HomeKryesoreÇështja “Balluku”, mbyllet shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria dhe Kuvendi: Antikushtetues, ka...

Çështja “Balluku”, mbyllet shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria dhe Kuvendi: Antikushtetues, ka imunitet deputeti. SPAK: S’ka konflikt kompetencash

Advertismentspot_img

Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të hënë, më 22 janar, seancën plenare publike për shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Si subjekte të interesuara në këtë çështje morën pjesë dhe paraqitën argumentet dhe kërkesat e tyre Këshilli i Ministrave, Kuvendi, Presidenca dhe SPAK, ndërsa GJKKO vendosi të mos marrë pjesë në proces. Pas dakordësimit për administrimin e provave të paraqitura, Gjykata Kushtetuese vendosi mbylljen e seancës dhe njoftoi se data dhe ora e shpalljes së vendimit do të bëhen të ditura në vijim.

Palët në proces qëndruan në të njëjtat argumente të paraqitura gjatë seancës plenare. SPAK kërkoi rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministria, duke argumentuar se nuk ekziston konflikt kompetencash dhe se masa e pezullimit ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës është marrë brenda kompetencave ligjore. Sipas SPAK, nuk ka konflikt kompetencash mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.

“SPAK vlerëson se kërkesa e Kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së për masën e sigurimit personal të pezullimit nga detyra nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve, pasi masat e sigurimit janë vendime individuale penale me juridiksion penal dhe nuk krijojnë konflikt kompetencash. Vlerësojmë se kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit, pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së sigurimit janë kompetenca ekskluzive të SPAK dhe GJKKO dhe nuk mund të cenohen nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv”, deklaroi SPAK.

Nga ana tjetër, Qeveria kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së vetëm për pjesën që lidhet me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke argumentuar se kjo masë përbën shkelje të kompetencave dhe të parimit të ndarjes së pushteteve mes ekzekutivit dhe gjyqësorit.

“Pushteti gjyqësor nuk ka të drejtë të shkaktojë pezullimin e një dege të pushtetit ekzekutiv përmes një mase sigurimi. Në rast se gjykata vlerëson se nevoja për sigurimin e individit është e pashmangshme, kjo masë nuk mund të vendoset në mënyrë të njëanshme pa autorizim nga Kuvendi. Këto janë standarde kushtetuese për çdo masë sigurimi që pengon ushtrimin e detyrës së ministrit”, deklaroi Këshilli i Ministrave.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Kuvendi, i cili argumentoi se pezullimi nga funksioni është de facto shkarkim i një anëtari të Këshillit të Ministrave, veprim që nuk mund të kryhet pa miratimin e Kuvendit, pasi ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit.

“Deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, si dhe nuk mund të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Vendimi i pezullimit është de facto një shkarkim, pasi ndalon pjesëmarrjen e funksionarit në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, ushtrimin e kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale”, u shpreh Kuvendi.

Gjatë fjalës së saj, përfaqësuesja e Presidencës theksoi se nëse pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, atëherë kjo masë nuk mund të konsiderohet kushtetuese.

“Nëse pezullimi nga ushtrimi i detyrës i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, kjo masë merr përmbajtjen e një instrumenti kontrolli dhe balancash mes pushteteve dhe nuk mund të konsiderohet kushtetuese. Presidenca mbështet qartësimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese për këto çështje, pavarësisht vendimmarrjes së saj”, deklaroi Presidenca.

Këshilli i Ministrave: Pezullimi i ministrit s’mund të bëhet nga GJKKO, na u bllokua veprimtaria

Gjatë fjalës së saj në seancë, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave deklaroi se GJKKO dhe SPAK pretendojnë se ankimi është i parregullt, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, mungon legjitimimi i kërkuesit, për shkak se Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk kanë interes personal, si dhe nuk ekziston një marrëdhënie juridike kushtetuese apo konflikt kompetencash.

Në përgjigje, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave theksoi se ky nuk është një pretendim kushtetues individual. Sipas saj, kërkesa nuk lidhet me objektin e procedimit penal, masën e sigurimit apo të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkesa ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, duke ngritur pyetjen thelbësore: a ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër apo çdo zyrtar të pushtetit ekzekutiv?

“GJKKO dhe SPAK pretendojnë se kjo është një kërkesë që nuk mund të ngrihet, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, mungon legjitimimi i kërkuesit, sepse Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk kanë interes personal. Këta të fundit nuk janë palë në gjykimin penal për masën e sigurimit dhe nuk mund të ankohen për të. Po ashtu, pretendohet se nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese dhe as konflikt kompetencash.

Në përgjigje të këtyre pretendimeve, sqarojmë se ky nuk është një pretendim kushtetues individual. Kërkimet dhe shkaqet e ngritura në kërkesë nuk kanë të bëjnë me objektin e procedimit penal, as me nevojën e sigurimit të të pandehurit dhe as me të drejtat themelore të tij në procesin penal. Kërkesat kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet tre pushteteve dhe në thelb të tyre qëndron pyetja: a ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër, njësoj si çdo zyrtar tjetër i pushtetit ekzekutiv? Ne besojmë se jo, megjithatë argumentet i përkasin themelit të çështjes.

Sa i përket legjitimimit, sqarojmë se Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ, veprimtaria e të cilit është pezulluar në njërën nga fushat e përgjegjësisë shtetërore: infrastrukturën dhe energjinë”, deklaroi përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave.

Në këtë kontekst, ajo theksoi se Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri kanë legjitimitet për këtë gjykim, pasi pezullimi i ministrit ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e fushave përkatëse të përgjegjësisë. Sipas saj, pezullimi i Belinda Ballukut nuk ndikon vetëm në vendimmarrjen e saj brenda ministrisë, por edhe në vendimmarrjen e Kryeministrit për projektaktet që kërkojnë propozimin e ministrit të pezulluar.

“Për këtë gjykim kushtetues nuk ka rëndësi fakti që Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk janë palë në procesin penal, sepse legjitimiteti kushtetues buron nga pasojat që sjell masa e sigurimit në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit dhe jo nga të drejtat e të pandehurit në procedimin penal”, shtoi ajo.

Përfaqësuesja theksoi gjithashtu se pretendimi i SPAK-ut se Kryeministri mund të propozojë vetë projektaktet nuk qëndron, pasi ai mund të marrë vendime vetëm për aktet që nuk i përkasin fushës së asnjë ministri dhe janë të përcaktuara shprehimisht me ligj. Për këtë arsye, Kryeministri legjitimohet për t’u angazhuar në këtë gjykim, pasi pezullimi detyron zëvendësimin e ministrit për të garantuar funksionimin normal të ministrisë përkatëse.

Gjithashtu, u nënvizua se masa e sigurimit penal sjell pasoja të drejtpërdrejta në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit. Këto pasoja nuk varen nga statusi i palës në procesin penal, por nga ndikimi i drejtpërdrejtë në funksionimin e qeverisë.

Sa i përket pretendimit se duhet të shterohen shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, u sqarua se kjo kërkesë vlen vetëm për ankimin individual të të pandehurit dhe nuk zbatohet për ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit, të cilët e kundërshtojnë masën për shkak të cenimit të kompetencave të tyre.

“Së dyti, përsa i përket pretendimit se duhet të shterohen shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, kjo vlen vetëm për ankimin individual që bën personi subjekt i masës. Ndërsa është tjetër gjë ankimi që bëjnë Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri për kompetencat që u cenohen nga kjo masë. Për këtë rast nuk ka asnjë detyrim për t’iu drejtuar shkallëve të tjera të gjyqësorit”, theksoi ajo

Kuvendi: Pezullimi është de facto shkarkim. Vendimi i GJKKO, cenon ndarjen e pushteteve

Përfaqësuesja e Kuvendit mbajti qëndrimin se vendimi i GJKKO-së është në kundërshtim me Kushtetutën, duke argumentuar se deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e funksionit të tij, as të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. E njëjta mbrojtje, sipas saj, zbatohet edhe për anëtarët e Këshillit të Ministrave, të cilët nuk mund të ndiqen penalisht pa miratimin e Kuvendit.

Përfaqësuesja e Kuvendit argumentoi se mbrojtja e deputetit është e përfshirë në të gjithë kuadrin legjislativ dhe penal, përfshirë edhe Kodin e Procedurës Penale.

“Kuvendi vlerëson se vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga ushtrimi i detyrës i zëvendëskryeministres është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit sipas ligjit.

Deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, si dhe nuk mund të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Po ashtu, anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të ndiqet penalisht pa miratimin e Kuvendit, siç parashikohet në ligj.

Në Kushtetutë ekziston një dispozitë themelore që garanton funksionimin e pavarur të pushtetit ekzekutiv dhe që anëtarët e Këshillit të Ministrave të gëzojnë imunitetin e deputetit. Kjo barazi nuk është një privilegj personal për individët, por një garanci institucionale që synon të ruajë ekuilibrin kushtetues dhe pavarësinë e pushteteve.

Deputeti nuk mund të arrestohet pa miratimin paraprak të Kuvendit, me qëllim garantimin e pavarësisë funksionale dhe ushtrimin e mandatit pa frikën e ndërhyrjeve të padrejta nga pushteti gjyqësor apo ekzekutiv. Kjo garanci nuk do të ishte e mjaftueshme nëse, edhe pse deputeti nuk arrestohet pa miratimin e Kuvendit, ai mund të pezullohej nga detyra me vendim gjykate. Pezullimi e pengon deputetin të ushtrojë funksionet e detyrës dhe mandatin e tij”, tha përfaqësuesja e Kuvendit.

Sipas Kuvendit, vendimi i GJKKO-së për pezullimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, pa u mbështetur në një dispozitë kushtetuese që i jep këtë kompetencë, krijon një precedent ku pushteti gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejt në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv.

“Për këtë arsye, mbrojtja e deputetit është përfshirë në të gjithë kuadrin legjislativ dhe penal, duke zbatuar garancitë kushtetuese të parashikuara edhe nga Kodi i Procedurës Penale. Logjika juridike është e qartë: deputeti përfaqëson vullnetin e popullit dhe ushtron një mandat të dhënë nga zgjedhësit. Pezullimi i tij nga detyra do të përbënte një ndërhyrje në këtë mandat dhe do të cenonte pavarësinë e pushtetit legjislativ.

E njëjta logjikë zbatohet edhe për ministrin. Edhe pse ministri nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, ai merr legjitimitetin nga Kuvendi dhe ka natyrë të ngjashme me personat e zgjedhur. Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit dhe mbrojtje të barabartë institucionale mes pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Edhe ministrat që nuk janë deputetë gëzojnë imunitetin e deputetit.

Kjo mbrojtje përfshin të gjitha garancitë kushtetuese dhe procedurale që sistemi juridik i njeh deputetit. Vendimi i GJKKO-së për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave, pa u mbështetur në ndonjë dispozitë kushtetuese që ia jep këtë kompetencë, krijon një situatë ku pushteti gjyqësor ndërhyn në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv dhe kompetencat e tij”, tha ajo.

Në përfundim, përfaqësuesja e Kuvendit theksoi se vendimi i pezullimit përbën de facto një shkarkim nga detyra, pasi ndalon pjesëmarrjen e funksionarit në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, ushtrimin e kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale.

“Në vlerësimin e Kuvendit, ky vendim cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe, nga kjo perspektivë, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtat kushtetuese të Këshillit të Ministrave.

Vendimi i pezullimit është de fakto një shkarkim dhe kjo nënkupton faktin se përmes pezullimit ndalohet pjesëmarrja e funksionarit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndalimi i kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale. Kur të gjitha këto veprime ndalohen dhe në asnjë mundësi për të ushtruar substancën e këtyre funksioneve është identike me atë të shkrimit edhe pse formalisht quhet pezullim”, përfundoi ajo.

Presidenca: Nëse pezullimi ndikon në funksionimin e pushtetit ekzekutiv, kthehet në instrument kontrolli

Përfaqësuesja e Presidencës deklaroi se ky institucion është përfshirë në çështje për shkak se ka kompetencën për të dekretuar emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse vendimi mbi pezullimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave që zgjidhet nga populli, është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve apo e cenon atë.

“Presidenca është përfshirë në këtë çështje për shkak se ky institucion ka kompetencën për të deklaruar emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse kjo kompetencë është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve apo jo.

Ndjekja penale është e drejtë e plotë e organeve të drejtësisë, dhe ata mund të ndëshkojnë autorët pa dallim nga funksioni publik që mund të ushtrojnë. Ligji e njeh këtë kompetencë vetëm për personat që janë të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Pushteti ekzekutiv ushtrohet nga Këshilli i Ministrave, dhe Kushtetuta parashikon se KM përgjigjet para Kuvendit, ndërsa instrumentet e kontrollit dhe balancës janë të përcaktuara qartë”, tha përfaqësuesja e Presidencës.

Presidenca parashtroi se nëse pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, kjo nuk mund të konsiderohet kushtetuese.

“Nëse pezullimi nga ushtrimi i detyrës i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, atëherë kjo masë merr përmbajtjen e një instrument kontrolli dhe balancave mes pushteteve. Në këtë rast, nuk mund të konsiderohet kushtetuese. Presidenca mbështet qartësimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese për këto çështje, pavarësisht vendimmarrjes së saj”, tha ajo.

SPAK: Nuk ka konflikt kompetencash, masat e sigurimit janë të ankimueshme

Përfaqësuesi i SPAK argumentoi se kërkesa nuk përmbush kriteret për një çështje kushtetuese. Sipas SPAK, vendimet e GJKKO-së për masën e sigurimit personal janë vendime individuale penale, të marra brenda juridiksionit penal, dhe nuk krijojnë konflikt kompetencash mes pushteteve. Për rrjedhojë, kërkesa e Kryeministrit për shfuqizimin e këtyre vendimeve, sipas tij, nuk mund të trajtohet si një mosmarrëveshje kushtetuese.

Përfaqësuesi i SPAK theksoi se kërkuesi nuk mund të përdorë pretendimin për konflikt kompetencash si mjet për të bllokuar hetimin penal ndaj një ministri, pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masave të sigurimit janë kompetenca ekskluzive të SPAK dhe GJKKO-së dhe nuk mund të cenohen nga ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv. Ai argumentoi gjithashtu se masat e sigurimit janë të ankimueshme dhe se legjislacioni parashikon një procedurë të plotë ankimi përmes Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

“SPAK vlerëson se kërkesa e kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së për masën e sigurimit personal të pezullimit nga detyra, nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve pasi masat e sigurimit janë vendime individuale penale me juridiksion penal dhe nuk krijon konflikt kompetencash. Vlerësojmë se, kërkuesi nuk mundtë përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së sigurimit janë kompetenca ekskluzive të SPAK dhe GJKKO dhe nuk mund të cenohen nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv. Masat e sigurimit janë të ankimueshme dhe ekziston një procedurë e plotë ankimi në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë”, deklaroi ai.

Sipas SPAK, pretendimet e ngritura mbështeten kryesisht në interpretime të Kushtetutës dhe ligjit, pa u provuar ekzistenca e një marrëdhënieje juridike konkrete të cenuar, e cila të ketë sjellë pasoja të rënda juridike. Në mungesë të një marrëdhënieje të tillë, nuk mund të konstatohet ekzistenca e një konflikti real kompetencash.

Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, SPAK theksoi se një konflikt kompetencash ekziston vetëm kur dy pushtete pretendojnë ushtrimin e të njëjtës kompetencë konkrete, e cila i përket vetëm njërës palë. Në rastin konkret, sipas SPAK, nuk ka një ndërveprim të tillë mes Gjykatës Penale dhe Kryeministrit, pasi marrëdhëniet e tyre burojnë nga sfera të ndryshme kushtetuese.

SPAK vlerësoi se në këtë çështje nuk identifikohet asnjë element që mund të përbëjë objekt kontrolli kushtetues dhe se kërkesa e Kryeministrit duhet të konsiderohet e papranueshme

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular