HomeOP EDKAYO-korrupsioni “inovativ” i Ramës/Nga Bujar Leskaj

KAYO-korrupsioni “inovativ” i Ramës/Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Struktura ushtarake KAYO administron prokurimet, mirëmbajtjen dhe logjistikën e pajisjeve ushtarake të vendit, duke përfshirë armatime, mjete, municione dhe shërbime ushtarake. Kjo e bën atë një nga nyjet më kritike të sistemit tonë të mbrojtjes. Çdo devijim nga ligji në këtë strukturë cënon (i) gatishmërinë luftarake të ushtrisë, (ii) sigurinë e personelit ushtarak dhe (iii) besueshmërinë e Shqipërisë ndaj NATO-s.

  1. KAYO-fusha “inovative” e korrupsionit të Ramës

KAYO dhe korrupsioni në ushtri do të hyjnë në historin si korrupsioni i ri “inovativ” i Ramës, nëse do t’i ngelet kohë, në krye të punëve të pista në Shqipëri. Autokrati Rama ka gjetur fushën e duhur dhe personin “e duhur” në krye të KAYO-s, një drejtues me përvojë negative dhe tregues negativë.

Sikurse citohet nga mediat e huaja (https://www.thenationalnews.com/news/europe/2025/12/08/israels-elbit-suspended-from-nato-tenders-amid-corruption-probe/ ; https://www.ftm.eu/articles/israel-defence-elbit-systems-suspended-nato-corruption-investigation; https://www.lalettre.fr/fr/entreprises_defense-et-aeronautique/2025/12/08/corruption-at-nato-prosecutors-probe-suspect-contracts-won-by-israeli-giant-elbit,110573154-gel)   dhe mediat shqiptare, kompania private izraelite “Elbit Systems”(këtej e tutje me inicialet “ES”), e cila ka lidhur marrëveshje me kompaninë ushtarake shqiptare KAYO për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë dhe për prodhimin e dronëve, është përfshirë në një skandal të madh për manipulimin e tenderave të NATO-s. Autoritetet belge (Belgjika është selia e NATO-s) kanë nisur një hetim në lidhje me disa kontrata të rëndësishme të firmosura mes kompanisë izraelite dhe Agjencisë së Prokurimeve të NATO-s. Prokuroria Federale e Belgjikës ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për një konsulent që ka vepruar në emër të kompanisë izraelite private “ES”, për lidhjen e kontratave të rëndësishme me NATO-n.

Në korrik të vitit 2025, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të gjerë ushtarake me Izraelin. Për shumë muaj ky nënshkrim u pa thjesht si një marrëveshje normale midis dy qeverive, për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes. Vetëm pak javë më parë u zbulua se se ajo nuk ishte thjesht një marrëveshje mes dy qeverive, por një biznes sekret qindra milionë dollarësh, i KAYO-s me kompaninë private “ES”.

Në këtë biznes gërshetohet deliri i madhështisë së “Liderit Global”, Ramës, me korrupsionin galopant të sektit të tij dhe mungesën e thekshme të përvojës në këtë fushë.

Denoncimet mediatike kanë ngritur pikëpyetje serioze për tendera të paracaktuar, ku fituesit duken të njohur para hapjes së procedurave, për mbivlerësim të pajisjeve ushtarake, shpesh me cilësi të ulët,  për marrëveshje të mbyllura pa transparencë, nën justifikimin e “sekretit ushtarak” dhe konflikt të hapur interesi midis zyrtarëve të KAYO-s dhe kompanive private të huaja të furnizimit, sikurse është kompania “ES”.

Në muajin nëntor 2025, mediat e huaja zbuluan se kompania “ES” ka siguruar një kontratë dhjetra milionë dollarëshe nga qeveria shqiptare, për të furnizuar Shqipërinë me armatim të rëndë, përfshirë murtaja dhe dronë. Paralelisht, kompania izraelite do të hapë dhe shkollën e aviacionit në Vlorë.

Burime mediatike të huaja dhe vendase cilësojnë se qeveria shqiptare po shqyrton një skemë të ngjashme me atë të projektit “Smart City”, për të financuar faturën e rëndë që Shqipëria do t’i paguajë kompanisë private të huaj. Sipas këtyre burimeve, kompania e huaj do t’i gjejë vetë fondet me hua bankare, ndërsa Shqipëria do të garantojë kredinë e kompanisë me garanci sovrane shtetërore! Më tej, do të marrë përsipër shlyerjen e saj, duke përfshirë dhe interesat e majmë, për një kompani që sot po hetohet nga NATO për korrupsion me Agjencinë e tenderimeve të vetë NATO’s!!

Këto praktika  përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por tradhti institucionale ndaj misionit të ushtrisë sonë! Korrupsioni në ushtri nuk matet vetëm me dhjetra miliona euro të humbura, por me pajisje jofunksionale në situata emergjente, me mungesë municionesh ose logjistike në momente kritike, me ulje të moralit të efektivëve dhe me humbje besimi nga aleatët tanë strategjikë.

Pavarësisht rëndësisë së çështjes me kontratat abuzive të KAYO-s me kompaninë private “ES”, reagimi institucional ka qenë zero! Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e kontrollit ushtarak nuk kanë dhënë asnjë sqarim dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë hetim të thelluar dhe transparent.

Kjo heshtje dhe ky mosveprim ushqen dyshimin se KAYO është shndërruar tashmë nga sekti Rama në pushtet, në një zonë të mbrojtur nga ndëshkimi.

  1. KAYO: bankomat i Ramës dhe turp i Shtetit tonë!

Nëse korrupsioni në rrugë, shkolla apo spitale është krim ndaj qytetarëve, korrupsioni në ushtri është krim ndaj vetë Shtetit. Në emër të sigurisë kombëtare janë nënshkruar kontrata pa garë reale, me kompani me lidhje të drejtpërdrejta politike. Kjo nuk keqmenaxhim, por skemë e organizuar vjedhjeje.

Nën flamurin e “sekretit ushtarak”, KAYO është shndërruar në një bankomat për klientelën politike të Ramës dhe të sektit të tij, ku tenderët shpërndahen, çmimet fryhen dhe cilësia sakrifikohet.

Sekreti ushtarak nuk është licencë për korrupsion. Ai nuk mund të përdoret për t’i mbyllur gojën medias dhe opinionit publik, për të shmangur auditin dhe për të fshehur kontrata të dyshimta. Kur çdo blerje shpallet “sekret”, atëherë kemi të bëjmë me shtet të kapur, jo me shtet funksional.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, por korrupsioni në KAYO me kompaninë private “ES” të hetuar nga NATO për korrupsion, na shndërron në një republikë bananesh. Aleatët tanë kërkojnë transparencë, integritet dhe llogaridhënie. Çfarë marrin? Heshtje, mjegull dhe arrogancë zyrtare.

Çfarë mesazhi u dërgojmë partnerëve strategjikë, kur pajisjet ushtarake mund të rezultojnë të amortizuara, kontratat të fryra dhe përgjegjësit të paprekshëm?

KAYO nuk është thjesht një strukturë  ushtarake nevralgjike– është testi i fundit i seriozitetit të shtetit shqiptar. Ose luftojmë korrupsionin edhe aty ku është më i rrezikshëm, ose pranojmë se ushtria është kthyer në plaçkë politike. Dhe një shtet që lejon vjedhjen në ushtri, ka hequr dorë nga vetëmbrojtja.

  1. Korrupsion që vret moralin e ushtarakëve tanë

Ushtarët shqiptarë stërviten dhe shërbejnë me ndjenjën e detyrës, por çfarë ndodh kur zbulojnë se dikush pas tavolinave vjedh në emrin e tyre? Ky është korrupsion më i zi, pse ul moralin, rrezikon jetën dhe shkatërron besimin e efektivëve.

Ushtria nuk mbahet vetëm me armë, uniforma dhe buxhete. Ajo mbahet mbi gjithçka me moral, besim dhe ndjenjë drejtësie. Kur këto tronditen, çdo armatim(për më tepër edhe i cilësisë së ulët, nga korrupsioni i KAYO-s) bëhet i pavlerë.

Dhe sot, pikërisht këtu godet më fort korrupsioni “inovativ” i Ramës në ushtri: godet dhe dëmton jo vetëm në financat publike, por në moralin e ushtarakëve tanë. T’i kërkosh një ushtari të japë maksimumin, ndërsa një grusht eprorësh dhe sekti në pushtet përfitojnë nga kontrata të fryra, është fyerje e hapur ndaj dinjitetit ushtarak.

Korrupsioni në KAYO (i) ul besimin në komandë, (ii) shkatërron ndjenjën e barazisë, (iii) nxit largime nga shërbimi dhe krijon heshtje të rrezikshme. Këto janë plagë që nuk shërohen me propagandë apo parulla patriotike.

Më e rënda nuk është vetëm korrupsioni me kontratat, por heshtja institucionale përballë saj. Kur ankesat nuk dëgjohen, kur përgjegjësit nuk mbajnë përgjegjësi, mesazhi për ushtarakët është i qartë: “sakrifica juaj nuk vlen!”.

xxx

Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria matet jo vetëm për buxhetin e mbrojtjes, por për integritetin e strukturave të saj. Çdo aferë korruptive në KAYO dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit, ndërkohë që goditjen më të madhe e ndiejnë ata që mbajnë uniformën çdo ditë.

Rikthimi i moralit të ushtarakëve tanë kërkon hetim real dhe të pavarur mbi KAYO-n, transparencë dhe audit të kontratave të realizuara deri tani me një kompani të akuzuar për korrupsion nga NATO, reformim të thellë të sistemit të prokurimeve ushtarake dhe ndëshkim shembullor për abuzuesit. Vetëm kështu rikthehet besimi në ushtri, që është urgjencë kombëtare! Por këtë nuk mund ta bëjë as Rama, as edhe sekti i tij, që ideuan dhe zbatuan korrupsionin “inovativ” në KAYO.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular