaktojnë. Brenda këtyre ekipeve operojnë operatorë financiarë, konsulentë seniorë dhe koordinatorë, të ndarë qartë sipas rolit dhe tregut, duke e bërë mashtrimin të sofistikuar dhe të mirëorganizuar.

Në qendër të skemës qëndron një procedurë e planifikuar me kujdes. Viktimat fillimisht bindeshin të investonin shuma të vogla, zakonisht rreth 250 euro, për të hapur një platformë online që pretendonte të menaxhonte investimin. Platforma shfaqte grafikë dhe shifra të manipuluara që tregonin fitime të mëdha, duke i bindur klientët të rrisnin investimet. Konsulentët seniorë i shtynin vazhdimisht të shtonin shumën e investuar. Kur viktimat kërkonin të tërhiqnin paratë e fituara, operatorët zhdukeshin, telefonatat ndërpriteshin dhe platformat bëheshin të paarritshme. Sa më shumë klientë mashtrohen, aq më e lartë është përqindja e fitimeve që merr çdo operator dhe konsulent financiar në këtë call center.

Paga e operatorëve është jashtëzakonisht e lartë dhe lidhet drejtpërdrejt me suksesin në mashtrimin e klientëve. Operatorët mesatarë fitojnë nga 15.000 deri në 50.000 euro në muaj, ndërsa operatorët më të suksesshëm marrin 21% të fitimeve mujore të kompanisë, që përkthehet në rreth 200.000 euro në muaj. Madje ka raste kur konsulentë dhe operatorë arrijnë të fitojnë deri në 1 milion euro në muaj. Përveç kësaj, operatorët përfitojnë edhe strehim falas, bileta avioni dhe mbulim të shpenzimeve të jetesës. Xhiroja mujore e kompanisë arrin në 25–30 milionë euro, duke treguar përmasat e jashtëzakonshme të mashtrimit financiar.

Investiguesit infiltruan rrjetin përmes bisedave në Telegram, ku ish-punonjës dhe persona të lidhur me kompaninë ndanin informacione të brendshme.

Investigimi ngre gjithashtu dyshime të forta se kjo xhiro e madhe parash përdoret për pastrim parash nga aktivitete të tjera kriminale, përfshirë trafikun e mundshëm të drogës dhe armëve. Hetimi tregon qartë se skema nuk është një mashtrim i rastësishëm, por një strukturë kriminale e mirëorganizuar me shtrirje globale.

Ky investigim tregon se Tirana është kthyer në bazën operative të një rrjeti mashtrimesh që funksionon si një kompani ndërkombëtare e sofistikuar, ku operatorët përfitojnë paga marramendëse dhe kompania gjeneron një xhiro prej 25–30 milionë euro çdo muaj.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular